Pyetje: Ne jetojmë por nuk e dimë pse. Për shumë prej nesh, jeta duket sikur nuk ka kuptim. A mund të na tregoni kuptimin dhe qëllimin e jetës sonë?
Krishnamurti: Përse po e bën këtë pyetje? Përse po më kërkon të të tregoj kuptimin jetës? Çfarë kuptojmë ne me jetë? A ka jeta ndonjë kuptim, ndonjë qëllim? Përse ne kërkojmë më shumë? Sepse ne jemi të pakënaqur me jetën tonë, jeta jonë është kaq e zbrazët, kaq e pa vlerë, kaq monotone, duke bërë gjithmonë të njëjtën gjë sërish e sërish, saqë ne duam diçka më tepër, diçka përtej asaj që ne po bëjmë. Meqë jeta jonë e përditshme është kaq e zbrazët, kaq e plogësht, kaq e pakuptimtë, kaq e mërzitshme dhe në mënyrë të patolerueshme kaq pa vlerë, ne themi se jeta duhet të ketë një kuptim më të thellë dhe kjo është arsyeja pse ti po ma bën këtë pyetje.
Vështirësia jonë qëndron në faktin që meqë jeta jonë është boshe, ne duam të gjejmë një qëllim për jetën dhe të luftojmë për të. Ky lloj qëllimi për jetën nuk mund të jetë veçse arsyetim i thjeshtë, pa ndonjë realitet; kur qëllimi i jetës ndiqet nga një mendje idiote, e lodhur, nga një zemër e zbrazët, ai qëllim do të jetë gjithashtu i zbrazët. Prandaj qëllimi ynë është se si ta bëjmë jetën të pasur, jo me para apo me gjëra të tjera si këto, por brendësisht të pasur – një gjë që nuk është diçka e fshehtë. Kur ju thoni se qëllimi i jetës është të jesh i lumtur, qëllimi i jetës është të gjesh Zotin. Sigurisht që dëshira për të gjetur Zotin do të thotë t’ia mbathësh nga jeta dhe zoti yt është thjesht një gjë që është e njohur.
Realiteti mund të kuptohet vetëm duke jetuar, jo duke u shmangur prej tij. Kur ti ndjek një qëllim në jetë, je pikërisht duke u shmangur dhe duke mos kuptuar se çfarë është jeta. Jeta është një marrëdhënie, jeta është veprim në marrëdhënie. Kur unë nuk e kuptoj ç’është marrëdhënia, ose kur marrëdhënia është konfuze, atëherë unë kërkoj një kuptim më të plotë. Pse jetët tona janë kaq të zbrazëta? Përse ne jemi kaq të vetmuar dhe të pakënaqur? Sepse ne kurrë nuk kemi parë brenda vetes sonë dhe nuk e kemi kuptuar atë. Ne kurrë nuk e pranojmë para vetes tonë se kjo jetë është gjithçka që ne dimë dhe që si e tillë ajo duhet kuptuar mirë dhe plotësisht. Ne preferojmë të largohemi nga vetja jonë dhe kjo është arsyeja pse ne e kërkojmë qëllimin e jetës larg marrëdhënies. Nëse ne fillojmë të kuptojmë veprimin, i cili është marrëdhënia jonë me njerëzit e tjerë, me pronat, me besimet dhe idetë, atëherë ne do të shohim se vetë marrëdhënia sjell shpërblimin e saj.
Ju nuk keni pse të kërkoni. Është njësoj si të kërkosh dashurinë. A mund ta gjeni ju dashurinë duke e kërkuar atë? Dashuria nuk mund të kultivohet. Ju do e gjeni dashurinë vetëm në marrëdhënie, jo jashtë tyre dhe ne kërkojmë një qëllim në jetë për shkak se nuk kemi dashuri. Kur ka dashuri, e cila është e përjetësia e vetes së vet, atëherë nuk ke pse të kërkosh Zotin, sepse dashuria është Zoti Çështjet teknike dhe supersticionet që mbushin mendjet tona janë shkaku pse jetët tona janë kaq boshe dhe pse ne kerkojmë një qëllim përtej vetes sonë. Për të gjetur qëllimin e jetës, ne duhet të kalojmë përmes derës së vetes tonë; me vetëdije ose pavetëdije ne i shmangim gjërat ashtu siç janë në vetvete dhe në këtë mënyrë kërkojmë që Zoti të na hapë një derë që është përtej. Kjo pyetje përreth qëllimit të jetës shtrohet vetëm nga ata që nuk dashurojnë. Dashuria mund të gjendet vetëm në veprim, i cili është marrëdhënie.
Konfuzioni i mendjes
Pyetje: Unë i kam dëgjuar të gjitha bisedat tuaja dhe i kam lexuar të gjithë librat tuaj. Me shumë sinqeritet ju pyes, çfarë mund të jetë qëllimi i jetës sime nëse, ashtu si thoni ju, të gjitha mendimet duhet të ndalojnë, të gjitha njohurive tu jepet fund, e gjithë kujtimet të humbasin? Si e lidhni ju atë lloj gjendjeje, çfarëdo që ajo mund të jetë sipas jush, me botën ku ne jetojmë? Çfarë lidhje ka kjo lloj gjendje me ekzistencën tonë të trishtuar dhe të dhimbshme?
Krishnamurti: Ne duam të dimë se çfarë është ajo gjendje e cila mund të ndodhë vetëm kur e gjithë njohuria dhe ai që njeh nuk janë më; ne duam të dimë se çfarë marrëdhënie ka kjo gjendje me botën e aktiviteteve tona të përditshme, me kërkimet tona të përditshme. Ne dimë se çfarë është jeta jonë tani- e trishtueshme, e dhimbshme, frikë e vazhdueshme, asgjë e qëndrueshme; ne e dimë këtë shumë mirë. Ne duam të dimë çfarë marrëdhënie kjo gjendje tjetër ka me atë – dhe nëse ne e lëmë mënjanë njohurinë dhe bëhemi të lirë nga kujtimet tona e kështu me radhë, cili është qëllimi i ekzistencës? Cili është qëllimi i ekzistencës ashtu siç e njohim ne tani? – jo teorikisht por aktualisht? Cili është qëllimi i ekzistencës sonë të përditshme? thjesht të mbijetojmë apo jo? – me gjithë mjerimin e saj, me gjithë hidhërimin dhe konfuzionin, luftërat, shkatërrimin e me radhë. Ne mund të shpikim teori, ne mund të themi: ‘’Kjo nuk duhet të jetë, por diçka tjetër duhet të jetë’’.
Por këto janë të gjitha teori, nuk janë fakte. Ajo që ne njohim është dhimbja, konfuzioni, vuajtja, antagonizma pa fund. Nëse jemi të vetëdijshëm, ne dimë gjithashtu se si kjo ndodh. Qëllimi i jetës tonë, nga momenti në moment, çdo ditë, është të shkatërrojmë njëri-tjetrin, të shfrytëzojmë njëri-tjetrin, qoftë individë qoftë grupe njerëzish. Në vetminë tonë, në mjerimin tonë, ne përpiqemi të përdorim të tjerët, ne përpiqemi të largohemi nga vetja jonë nëpërmjet argëtimeve, nëpërmjet zotave, nëpërmjet njohurive, nëpërmjet çdo lloj forme besimi, nëpërmjet identifikimit.
Pra të vetëdijshëm ose jo, kështu si jetojmë ne sot, qëllimi ynë është ky. A ka një qëllim më të gjerë, më të thellë përtej kësaj, një qëllim që nuk ka të bëjë me konfuzionin dhe me përvetësimin? A ka kjo gjendje mos sforcimi, me jetën tonë të përditshme? Sigurisht që nuk ka asnjë lidhje me jetën tonë. E si mund të ketë? Nëse mendja ime është konfuze, në agoni, e vetmuar, si mundet ajo të lidhet me diçka që nuk është e saj? Si mund të lidhet e vërteta me gënjeshtrat, me iluzionin?
Ne nuk duam ta pranojmë këtë, sepse shpresa jonë dhe konfuzioni, na bëjnë të besojmë në diçka më të madhe, më fisnike, për të cilën ne themi se është e lidhur me ne. Në dëshpërimin tonë ne kërkojmë të vërtetën, duke shpresuar se në zbulimin e saj, dëshpërimi ynë do të zhduket. Pra mund të shohim se një mendje konfuze, një mendje e udhëhequr nga hidhërimi, një mendje që është e vetëdijshme për zbrazëtinë dhe vetminë e saj, nuk mund ta gjejë kurrë atë që ekziston përtej saj. Ajo që është përtej mendjes mund të vijë në jetë vetëm kur shkaqet e konfuzionit dhe trishtimit janë shpërndarë ose kuptuar. Gjithçka që unë kam thënë dhe diskutuar, është se si ta kuptojmë ne veten tonë, sepse pa vetë-dije pjesa tjetër nuk është tjetër veç një iluzion. Nëse ne do mund të kuptojmë të gjithë procesin e vetes sonë, nga momenti në moment, do të shohim se duke u pastruar konfuzioni, pjesa tjetër fillon dhe shfaqet.
Dhe duke e provuar si eksperiencë, ajo do të ketë një lidhje me këtë. Por e vjetra nuk do të ketë kurrë një relacion me anën e re. Si mundet dikush të provojë eksperiencën e dritës, e lirisë, duke qenë në errësirë? Por njëherë që ndodh eksperienca e të vërtetës, atëherë ju mund ta lidhni atë me këtë botë në të cilën ne jetojmë. Nëse ne kurrë nuk e kemi provuar ç’është dashuria, por njohim vetëm trishtim, konflikt, grindje të vazhdueshme, si mund ta provojmë atë dashuri e cila nuk bën pjesë tek e gjithë kjo? Por kur e kemi provuar një herë dashurinë, atëherë nuk kemi pse të shqetësohemi për të zbuluar marrëdhënien.
Vetëm atëherë dashuria, inteligjenca, funksionojnë. Por për të provuar atë gjendje, e gjithë dituria, kujtimet e grumbulluara dhe aktivitetet e vetë-identifikimit, duhet të ndalen, që mendja të mos jetë e aftë për të projektuar sensacione. Eksperienca e saj, krijon veprim në këtë botë. Sigurisht që ky është qëllimi i ekzistencës – të shkojë përtej aktivitetit të vetëpërqendruar të mendjes. Të provosh një gjendje e cila është e pamatshme për mendjen, vetë eksperienca e saj, çon në një revolucion të brendshëm.
Nëse ka dashuri, nuk ka probleme sociale. Nuk ekziston asnjë lloj problemi kur ka dashuri. Për shkak se nuk dimë si të duam ne kemi probleme sociale dhe sisteme filozofike se si të zgjidhim problemet tona. Unë them se këto probleme kurrë nuk mund të zgjidhen nga ndonjë sistem, qoftë ai i majtë, i djathtë apo i qendrës. Konfuzioni ynë, mjerimi ynë, vetë-shkatërrimi ynë mund të zgjidhen vetëm duke përjetuar atë gjendje e cila nuk është e vetë-projektuar.