You are currently viewing Meditimi

Meditimi

Na ndiqni në rrjetet sociale

Osho vizion - Meditimi

Ne jemi pjesë e së gjithës. Ne nuk jemi të huaj. Ne jemi të brendshëm. Ne jemi misteri dhe për të zbuluar këtë mister, e vetmja shkencë është ajo e meditimit. Nuk ka rrugë tjetër. Meditimi mund të reduktohet në një formë të thjeshtë të vëzhgimit, shikimit, vetëdijes. Ekzistojnë 112 teknika me të cilat mund të eksperimentoni për të gjetur atë që vepron për ju. Këto teknika përfaqësohen nga 112 rruaza në malën e një sannyasini. Rruaza kryesore, e 113, është baza thelbësore që përshkon të gjitha teknikat – dhe kjo është vëzhguesi. Kam zhvilluar edhe teknika përgatitore – Dinamika, Kundalini, etj – të cilat janë të domosdoshme për qënien njerëzore bashkëkohore. Ato janë katarsis. Njeriu i lashtë nuk kishte nevojë për to – ai ishte i thjeshtë, fëminor dhe i pafajshëm dhe ai mund të fillonte udhëtimin e tij drejt meditimit drejtpërdrejt. Por, për njeriun modern, ekziston një hendek, midis tij dhe atyre 112 teknikave.

Ai hendek ka ardhur përmes shtypjeve, frenimeve, të cilat janë grumbulluar në pavetëdije si një bllok. Meditimet e mia janë vetëm për të hequr atë bllok. Pasi ai të hiqet, atëherë njeriu bashkëkohor është në të njëjtën fazë të pafajshme si njeriu i lashtësisë. Nga atje ai mund të fillojë meditimin e duhur. Pra, meditimet e mia aktive nuk janë në të vërtetë meditime, por përgatitje për këto 112 meditime. Më pas, ndonjë nga 112 teknikat do të funksionojë. Thjesht duhet të praktikosh secilën për disa ditë dhe të gjesh atë që ‘vepron’. Askush nuk mund të thotë se cila teknikë do të veprojë për secilin individ. Por kur të gjeni të duhurën, ka një siguri të jashtëzakonshme në zemër se kjo është për mua. Atëherë vazhdoni me atë. Meditimi është mënyra për të shkuar përtej mendjes dhe për të hyrë në dimensionin e të panjohurës.

Meditimi është shikim, vëzhgim, vetëdijësim – vëzhgues i trupit tuaj, mendimeve tuaja, emocioneve dhe ndjenjave tuaja – sepse në momentin që vëzhgon diçka, ju jeni të ndarë nga ajo. Sapo trupi, mendja juaj, emocionet tuaja zhduken, papritmas ndodh një kërcim kuantik, dëshmitari nuk ka asgjë për të vëzhguar më, ai kthehet në shtëpi. Ai vëzhgon vetveten. Bëhet në të njëjtën kohë shikuesi dhe i shikuari, objekti dhe subjekti. Për herë të parë ju keni unitet. Kjo përvojë e unitetit organik absolut të vetëdijës suaj është quajtur me emra të ndryshëm – moksha, nirvana, çlirimi, iluminimi, ndriçimi. Çfarëdo fjale që ju të zgjidhni nuk ka rëndësi. Por kjo është maja, është qëllimi përfundimtar i jetës njerëzore.

I vetmi meditim është të vëzhgosh, jo “duke mbajtur mendjen pa lëvizje dhe në qetësi”, por pa mendje. Nëse baza juaj është e qëndrueshme dhe e mirëfilltë, helmet e doktrinave të gabuara nuk do të jenë në gjendje t’ju dëmtojnë, “duke mbajtur mendjen pa lëvizur” dhe “duke harruar shqetësimet”. Nëse gjithmonë “harroni shqetësimet” dhe “mbani mendjen pa lëvizur”, pa e shkatërruar mendjen, atëherë ndikimet deliruese të formës, ndjesisë, perceptimit, vullnetit dhe vetëdijes do të marrin rrugën e tyre dhe ju pashmangshëm do të jeni duke e ndarë zbrazëtinë në dysh.

Lërini gjërat të rrjedhin dhe bëjeni veten të gjerë. Kur zakone të vjetra lindin papritur, mos e përdorni mendjen për t’i shtypur ato. Përdoreni mendjen, por pa aktivitet mendor. Pa mendje por funksionues, gjithmonë funksionues por jo ekzistent – pamendësia për të cilën unë flas tani nuk është e ndarë nga mendja. Ka pasur një keqkuptim të gjatë rreth këtyre dy gjërave: të mbash mendjen të qetë dhe pa mendje. Ka pasur shumë njerëz që kanë menduar se janë sinonim. Ato duket se janë sinonime, por në realitet ato janë shumë larg dhe nuk ka asnjë mënyrë për t’i lidhur ato.

Mendja mund të luajë lojën e të qenurit e heshtur; ajo mund të luajë lojën e të qënit pa asnjë mendim, pa emocion, por ato thjesht janë të shtypur, plotësisht të gjallë, të gatshëm për të dalë jashtë çdo moment. Të ashtuquajturat fe dhe shenjtorët e tyre kanë rënë në gabimin e qetësisë së mendjes. Nëse vazhdoni të uleni në heshtje, duke u përpjekur të kontrolloni mendimet tuaja, duke mos lejuar emocionet tuaja, duke mos lejuar asnjë lëvizje brenda jush, dalëngadalë kjo do të bëhet zakon. Ky është mashtrimi më i madh në botë që mund t’i bëni vetes, sepse gjithçka është saktësisht e njëjtë, asgjë nuk ka ndryshuar, por duket sikur keni kaluar një transformim.

Gjendja e jo-mendjes është e kundërta e qetësisë së mendjes – ajo e tejkalon mendjen. Krijon një distancë të tillë mes vetes dhe mendjes që mendja të bëhet ylli më i largët, miliona vite dritë larg, dhe ti je vetëm një vrojtues. Kur mendja është akoma ju jeni kontrolluesi. Kur mendja nuk është, ju jeni vrojtuesi. Këto janë shenjat dalluese. Kur kontrolloni diçka, jeni në tension; nuk mund të jesh pa tension, sepse ajo që kontrollohet vazhdimisht përpiqet të revoltohet kundër teje, ajo që është skllavëruar dëshiron liri. Mendja juaj herët a vonë do të shpërthejë në hakmarrje.

E vërteta e thjeshtë është se vigjilenca është mënyra më e shkurtër e mundshme. Nuk mund të bëhet më e shkurtër. Ajo që pritet nga ju në vigjilencë dhe vëzhgim është … thjesht përpiquni të shihni, asgjë tjetër. Ju i shikoni gjërat, e dini se çfarë është të shohësh. Ju shikoni një ndeshje futbolli, shihni një film, shikoni televizorin. Ju e dini se çfarë është vigjilentja, nuk ka pse t’jua tregojë dikush; vetëm se e njëjta vigjilencë duhet të zbatohet në ekranin e mendjes. Mbyllni sytë dhe lini që mendja juaj të funksionojë si një ekran i një filmi apo një televizori dhe çfarëdo që të kalojë në mendje ju thjesht rrini vigjilent, duke mos bërë asgjë, madje pa gjykuar dhe pa u identifikuar me atë që shihni. Mos-identifikimi është ana tjetër e vigjilencës. Dhe ndërsa vigjilenca juaj bëhet gjithnjë e më e qëndrueshme, ekrani i mendjes bëhet gjithnjë e më bosh.

Vëzhguesi është atje, por nuk ka asgjë për tu parë, ekrani është plotësisht i zbrazët. Dhe kur vëzhguesi ka mbetur vetëm, ai fillon të vëzhgojë veten – sepse kjo është natyra e tij, të shohë. Dhe të shikosh veten është një gjë shumë e madhe në jetën e kujtdo. Çdo gjë tjetër ndodh përmes saj – lumturi, qetësia, paqe, ekstazë dhe më në fund duke kaluar përtej të gjitha këtyre përvojave mbetesh vetëm në një vetëdije të pastër. Ata që kanë arritur atë gjendje të pastër kanë përmbushur misionin e jetës njerëzore.