You are currently viewing Trupi dhe mendjet e ndryshme

Trupi dhe mendjet e ndryshme

Na ndiqni në rrjetet sociale

Në mesin e shumë iluzioneve që na ndikojnë thellësisht dhe na mbajnë në atë gjendje të veçantë të përditshme të vetëdijes, të cilën ne e konsiderojmë si vetëdije të plotë dhe e cila është në të vërtetë gjumë ose e ashtuquajtur vetëdije zgjimi, është iluzioni se kemi një mendje. Ne i konsiderojmë të vetëdijshme funksionet e kësaj mendjeje. Duke imagjinuar që kemi një mendje dhe që funksionet e kësaj mendje janë të vetëdijshme, ne e keqkuptojmë plotësisht veten dhe kështu keqkuptojmë plotësisht çdo njeri tjetër. Kur u dha për herë të parë ky mësim u tha: “Dua t’ju sqaroj se aktiviteti i makinës njerëzore – domethënë i trupit fizik” kontrollohet jo nga një, por nga disa mendje, plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra, duke pasur funksione dhe sfera të ndara në të cilat manifestohen. Kjo duhet kuptuar para së gjithash, sepse nëse nuk kuptohet kjo asgjë tjetër nuk mund të kuptohet.

Ato që ne i quajmë ndjenja janë gjithashtu shfaqja e një mendje të ndryshme nga ajo që mendon dhe ndjenjat kanë një vlerë njohëse – domethënë duke e thënë në një mënyrë tjetër, ju mund të dini përmes një ndjenje diçka që nuk mund ta njihni përmes një mendimi – domethënë përmes mendjes që mendon. Të njohësh me atë që ne zakonisht e quajmë mendje dhe të njohësh me ndjenjat janë dy lloje krejtësisht të ndryshme të njohjes. Një njeri i cili beson vetëm atë mendje të quajtur të menduar ose mendje intelektuale mund të formojë shumë teori intelektuale për atë që është absolutisht e drejtë ose e gabuar. Por përfundimet e mendjes intelektuale mund të kundërshtohen plotësisht nga ajo mendje, funksionet e së cilës i përkasin ndjenjës. Intelektualisht, unë mund të dëshmoj me veten time se një gjë apo këndvështrim i tillë është i drejtë.

Por kur jam i vetëdijshëm për çdo ndjenjë në lidhje me çështjen, unë mund të mos jem aq i sigurt dhe duhet të modifikoj punën e një mendje duke punuar me një mendje tjetër, të quajtur ndjenjë. Ju mund të shihni forcën e iluzionit që ne kemi vetëm një mendje çdo ditë. Le të marrim mendjet e ndryshme tek Njeriu që në periudha të ndryshme mund të kontrollojnë makinën njerëzore – domethënë trupin, i cili është aparati i dukshëm për mendjet e padukshme dhe kështu paraqitja e dukshme e mendjeve të ndryshme si ajo e të folurit, intonacioni, lëvizja, shprehja, pozicionet dhe veprimi. Njeriu, konsiderohet si shtëpi 3-katëshe që në secilin kat ka qendra të ndryshme. Çdo qendër është një mendje e veçantë. Çdo qendër, d.m.th një mendje ndryshe, e shikon të njëjtin problem në mënyrë komplet të ndryshme.

Në një rast, duke folur për këtë, Z. Ouspensky tha, “Njeriu është si një shtëpi me dritare që hapen në të gjitha anët. Ti shikon përmes një dritareje që drejtohet drejt jugut dhe pastaj përmes një dritareje nga veriu, pastaj në lindje, e pastaj në perëndim. Ju besoni se vetëm pamja e gjërave që merrni nga shikimi në jug mund të jetë e vërtetë – e vërteta siç e quajmë ne. Por, duke parë një dritare që është nga veriu, ju shihni një aspekt krejt tjetër dhe më pas mendoni se kjo duhet të jetë e vërteta, etj. Në fakt, një njeri i ekuilibruar, i cili mund të përdorë të gjitha qendrat e zakonshme, mund të shohë sikur të ishte duke parë prej të gjitha dritareve. Ai e kupton të vërtetën si të transmetuar veçmas nga secila dritare dhe më pas të bashkuar në një pamje të tërë duke ‘rilidhur’.

Ekzistojnë tre lloje të Njeriut Mekanik (njeriut në gjumë). I pari ka qendrën e tij të gravitetit në Qendrën Instiktive dhe Lëvizëse. I dyti ka qendrën e tij të gravitetit në Qendrën Emocionale. I treti ka qendrën e tij të gravitetit në Qendrën Intelektuale. Secili prej tyre shikon vetëm nga një anë dhe në mënyrë subjektive. Janë njerëz mekanikë, të njëanshëm, që përpiqen të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të bien dakord. Njëri është duke parë pamjen, të themi, nga dritarja e jugut, tjetri nga dritarja e veriut etj. Si mund të bien dakord? Secili përdor vetëm një mendje dhe kështu sheh gjithçka ndryshe nga të tjerët. Zhvillimi i Njeriut – zhvillimi i brendshëm i mundshëm për të cilin bëhet fjalë tek të gjithë mësimet ezoterike – mund të fillojë me zhvillimin e mëtejshëm të vetëm një qendre. Njeriu nr.1 psh, njeriu që lëviz me instinkt — duhet ti nënshtrohet një disipline të vështirë për të dominuar Vullnetin mbi Qendrat Instiktive dhe Lëvizëse. Kjo quhet “Rruga e Fakirit”.

Njeriu nr.2 – Njeriu Emocional – duhet t’i nënshtrohet një disipline të vështirë për të dominuar Vullnetin mbi emocionet e tij. Kjo quhet “Rruga e Murgut”. Njeriu nr.3 duhet t’i nënshtrohet një disipline të vështirë për të kontrolluar Qendrën Intelektuale. Kjo quhet “Rruga e Jogit”. Këto janë 3 rrugët. Por ekziston një rrugë e 4-t. Gjithë mësimi ka të bëjë me rrugën e 4-t. Në Rrugën e 4-t, e cila ndeshet rrallë dhe hyn në botë vetëm para se të ndodhi ndonjë krizë, puna bëhet në të gjitha qendrat në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë, që një njeri në Rrugën e 4-të kërkon të arrijë nivelin e Njeriut të Balancuar ose Njeriut Nr. 4. Ai kërkon të përdorë dhe të mësojë se si të kontrollojë jo një qendër, por tre qendra – domethënë, Qendrën Intelektuale, Qendrën Emocionale dhe Qendrën e Instinkt-Lëvizjes. Për momentin le ta lëmë çështjen e kontrollit të Qendrës Seksuale, përveç se mund të thuhet se pa u bërë të vetëdijshëm në tre qendrat e tjera, duke realizuar atë që duhet dhe atë që kërkohet në rrugën e forcës, mbetet e pamundur të kuptohet se si të lidhësh në mënyrën e duhur manifestimet e Qendrës Seksuale. Këtu flitet për balancim të forcave. Një qendër mund të marrë shumë forcë.

Kemi, pra, një sistem mësimi që fillon me studimin dhe vëzhgimin e 3 qendrave, Intelektuale, Emocionale dhe Lëvizëse-Instiktive. Pra fillohet me vëzhgimin e mendimeve dhe emocioneve ose ndjenjave mjaft të dallueshme. Një nga gjërat e para të mësuara është se një njeri, duhet të vëzhgojë që ekzistojnë qendra të ndryshme brenda tij dhe se ai nuk është i njëjti person. Ai duhet të fillojë me vetë-vëzhgimin që të bëhet i vetëdijshëm për mendimet dhe ndjenjat e tij dhe të dijë qartë nëse po mendon apo po ndjen. Thjesht të ndjeni gjithçka, kur është e nevojshme të mendoni, është e gabuar. Thjesht të mendosh kur është e nevojshme të ndjehet gjithashtu është gabim.

Të mendosh dhe të ndjesh pa u koordinuar nga Qendra e lëvizjes gabim. Të veprosh pa menduar ose ndjerë është e gabuar. Ne kemi nevojë të jetojmë me më shumë vetëdije dhe kjo kërkon vetë-vëzhgim të brendshëm i cili çon në vetënjohje. Të kuptosh me anë të vëzhgimit të brendshëm dhe vetëdijes që njeriu nuk është një mendje, por për të filluar, të paktën tre mendje, ndryshon mjaftueshëm pamjen tonë të vetvetes – domethënë, fillon të na zgjojë. Balancimi i të gjitha mendjeve të ndryshme, fillon punën e transformimit të Qenies. Fillon me mosidentifikimin me një këndvështrim, me një pikëpamje, me një qendër. Kjo është punë e vështirë dhe kërkon një periudhë të gjatë. Por ajo çon në drejtimin e vërtetë, të lindur të Njeriut – pra zhvillimin e brendshëm.

Njeriu është një eksperiment në këtë planet. Ai u krijua një organizëm vetë-zhvillues, në dallim nga kafshët dhe bimët të cilave u jepet jeta përmes mendjes së Qendrës Instinktive. Njeriu si qenie 3-katëshe ka një detyrë të caktuar të brendshme, për të cilën është folur në forma të ndryshme, fetare ose të tjera, që nga fillimi i historisë. Kjo detyrë është zhvillimi i brendshëm. Kjo punë, e cila nuk mund të jepet si dhuratë, ka të bëjë me atë që duhet bërë, çfarë përpjekje janë të nevojshme, çfarë lejohet në lidhje me këtë mundësi të brendshme të destinuar nga Krijimi, ku një njeri, duke ndjekur me praktikë mësimet e kësaj Pune, përfundimisht mund të arrijë në gjendjen ku dy Qendrat e Larta (ose mendjet) fillojnë të ndikojnë drejtpërdrejt tek ai. Më pas ai kalon nën një kontroll që përmbush kuptimin e tij të lindur dhe nuk i shërben më natyrës verbërisht, siç bën njerëzimi i sotëm në gjumë. Ai është zgjuar.

Për t’u zgjuar nga gjumi: (1) një burrë, një grua, duhet të kuptojë se ata janë në gjumë dhe se nuk janë të vetëdijshëm për veten dhe (2) ata duhet të shohin se gjendja e Qendrës së tyre emocionale është shumë e keqe – domethënë që ata nuk njohin asgjë përveç se emocione negative – domethënë ndjenja pakënaqësie, xheloze, të hidhura ose thjesht të pakëndshme. Për praktikën e Vetë-Kujtimit shumë është thënë dhe do të thuhet. Pastrimi i gjendjes së zakonshme të Qendrës Emocionale – domethënë ndarja nga gjendjet negative të ndjenjës dhe shumë gjëra të pakëndshme shoqëruese – përsëri është një temë në mësimin e kësaj pune, për të cilën, megjithëse flitet shpesh, duhet të bëhet një fakt kaq i vërtetë dhe mirëfilltë, sa që përfundimisht mund të mbahet mend dhe të kuptohet pa ju kujtuar vazhdimisht. Asnjë zhvillim i brendshëm, asnjë arritje e brendshme, nuk është e mundur nëse një njeri nuk praktikon vetëkujtimin dhe mosidentifikimin me gjendjet negative.

Aktiviteti i makinës njerëzore – domethënë i trupit fizik” kontrollohet jo nga një mendje por nga disa mendje, plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra dhe që kanë funksione dhe sfera të veçanta në të cilat ato manifestohen. Kjo duhet të kuptohet së pari, sepse, nëse kjo nuk kuptohet, asgjë tjetër nuk mund të kuptohet. Ju e konceptoni veten si një mendje që kontrollon trupin dhe kurrë nuk keni menduar se keni më shumë. Në fakt, ju keni shtatë mendje. Këto mendje veprojnë përmes shtatë qendrave tek njeriu dhe mund të kontrollojnë punën e trupit fizik. Së pari: ne kemi pesë, mendje të zakonshme, që veprojnë përmes pesë qendrave të zakonshme: Mendja Intelektuale që vepron përmes Qendrës Intelektuale, Mendja Emocionale që vepron përmes Qendrës Emocionale, Mendja Seksuale që vepron përmes Qendrës Seksuale, Mendja e Lëvizjes që vepron përmes Qendrës së lëvizjes, Mendja Instiktive që vepron përmes Qendrës Instiktive.

Dhe së dyti, ne kemi dy super mendje me të cilat nuk jemi në kontakt, përveç në rrethana të jashtëzakonshme kur Personaliteti është pasiv. Këto mendje janë: Mendja më e Lartë Emocionale që vepron përmes Qendrës së Lartë Emocionale dhe Mendja më e Lartë Mendore që vepron përmes Qendrës më të Lartë Mendore. Këto dy qendra të fundit flasin secila në një gjuhë të veçantë që nuk kuptohet nga qendrat e ulëta. Kjo është arsyeja pse ne themi, që shumë kompozime të çuditshme mund të kuptohen vetëm psikologjikisht dhe nuk kanë asnjë kuptim nëse merren fjalë për fjalë. Ne duhet të kuptojmë se mendje të ndryshme na kontrollojnë dhe nëse ne nuk mund ta kuptojmë këtë nuk mund të kuptojmë asgjë për veten tonë. Për të filluar, ne duhet të vëzhgojmë qendrat në veten tonë dhe të vërejmë se si ato punojnë në sfera krejt të ndryshme dhe si i shohin gjërat krejt ndryshe. Mendja Intelektuale i sheh gjërat krejt ndryshe nga Mendja Emocionale, Mendja Seksuale i shikon gjërat krejt ndryshe nga mendja emocionale dhe nga mendja intelektuale, etj.

Në fakt tre qendrat në ndarjen më të ulët të makinës njerëzore nuk kanë nevojë të jenë të kundërta dhe mund të kombinohen dhe kështu të formojnë një treshe. Kjo do të thotë, Forca Aktive, Forca Pasive dhe Forca Neutralizuese mund të zhvillohen secila në bashkëpunim me Qendrën e Seksit, Qendrën lëvizëse dhe Qendrën Instiktive. Por duhet theksuar se kjo nuk vlen për qendrat e tjera dhe se mësimi siç na është dhënë deri më tani flet vetëm për Qendrën e Seksit, Qendrën lëvizëse dhe Qendrën Instiktive si të afta për të formuar një treshe duke mos qenë e kundërta – d.m.th. duke qenë në gjendje të kombinohen në mënyrë të tillë që secila të drejtojë njërën ose tjetrën nga tre forcat.

Çdo qendër ka sferën e vet të veprimtarisë — p.sh. puna që Qendra lëvizëse mund të bëjë është krejt e ndryshme nga ajo e Qendrës Intelektuale. Është e mundur të vëzhgosh që kur je në një qendër nuk je domosdoshmërisht në një qendër tjetër. Një vendim i marrë në një qendër nuk ka ndonjë fuqi në sferën e fuqisë së një qendre tjetër. Është e vërtetë që pjesën më të madhe të ditës e kalojmë në një gjendje të paqartë, jo të fokusuar, në të cilën një rrymë të foluri mekanik të brendshëm dhe fantazia vazhdojnë pafund. Kjo quhet të jesh ndërmjet qendrave. Kur jemi në vëmendje jemi në një qendër. Por një qendër nuk njeh një qendër tjetër.

Ato janë mendje të ndryshme. Mënyrat e tyre për të bërë gjërat janë krejt të ndryshme. Një njeri i harmonizuar e di ndryshimin e qendrave të ndryshme dhe qëndron në mesin e tyre dhe mund t’u flasë të gjithave. Por, siç jemi, ne nuk e kemi këtë gjendje të brendshme të Qenies, e cila i përket zhvillimit tonë të mëtejshëm dhe është padyshim një nivel më i lartë se sa jemi ne. Njeriu i zhvilluar, njeriu i nevojshëm për ditën, niveli për të cilin ne përpiqemi, nuk është njeriu i zakonshëm me një qendër, qoftë Nr. 1 – Njeriu Instinktiv, ose Nr. 2 – Njeriu Emocional, ose Nr. 3 – Njeriu Intelektual, por Njeriu Nr. 4, dhe ky është qëllimi i përgjithshëm i të gjithëve në këtë Punë, sepse te Njeriu Nr.4 të gjitha qendrat janë të arritshme. Çdo qendër ka të vërtetën e vet. Pra, nuk ekziston një e vërtetë, por e vërteta e të gjitha mendjeve përbën të gjithë të vërtetën. Një njeri i harmonizuar, një njeri i ekuilibruar, i njeh dhe i kupton gjuhët dhe nevojat e qendrave.

Kështu që ai e di se cilën qendër të përdorë në kohën e duhur dhe jep, çfarë i takon një qendre. D.m.th, çdo gjë shkon në adresën e duhur. Por Gurdjieff e krahasoi njeriun ashtu siç është, si – Njeriu në gjumë në veten e tij, Njeri të zakonshëm, Njeriu të njëanshëm, Njeri me një qendër, Njeri që nuk është zgjuar akoma, Njeri i drejtuar nga forcat e jashtme, Njeri-Makinë. Në radhë të parë, filloni të shihni se keni qendra të ndryshme dhe gjithashtu se ato priren të punojnë si të kundërta. Çdo qendër ka urinë e vet. A keni parë nga vetja juaj se keni uri të ndryshme? Kjo duhet të bëjë që të reflektoni se nuk jeni një person, por shumë persona. Ekziston uria e Qendrës Instinktive, uria e Qendrës Seksuale – dhe më e vështirë mbase të vihet re – uria e Qendrës Lëvizëse – domethënë dëshira për të bërë diçka ose për të bërë ushtrime. Ekziston edhe uria e Qendrës Emocionale – të themi, për tu vlerësuar. Dhe uria e Qendrës Intelektuale – uria për të ditur. Të gjitha këto janë të ndryshme.

Tek njeriu i ekuilibruar asnjë nuk dominon dhe përjashton të tjerët, sepse Njeriu i Balancuar qëndron në mes të qendrave të ndryshme dhe nuk ndjek vetëm një. Ky është Njeriu i harmonizuar ose i ekuilibruar. A mendoni se keni arritur tashmë në këtë fazë – këtë nivel të qenies? Mund t’ju siguroj se nëse mendoni kështu nuk është gjë tjetër veçse një pamje shumë e vetëkënaqur e vetvetes që do të shkatërrohet vetëm nga vetë-vëzhgim i sinqertë. Një burrë apo grua që mendon se ashtu siç janë, ata janë në rregull dhe madje më mirë se të tjerët – është në gjumë në vetvete dhe për veten e tij. Puna ka të bëjë me zgjimin, jo për të vazhduar akoma, me gjumin e përgjithshëm të njerëzimit.

Puna e gabuar me qendrat

Në një rast, Ouspensky i tha Gurdjieff: “Njerëzit po kthehen në makina. Njerëzit nuk mendojnë më. Ata po bëhen makina thuajse të përsosura në një mënyrë, si në një fabrikë plot me makineri dhe ata janë të kënaqur të jenë të tillë Në fakt, nëse ata do të mendonin, ata do të pushonin së qeni makina kaq të përsosura. Në përgjigje të këtij vëzhgimi të Ouspensky, Gurdjieff tha: Po, kjo është mjaft e vërtetë, por duhet të kesh parasysh se Njeriu ka më shumë se një mendje. Në fakt ai punon me mendje, që i korrespondojnë shumë qendrave, të cilat punojnë në mënyra krejt të ndryshme. Çdo gjë varet para së gjithash se cilën qendër, ai përdor për një punë të veçantë, në të cilën është angazhuar. Nëse ai përdor mendjen e duhur, ai do të jetë në gjendje të mendojë madje më mirë gjatë gjithë kohës edhe duke qenë makinë. Por vetëm nëse ai përdor mendjen e duhur për qëllimin.

Kjo bisedë çon drejtpërdrejt në çështjen e qendrës së duhur për t’u përdorur për punë të veçanta. Një njeri mund të përdorë qendrën e gabuar për një punë e veçantë. Ky është përdorim i gabuar i qendrave. Një njeri, duke bërë një punë thjesht automatike të lëvizjes së duarve, që nuk mund të ndryshojë, mund të përdorë Qendrën Emocionale dhe Intelektuale, si dhe Qendrën e Lëvizjes, në një mënyrë të panevojshme. Goditja e diçkaje psh, ai përqendrohet shumë në këtë detyrë të vogël, automatike dhe si rezultat ai harxhon forcë kot. Ai mendon dhe ndjen, kur në fakt është e nevojshme vetëm goditje e lehtë. Ky është përdorim i gabuar i qendrave: është si të përdorni tre kuaj për një punë kur një gomar është i mjaftueshëm. Në një rast, Ouspensky më tha: “Ju i merrni gjërat shumë seriozisht. T’i kushtojë rëndësi të madhe gjërave të vogla, mund të bëjë që njeriu t’i kushtojë pak rëndësi gjërave më të mëdha. Përpiquni t’i bëni gjërat e rëndësishme të rëndësishme, dhe gjërat e parëndësishme të parëndësishme.” Kjo është këshillë e mirë. Mundohuni ta bëni. Mundohuni të vëzhgoni se çfarë është ajo që merr gjithë forcën dhe energjinë tuaj. A është e rëndësishme?

Një atlet i stërvitur është një njeri që di të eleminojë lëvizjet e panevojshme. Trajnimi është, të thuash, të mësosh si të mos bësh gjëra – të mos bësh atë që është e panevojshme. Atëherë njeriu bën vetëm atë që është e nevojshme. Në një rast tjetër Gurdjieff i tha dikujt që po shikonte një vazo lulesh: “Ti mendon. Unë vetëm shikoj. Sigurisht, në atë rast ai po përpiqej të shihte bukurinë përmes qendrës formuese. Bukuria emocionale është krejt e ndryshme. Ose p.sh. shkoni në një galeri pikturash me një person tjetër që këmbëngul që t’ju japë historinë e artistit. Ju nuk do të jeni në gjendje të shihni pikturat – domethënë po përdorni qendrën e gabuar për punën në fjalë. Dikush duhet të mësojë thjesht “të shikojë” siç tha Gurdjieff. Kjo është arsyeja pse ju, nëse është e mundur, duhet të shkoni vetëm për të parë pikturat pa marrë një person tjetër. Realisht është vërtet e jashtëzakonshme se sa njerëz mendojnë se bukuria mund të shihet vetëm përmes teorive. Teoritë janë intelektuale. Bukuria është emocionuese dhe gjithashtu instiktive.

Le të flasim për harxhimin e forcave në lidhje me përdorimin e qendrës së lëvizjes. Disa ecin të shqetësuar, të tjerët të ecin të ngurtë. Dikush mund të bëjë çdo lloj lëvizjesh komplekse si zakon përpara se të qetësohet. Por më shumë ka lidhje me tensionin e muskujve që është e rëndësishme të modifikohen lëvizjet për aq sa është e mundur. Njerëzit nuk e kanë ndjenjën e masës, nuk kanë kuptimin e asaj që, në rrethana, është e rëndësishme ose e parëndësishme. Kjo është me të vërtetë marrëzi. Mungesa e kuptimit të rëndësisë relative është një shenjë e të qenit budalla. E gjithë inteligjenca, në kuptimin e punës, është në gjendje të mendojë relativisht. Unë mendoj se termi “kokë druri” mund të rrjedh nga disa shkolla ezoterike në lidhje me këtë. Sarkazma të tilla në përralla, shumica prej të cilave vijnë nga shkollat ezoterike të së kaluarës, përmbajnë thellësi të madhe të kuptimit psikologjik.

Një njeri që është identifikuar dhe në të njëjtën kohë dëshiron të studiojë për një provim nuk do të përdorë qendrën e duhur. Ai do të humbasë forcën. Nuk mund të studiohet asgjë pa relaks të brendshëm. Disa njerëz garojnë përmes një libri sikur të kishin frikë të humbnin diçka. Sigurisht, ata humbin gjithçka. Nga ana tjetër, disa ulen dhe vështrojnë nga libri, duke rënkuar e psherëtitur apo edhe duke lidhur peshqirë të lagur rrotull kokës. Sigurisht që ata nuk janë duke përdorur Qendrën Intelektuale por gati trupat dhe muskujt e tyre për të lexuar. Përpjekja e gabuar – dhe pikërisht përpjekja për të shmangur përpjekjet – çon në shpenzime të mëdha të energjisë pa rezultat. Por ne jetojmë në një Univers inteligjent dhe duhet të zbulojmë se çfarë përpjekjesh japin rezultate.