Vizioni i Oshos

Vizioni i Oshos është pa dogma ose doktrina. Në të nuk ka vend për besimtarë ose ndjekës. Nëse një fjalë ose sugjerim nga Osho ju thërret me forcë, merreni atë si një hipotezë pune derisa qenia juaj ta përjetojë vetë dhe t’ju çojë në një nivel tjetër më të lartë vetëdijeje dhe më të thellë kuptimi. Secili nga ne duhet të krijojë rrugën e vetë unike, drejt rritjes shpirtërore, derisa të bëhet plotësisht i vetëdijshëm.

Osho – Puna ime konsiston t’ju mësoj si të jetoni dhe si të vdisni, si të jeni të gëzuar dhe si të trishtoheni; si të shijoni rininë tuaj dhe si të shijoni pleqërinë, si të shijoni shëndetin tuaj dhe si të shijoni sëmundjet tuaja. Unë po ju mësoj tërësinë e ekzistencës. Nëse unë ju mësoj vetëm se si të shijoni shëndetin tuaj, gëzimin dhe jetën tuaj dhe pjesa tjetër lihet pas dore, atëherë unë ju mësoj diçka që do të krijojë një ndarje tek ju.

Mos zotëroni. Mos mbani asgjë dhe mos u kapni pas gjërave. Lërini gjërat të vijnë dhe të ikin. Lejoni që gjërat të kalojnë nëpërmjet jush dhe rrini gjithmonë të disponueshëm. E gjithë kjo ka një bukuri të madhe. Trishtimi do t’ju sjellë thellësi, po aq sa gëzimi juaj. Vdekja juaj do t’ju sjellë dhurata të mëdha, sa vetë jeta. Vetëm atëherë njeriu e kupton se e gjithë kjo ekzistencë është e tij: netët dhe ditët, verërat dhe dimrat – të gjitha janë të tijat. Duke qenë të prekshëm, të hapur dhe të relaksuar, ju bëheni një mjeshtër.

Gjëja më e madhe për të mësuar nuk është të mbash të lidhur diçka si: dashurinë tënde, gëzimin tënd, trupin tënd ose shëndetin tënd. Shijoni gjithçka – shëndetin, trupin, dashurinë, gruan ose burrin tuaj – por mos u lidhni…. Nëse diçka është në dispozicionin tuaj, shijojeni. Kur ajo ikën, le të ikë me mirënjohje – mirënjohje për gjithçka që ka bërë për ju, pa asnjë mëri dhe pa asnjë ankesë. Bëni këtë dhe do të njihni gëzimet më të mëdha të jetës dhe të vdekjes, të dritës dhe të errësirës, ​​të qenies dhe të jo-qenies.

Jepini jetë gjërave që janë të bukura. Mos i jepni jetë gjërave të shëmtuara. Ju nuk keni shumë kohë, shumë energji për të humbur. Me një jetë kaq të vogël, me një burim kaq të vogël energjie, është thjesht marrëzi ta harxhosh atë në trishtim, në zemërim, në urrejtje, në xhelozi. Përdoreni atë në dashuri, përdoreni atë në ndonjë akt krijues, përdoreni atë në miqësi, përdoreni atë në meditim; bëni diçka me të që t’ju ngrejë më lart. Dhe sa më lart të shkoni, aq më shumë burime të energjisë bëhen të disponueshme për ju.

Në pikën më të lartë të vetëdijes, ju jeni pothuajse një zot. Por atë moment ne nuk e lejojmë të na ndodhë. Ne vazhdojmë të biem poshtë në hapësira të errëta dhe më të errëta ku ne vetë bëhemi gati të vdekur që jetojnë. Është në duart tuaja. Vigjilenca është mënyra më e shkurtër. Nuk duhen jetë për ta arritur atë. Nuk ka nevojë për kohëzgjatje por për intensitet dëshire, në mënyrën se si ndjeni etjen; kur ndiheni të etur për të vërtetën – sikur të jetë çështje jete a vdekje. Vendosni tërë energjinë tuaj në këtë moment dhe dera është e detyruar të hapet. Dhe mos harroni kurrë mos mendoni për hile sepse nuk mund të arrini askund përmes mashtrimeve sa i përket realitetit.