Miq me ëndrrat

Miq me ëndrrat

Na ndiqni në rrjetet sociale

Ju duhet të mësoheni të bëheni mik me ëndrrat tuaja. Ëndrrat janë një komunikim i pavetëdijes. E pavetëdijshmja dëshiron të të thotë diçka. Analiza nuk është e nevojshme sepse nëse ju analizoni ëndrrat, atëherë vetëdija bëhet Masteri. Përpiqet të copëtojë, të analizojë dhe t’i japë kuptime të cilat nuk janë të të pavetëdijes. E pavetëdijshmja përdor gjuhë poetike. Kuptimi është shumë delikat. Nuk mund të gjendet me analiza. Mund të gjendet vetëm nëse ju mësoni gjuhën e ëndrrave. Pra, hapi i parë është të bëhesh mik i ëndrrave.

Për shembull, ti sheh ëndrrën tënde. Mëngjesin tjetër, ulu për një orë dhe rikujto ëndrrën i vetëdijshëm, pa u përpjekur për ta analizuar. Kjo nuk do të thotë që ti nuk shqetësohesh për kuptimin. Cili është kuptimi i një trëndafili? Trëndafili në vetvete është kuptimi. Nuk është një simbol për diçka tjetër. Është një simbol për vetveten. Cili është kuptimi i yjeve natën? Asgjë. Ata janë kuptimi i vetvetes. Kuptimi është i brendshëm. Kështu që, shijoje, dhe kënaqu me të. Kënaqu me ëndrrën në mënyrë të vetëdijshme.

Përjetoje ëndrrën tënde

Sa më afër ti afrohesh, aq më shumë e vetëdijshmja dhe e pavetëdijshmja fillojnë të shkrihen me njëra-tjetrën. Kjo është një eksperiencë e shkëlqyer. Ti për herë të parë, ndihesh, një. Kjo është yoga- të bëhesh një. Ti ndien unitetin që shtohet. Asnjë pjesë e qenies tënde nuk është e mohuar. Ti ke pranuar tërësinë tënde. Ti po fillon të bëhesh një i tërë.

Dalëngadalë, e pavetëdijshmja bëhet e vetëdijshme dhe e vetëdijshmja bëhet e pavetëdijshme. Ato të dyja bëhen një. Dhe është një ndër simfonitë më të bukura kur e pavetëdijshmja bëhet e vetëdijshme dhe e vetëdijshmja bëhet e pavetëdijshme. Kjo do të thotë se mendja jote mashkullore dhe mendja jote femërore po shkojnë drejt një orgazme të thellë. Kjo do të thotë se mashkullorja jote dhe femërorja jote, Yin dhe Yang po takohen. Një energji e madhe lind. Një energji e madhe çlirohet. Dhe më pas, ti nuk je më mashkull apo femër, sepse mashkulli është vetëdija dhe femra është pavetëdija brenda teje. Dhe te një femër është e kundërta.

Kështu që, lejoje që të ndodhë. Zakonisht ne jemi edukuar ti mohojmë. Një mashkull është edukuar të jetë thjesht mashkull dhe kurrë të mos jetë si femër. Një mashkull është mësuar të jetë gjithmonë i vetëdijshëm,

racional, dhe logjik, kështu që ne kemi mohuar të palogjikshmen, irracionalen. Për shkak të këtij mohimi, ne kemi hedhur shumë prej qenies sonë në errësirë. Ja pra çfarë është e pavetëdijshmja. Dhe e pavetëdijshmja është burimi ynë i jetës. Është vendi ku ne kemi rrënjët tona. Është toka jonë.

Pra, çdo herë që mendja juaj është duke diçka që shkon kundër natyrës suaj, e pavetëdijshmja ju jep juve mesazhin – në fillim butësisht, por nëse ju nuk dëgjoni e jep në formë të tmerrshme. Më pas bëhet e dhunshme, e acaruar, sepse ti po lëviz drejt rrezikut, ndaj duhet të bëhet e dhunshme dhe shqetësuese. Ankthi nuk është gjë tjetër veçse britma e të pavetëdijshmes, një e qarë dëshpërimi që ti je duke shkuar shumë larg dhe që ti po humb gjithë qenien tënde. Kthehu në shtëpi! Është njësoj sikur një fëmijë të humbasë në pyll, dhe e ëma të ulërasë e thërrasë emrin e fëmijës. Kjo është ekzaktësisht ajo çfarë një gjendje ankthi është. Kështu që, fillo të bëhesh mik i ëndrrave të tua

Për tre javë, largoji gjithë barrierat mes teje dhe vetëdijes ëndërruese. Është e vetëdija jote. Është një dimension tjetër, por është i yti dhe ti duhet ta korrigjosh. Nuk është vetëdije e zakonshme. Është shumë domethënëse – shumë më domethënëse sesa vetëdija jote e zgjimit – sepse në ëndrrat e tua ti je më afër qenies tënde sesa në gjendje zgjimi. Në ëndrrat e tua je më afër dhe në gjumë akoma më afër. Në samadhi, ti shkon në qendër. Në Indi ne kemi katër gjendje të vetëdijes: vetëdija e zgjimit më e largëta; vetëdija e ëndrrës pak më afër; vetëdija e gjumit akoma më afër dhe turia gjendja e katërt për të cilën nuk ka emër.

E katërta është një takim i madh, bashkim i gjumit me zgjimin. Deri diku, është si gjumi, absolutisht i qetë, pa asnjë shqetësim prej mendimeve. Në një mënyrë tjetër, është si të zgjohesh – krejtësisht i vetëdijshëm. Kjo është ajo që ne quajmë “Vetëdija e Zotit”. Por, për të shkuar më tej duhet së pari të jesh mik me gjumin tënd dhe vetëm atëherë ti mund të jesh i aftë, gradualisht, të arrish gjendjen e katërt

Kështu që, për tre javë puno me të. Duaji ëndrrat e tua. Të mira, të këqija, mos i vlerëso, mos i gjyko. Madje as mos e përdor edhe fjalën ‘ankth’, sepse është pikërisht ajo fjalë ajo që ne kemi mohuar. Thjesht duaji ëndrrat e tua, afroju atyre, mëso gjuhën e mesazheve të tyre, ndiej për to, dhe lejoji të shfaqen. Pak nga pak, ato do të bëhen guximtare. Kur ti i lejon ato, ato do të jenë gati. Një ditë, ti befas do të shohësh se ti je i ulur plotësisht i zgjuar dhe një ëndërr është hapur. Atëherë ti do ta kujtosh shumë mirë sepse je plotësisht vigjilent. Ti mund te shohësh të gjithë qoshet dhe rrugët dhe mund të depërtosh në thellësitë e tyre

Vështrim i vetëdijshëm

Është thjesht e mrekullueshme të shohësh një ëndërr, plotësisht i vetëdijshëm, por është e mundur vetëm kur ti je në simpati të thellë me ëndrrën. Nëse ti je antagonist, ajo fshihet. Kjo pjesë e mohuar duhet të ripërsëritet. Kjo pjesë e humbur duhet rifituar. Dhe kujtohu. Mos analizo. Thjesht kënaqu me poezinë e saj, me ngjyrat e saj, fantazinë e saj. Mos analizo.Është njësoj si të shohësh një pikturë të Pikasos. Kjo është vetëdije ëndërruese. Kjo është ajo çka Pikaso nuk mund t’ju thotë, çfarë kuptimin i saj është. S’ka asnjë kuptim. Nuk simbolizon asgjë – ajo vetë është simboli. Ose e kupton drejtpërdrejtë ose thjesht nuk e kupton atë. Është si një shaka. Dikush të tregon një shaka dhe ti thua, “E humba fillin; të lutem ma shpjego. Unë do t’ju them pse. Nëse një person shpjegon shakanë, shakaja shkatërrohet. Nëse ti e kap, e kap. Nëse s’e kap s’e kap, të lutem mos pyet për kuptimin, sepse nuk është kjo mënyra për të kuptuar një shaka.

Ji me ëndrrat e tua

Kur ti sheh një ëndërr që duket e rëndësishme – mund të jetë e dhunshme, e frikshme, por nëse ti vëren ndonjë rëndësi në të – atëherë, në mëngjes para se të harrosh ëndrrën, ulu në shtrat, mbylli sytë; ose edhe në darkë nëse zgjohesh, ulu në shtrat, dhe bëhu mik i ëndrrës tënde. Thjesht thuaji ëndrrës, “ Jam me ty dhe jam gati të vij te ty. Më udhëhiq kudo që të duash të më udhëheqësh; jam i gatshëm.” Thjesht dorëzoju ëndrrës. Mbylli sytë dhe lëviz me të, shijoje; lëre ëndrrën të shpaloset. Ti do të habitesh se çfarë thesari fsheh një ëndërr dhe ti do të shohësh se ajo shpaloset më tej

Mos u shpërqendro nga analizat; mos krijo asnjë ndërhyrje. Mos u përpiq ta manipulosh atë, sepse nëse e manipulon, do të humbasësh mesazhin e saj. Thjesht shko me të kudo që ajo të shkojë dhe do të habitesh se edhe kur je plotësisht i vetëdijshëm, ëndrra fillon të shpaloset, me gjithë ngjyrat dhe me të gjithë paqartësinë e misteret e saj. Shko me të dhe kur ëndrra të mbarojë, shko të flesh. Mos u përpiq të mendosh me vetëdije rreth saj. Kjo është ajo që unë quaj të jesh mik i ëndrrës

Pak nga pak, do të shohësh që ti dhe pavetëdija jote po afroheni gjithnjë edhe më shumë. Sa më afër të jesh, më pak ëndrra do të shohësh, sepse atëherë nuk do të kesh më nevojë për ëndrra. Pavetëdija mund t’i dërgojë mesazhet e saj edhe kur ti je zgjuar. Nuk është e më e nevojshme për ëndrrën të presë kur ti të jesh në gjumë. Mund të t’i dërgojë mesazhet e saj në çdo moment.

Close Menu
error: Përmbajtja nuk mund të kopjohet