You are currently viewing Prindërit

Prindërit

Na ndiqni në rrjetet sociale

Ushqeni intelektin dhe meditimin tek fëmijët; jepini rrënjë dhe jepini hapësirat e gjera të qiellit. Dhe mos harroni se ekuilibri midis të dyjave është shumë i rëndësishëm; nuk duhet të ketë jopërpjesëtim mes tyre. Vetëm nëse mund ta bëni këtë, keni përmbushur angazhimin tuaj prindëror në kuptimin e vërtetë; vetëm atëherë i keni dhënë jetë fëmijës në kuptimin e vërtetë. Përndryshe, ju i jepni fëmijës trupin e tij, por shpirti i tij nuk merr asnjë mbështetje nga ju. Lindja e trupit është një çështje shumë e zakonshme. Zogjtë dhe kafshët të gjithë e menaxhojnë këtë pa shumë vështirësi – në të nuk ka asgjë të veçantë në të, nuk është ndonjë arritje e madhe e juaja kjo gjë.

Dhe një pikë tjetër për tu kujtuar është se duke sjellë dritë në shpirtin e fëmijës suaj, ju i jepni dritë vetes tuaj. Nuk mund të jetë ndryshe. Nëse e doni fëmijën tuaj, dërgojeni atë në udhëtimin drejt intelektit dhe jepini rrënjë në meditim. Papritmas do të zbuloni se gjatë formimit të tij, ju vetë po merrni formë. Kur një skulptor bën përpjekje për të përmirësuar një skulpturë, nuk është vetëm skulptura që bëhet më e bukur; në proçes skulptori gjithashtu vazhdon të bëhet më i bukur. Është e pamundur t’i japësh jetë bukurisë pa u bërë më i bukur edhe vetë. Është e pamundur t’i japësh ekuilibër dikujt pa u ekuilibruar edhe vetë. Nëse jeni vërtet baba, atëherë lindja e një djali në shtëpinë tuaj do të transformojë tërë jetën tuaj, sepse kur të përpiqeni ta formoni djalin tuaj si më të bukur, të shëndetshëm dhe paqësor, edhe ju vetë do bëheni i tillë.

Në fakt juve do t’ju duhet të krijoni më parë në veten tuaj, gjithçka që dëshironi të krijoni në fëmijën tuaj. Një burri dhe një grua mund të shijojnë lojën e tyre të pakujdesshme me njëri-tjetrin kur ata nuk kanë fëmijë, por me lindjen e një fëmije një lidhje e re është shtuar në jetën e tyre dhe tani të luajnë vetëm nuk është e mjaftueshme. Tani ka një përgjegjësi të thellë në jetën e tyre dhe është një përgjegjësi interesante sepse është plot dashuri. Ky fëmijë do të fillojë të transformojë si nënën, ashtu edhe babanë e tij. Nëse vërtet e doni fëmijën tuaj, ju do të transformoheni. Nëse nuk e doni atë, do të vazhdoni të bërtisni dhe ankoheni se fëmija po shkatërrohet, shoqëria përreth është e keqe, gjithçka po shkon keq. Një fëmijë nuk prishet kurrë për shkak të shoqërisë, ai prishet për shkakun tuaj – dhe ju jeni shoqëria. Ironia është se ajo që ju e quani shoqëri është thjesht popullata e fëmijëve të të tjerëve. Babai mbetet ashtu siç ishte përpara se të lindte fëmija; edhe nëna mbetet e njëjtë. Në një farë mënyre fëmija ka lindur për ju, por në zemër ju mungon dashuria për këtë fëmijë. Dhe është dashuria juaj që mund të ndryshojë tërë shoqërinë!

I mbani mend prindërit tuaj? A ishin ata të interesuar që t’ju dhuronin dashurinë e tyre, pa kushte? Apo ishin të interesuar të përdornin dashurinë e tyre për të kontaminuar mendjen tuaj me idetë e tyre, me ideologjinë e tyre politike, me kombësinë e tyre? Përndryshe, si ka mundësi që njerëzimi të ndahet kaq shumë? Kush është krimineli që qëndron pas tij? Pse duhet të ketë kaq shumë kombe? Pse duhet të ketë kaq shumë fe? Njerëzimi është një. E vërteta është një. Por njerëzve nuk u është lejuar të kërkojnë vetë fytyrën e tyre origjinale. Atyre u jepen maska dhe e jetojnë tërë jetën e tyre duke besuar se kjo është fytyra e tyre origjinale. Pra, ushqeni meditimin tek fëmija juaj ndërsa ushqeni intelektin e tij, dhe gjithashtu ushqeni një ekuilibër midis të dyjave. Duke vepruar kështu do të zbuloni se edhe ju jeni transformuar pa e ditur këtë gjë. Para se vetë drita e fëmijës suaj të shkëlqejë plotësisht, ju vetë do të shkëlqeni. Papritur do të zbuloni se në procesin e bërjes së fëmijës tuaj,ju keni bërë veten tuaj.

Dhe nëse fëmija prishet, kjo do të thotë vetëm se ju vetë jeni të prishur dhe se dashuria juaj për fëmijën nuk është aq e madhe sa të jeni të përgatitur të ndryshoni veten për hir të tij. Kështu që ndodh një gjë shumë interesante: babai vazhdon të bëjë të njëjtat gjëra që nuk dëshiron që fëmijët e tij të bëjnë; nëna vazhdon të bëjë të njëjtat gjëra që nuk dëshiron që fëmijët e saj t’i bëjnë. Por fëmijët nuk mësojnë nga predikimet tuaja, ata mësojnë nga ju. Dhe fëmijët kanë sy shumë të mprehtë dhe të qartë; sytë e tyre nuk janë lyer ende me pluhurin e jetës. Ata mund të shohin edhe përmes fjalëve tuaja, ata nuk kapen pas tyre, ata nuk u interesojnë ato që thoni. Ata ju shikojnë dhe ju njohin. Kuptimi i tyre është i drejtpërdrejtë. Kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë t’i thuash gënjeshtra fëmijëve – sepse kur thua një gënjeshtër nuk është thjesht ajo që përcillet vetëm nga fjalët; ndërsa po thoni një gënjeshtër, e gjithë fytyra deklaron falsitetin tuaj. Sytë e tu thonë “gënjeshtër”; dora juaj e cila po prek fëmijën thotë “gënjeshtër”. Dhe fëmija është shumë afër jetës; të rriturit mund të mos e perceptojnë atë, por fëmija menjëherë e di se ju po thoni një gënjeshtër. Kështu që është shumë e vështirë të mashtrosh fëmijët nëse nuk i keni korruptuar ata.

Ne bëjmë gjithçka që mundemi për të korruptuar fëmijët tanë, sepse derisa të korruptohen, jetojmë në dyshim, duke pasur frikë prej tyre. Si prindër ne i mësojmë fëmijët tanë të mos thonë gënjeshtra, por gjatë gjithë kohës ata na shohin duke thënë gënjeshtra. Atëherë, çfarë mësojnë ata nga kjo? Vetëm një gjë – që ju duhet t’i mësoni fëmijët tuaj të mos jenë të rremë, ndërsa jeni vetë të tillë. Ky është fakti që fëmijët kapin dhe po kështu, ata do t’i mësojnë fëmijët e tyre të mos thonë gënjeshtra duke qenë gënjeshtarë vetë. Kjo është ajo që ju kanë bërë prindërit tuaj dhe kjo është ajo që po u bëni fëmijëve tuaj. Këta fëmijë shohin që u predikohet kundçr seksit nga prindërit e tyre, ndërsa vetë ata prindër janë plot seks. Dhe këtë e shohin fëmijët. Ata e kuptojnë mirë modelin dhe ata gjithashtu do t’u predikojnë të njëjtën gjë fëmijëve të tyre. Kështu hipokrizia vazhdon!

Shoqëria jonë është një rrjet gjigand hipokrizie, por ne nuk e shohim atë sepse kemi lindur në të, ashtu si peshqit nuk janë të vetëdijshëm për oqeanin sepse ata kanë lindur në të. Hipokrizia shkon aq thellë saqë nëse do ta shihnim atë, do të frikësoheshim shumë, duke parë se çfarë po ndodh. Por ne nuk i shikojmë ato që themi, nuk marrim shënime se çfarë jemi duke bërë, ose çfarë efekti veprimet tona do të kenë. Ne u japim fëmijëve tanë një edukim të intelektit, por nuk i edukojmë ata në meditim. Shkollat janë pajisje për të ndihmuar prindërit të shmangin fëmijët e tyre dhe mësuesit janë thjesht shërbëtorë me pagë, të angazhuar për t’i mbajtur fëmijët të zënë me lëndë që janë nëntëdhjetë e nëntë përqind informacione pa vlerë. Fëmijët mësojnë gjëra që nuk duhen mësuar fare dhe gjithçka që ata do të bëjnë me to është t’i harrojnë – pasi nuk janë thelbësore për ta. Mësuesi është vetëm një lloj roje, në këmbë, midis prindërve dhe fëmijëve të tyre. Detyra e tij është t’u japë prindërve qetësi për pesë ose gjashtë orë në ditë.

Çfarë lloj dashurie është kjo që ndjehet e shqetësuar nga prania e fëmijëve? Kjo nuk është dashuri. Këta fëmijë janë aksidentalë, këto janë aksidente që ju kanë ndodhur dhe tani disi duhet të mirëmbaheni. Dhe pse i dërgon në shkollë? Nuk është për të ndriçuar shpirtrat e tyre. Ju i dërgoni në shkollë në mënyrë që ata të mësojnë të gjithë sistemin e hipokrizive të shoqërisë. Ju i dërgoni ato në shkollë në mënyrë që ata të kthehen në shtëpi duke u diplomuar në të gjithë dinakërinë, llogaritshmërinë dhe tërë rrjetin e shoqërisë, në mënyrë që ata të bëhen të aftë në mënyrat e saj, të bëhen anëtarë të shoqërisë. Ju po i përgatisni për këtë. Ambiciet tuaja kanë mbetur të paplotësuara, keni dashur të fitoni miliona por dështuat; tani po përgatitni djalin tuaj për ta përmbushur atë për ju. Nëse ai dështon në provimet e tij, ju pësoni një ankth të madh, jo për shkak të asaj që ai mund të ndjejë, por sepse ambiciet tuaja fillojnë të lëkunden: si do mundë ky djalë të arrijë ambicien tuaj nëse dështon në shkollë?

Fëmijët tuaj janë zgjatim i ambicieve tuaja, ata janë shpresa për dëshirat tuaja; ju doni të udhëtoni duke hipur mbi supet e tyre. Pra, nëse djali juaj sjell në shtëpi një të ardhur të mirë, ju jeni shumë të kënaqur dhe krenarë për të. Por nëse ai vjen në shtëpi me asgjë për të treguar, askush nuk e mirëpret. Po mirë, arsimi mund të bëhet në shkollë, por kush do të sigurojë anën tjetër, atë shpirtërore? Ne kemi zhvilluar shkolla shpirtërore, por ato janë të gjitha pseudo, sepse nuk mund të ketë shkollë shpirtërore. Ato janë vetëm dyqane të drejtuara nga ekspertë dhe për këto ne i dërgojmë fëmijët tanë. Dhe këta ekspertë nuk kanë asnjë kontakt me shpirtëroren; jeta që ata drejtojnë nuk është e ndryshme nga e juaja. Ju mbani një lloj dyqani, eksperti mban një dyqan shpirtëror. Ju të dy jeni blerës! Ne i dërgojmë fëmijët tanë tek ai për të mësuar durim, dhe ai i mëson – sikur shpirtërorja të ishte gjithashtu një gjeografi apo histori – ai mëson një mësim, e bën fëmijën ta mësojë atë. Pastaj ka edhe provime gjithashtu. Fëmijët kalojnë provimin dhe kthehen në shtëpi me certifikata.

Ky është një mashtrim. Ju nuk mund të uleni në një provim shpirtëror. Vetë jeta është ekzaminimi i saj i plotë. Dhe askush nuk mund të japë një çertifikatë; vetëm vdekja do ta japë këtë. Është vetë vdekja që në kohën e saj do të japë certifikatën duke thënë nëse jeni fetar apo jo. Nëse në momentin e vdekjes tuaj jeni të lumtur, ju keni kaluar; nëse nuk jeni të lumtur në momentin e vdekjes keni dështuar. Jeta – jeta në tërësinë e saj – është edukim shpirtëror dhe vdekja është provimi i saj. Ku është eksperti që mund ta ofrojë këtë? Ku janë shkrimet që mund ta ofrojnë këtë? Asnjë shkrim nuk do mund ta bëjë, asnjë ekspert nuk do të mund ta bëjë. Dhe ju vetë nuk e dini se çfarë është shpirtërorja, kështu që si mund t’i jepni fëmijës? Si mund t’i jepni meditim fëmijës? Ju vetë nuk e keni njohur kurrë meditimin, kurrë nuk e keni shijuar atë. Çfarëdo që dëshironi t’i jepni fëmijës tuaj, do duhet ta keni përjetuar vetë më parë. Nëse babai është i pasur, ai do t’i japë pasuri djalit të tij; nëse babai është meditues, ai do t’i japë meditimin djalit të tij. Por si mund të jepni atë që nuk keni? Nëse babai është i dashur, ai do të japë dashuri; ne mund të japim vetëm atë që kemi.

“Çdo grua mund bëjë fëmijë, por jo çdo grua është nënë”

Njerëzit më pyesin – nganjëherë ndonjë djalë i ri, nganjëherë ndonjë grua e re – nëse do të ishte gjë e mirë për ata që të kishin një fëmijë. Unë u them atyre: “Së pari hyni thellë në meditim dhe vetëm atëherë mund të bëheni prindër; përndryshe, çfarë do të keni për t’i ofruar fëmijës tuaj? Dhe nëse nuk keni meditim, prania e fëmijës do të zbulojë të gjitha dobësitë tuaja dhe tërë varfërinë tuaj shpirtërore, sepse do të zbuloni që nuk keni asgjë për të dhënë. Prandaj është më mirë që së pari të futeni thellë në meditim dhe më pas të bëheni prindër, sepse atëherë do të jeni në gjendje të përmbushni përgjegjësinë e prindit – dhe jo si detyrë, por si lumturi. Jepuni fëmijëve tuaj meditim, ashtu si intelekt. Intelekti do t’i ndihmojë ata të jenë të suksesshëm në botë dhe meditimi do t’i ndihmojë ata drejt suksesit shpirtëror. Jepuni mendim të mprehin intelektet, jepuni meditim për të ushqyer dashurinë në zemrat e tyre. Fenomeni më i rëndësishëm në botë ndodh aty ku shenjtëria e zemrës përmbush aktivitetin e intelektit. Në atë takim, aktiviteti dhe pasiviteti ekuilibrojnë njëri-tjetrin, dita dhe nata të dyja pushojnë së qeni dhe ju filloni të kapni fragmente të asaj që qëndron përtej jetës dhe vdekjes.

“Ata vijnë që në fillim. Prandaj ata janë me ju, megjithatë ata nuk ju përkasin”

Këto thënie kanë implikime të jashtëzakonshme nëse e kuptoni që fëmija është dëshira e jetës për veten e saj. Fëmija është më afër burimit të jetës sesa plaku. Plaku është më afër vdekjes … por i çuditshëm – vdekja është adhuruar, respektuar dhe jeta është shkatërruar, shkatërruar në çdo mënyrë të mundshme. Nëse e dini se ata vijnë nga ju, por nuk ju takojnë juve, atëherë asnjë prind nuk do të imponojë fenë e tij, politikën e tij, idetë e tij mbi fëmijën e pafajshëm. Ai vjen si një tabula rasa – asgjë nuk është shkruar mbi të – dhe prindërit kanë shumë nxitim ta bëjnë atë një etiketë. Ju mund t’i jepni atyre dashurinë tuaj por jo mendimet tuaja. Mendimet e tyre ende nuk janë pjekur, ato janë akoma në formë farash. Ato janë akoma vetëm potenciale, por duke pasur parasysh lirinë dhe dashurinë, do të bëhen realitete, do të bëhen aktualizime.


Me të gjitha qëllimet e mira, të gjithë prindërit janë shkatërrues të fëmijëve të tyre. Ju shikoni në të gjithë tokën vetëm njerëz të vdekur që ecin, të cilët kanë humbur shpirtin e tyre shumë kohë përpara se të kenë ndonjë nocion se çfarë ai është. Ju i përkisni të kaluarës; ditët tuaja kanë mbaruar. Prindërit nuk mund ta konceptojnë të ardhmen – dhe fëmijët nuk do të jetojnë në të kaluarën, kështu që mos i ngarkoni me idetë tuaja të vdekura. Ju i përkisni ditëve të shkuara, ata i përkasin të nesërmes. Jepini sa më shumë dashuri. E tashmja është një pikë takimi por edhe një pikë nisjeje. Nga e tashmja, ku po takoheni, do të niseni. Çdo ditë, hendeku midis jush dhe fëmijëve tuaj do të bëhet gjithnjë e më i madh.

Flitet për hendekun e gjeneratave. Është një nga gjërat më të bukura që ka ndodhur në këtë shekull – hendeku i brezave. Bëni të gjitha përpjekjet për ta zgjeruar atë, bëjeni gati të pakapshëm. Përndryshe do të bartni kufoma gjatë gjithë jetës suaj. Nëse jeni absolutisht të lirë nga e kaluara, do të gjeni maja më të larta të vetëdijes – më të larta se çdo Krisht dhe se çdo Budë. Ne nuk jemi duke rënë poshtë. Vetëdija jonë po arrin drejt yjeve, por është kaq e vështirë të kuptosh një të vërtetë të tillë të qartë. E kaluara është pengesa më e madhe për jetën tuaj. Prindërit nuk duhet t’i japin mendimet e tyre fëmijëve të tyre sepse mendimet e tyre janë tashmë të vjetra. Fëmijët do të kenë mendimet e tyre. Edhe pemët dinë më mirë. Çdo vjeshtë, gjethet e vjetra bien dhe zhduken në tokë për t’i lënë vend gjetheve të reja – më të gjelbërta. Nëse do të vazhdonin të ngjiteshin te gjethet e tyre të vjetra, nuk do të kishte as hapësirë dhe as mundësi që gjethet e reja të shfaqeshin.

A keni menduar ndonjëherë pse, në botën bashkëkohore, njerëz si Buda, Lao Tzu, Chuang Tzu, Basho, Kabir, Jezusi, Zarathustra – nuk kanë lindur? Çfarë ka ndodhur? A është njerëzimi një forcë e harxhuar? Jo – njerëzimi është më i fuqishëm, ka më shumë energji se kurrë. Por e kaluara vazhdon të bëhet gjithnjë e më e madhe. Natyrisht, çdo ditë, një ditë bashkohet me ditët e kaluara. Dhe tani e kaluara është bërë gati si një Himalaya në gjoksin e brishtë të qenieve njerëzore. Kjo është arsyeja pse nuk keni qenie kaq të bukura. Dhe nëse ndonjëherë një njeri ngrihet, ai duket si një i huaj, një i huaj i tillë që nuk mund ta durosh. Ju keni harruar shijen e asaj bote kur kishte mijëra njerëz të ndriçuar në të gjithë botën. Askush nuk mërzitej. Njerëzit ishin plot mirënjohje.

Por sot, situata është komplet ndryshe. E gjithë ajo barrë në mendje ju pengon të shihni të renë. Dhe e reja duhet të tregojë të kaluarën, të vdekurit, për të humbur. Mos ua jepni fëmijëve tuaj të kaluarën tuaj të kalbur si trashëgimi. Ata kanë të ardhmen e tyre. Lërini të rriten sipas potencialit të tyre. Ju mund të përpiqeni të jeni si ata …sepse ata janë të së ardhmes dhe janë të pafajshëm. Ata janë më afër ekzistencës sesa ju. Për ju, nuk ka asgjë tjetër përveç se vdekjes që të ndodhë, por atyre do tu ndodhin miliona gjëra: dashuria do të ndodhë, meditimi do të ndodhë, mirënjohja do të ndodhë. Ju lutemi rezistoni ndaj tundimit që fëmija juaj duhet të jetë një kopje si ju. Është e mundur që ta bëni fëmijën një kopje si ju, por do të duhet ta vrisni. Kjo është ajo që po them: qe të gjithë prindërit janë duke vrarë fëmijët e tyre vetëm për t’i bërë ato kopje karboni.

Dhe fëmija ka potencialin të jetë fytyra e tij origjinale. Fytyra origjinale ka bukuri, fytyra origjinale ka diçka hyjnore. Fytyra origjinale ka karizëm. Një kopje nuk ka asgjë. Mos i parandaloni. Jepuni atyre forcë, dhurojini atyre dashuri, në mënyrë që ata të arrijnë në yllin më të largët. Jini të lumtur kur fëmija juaj fillon të largohet nga ju, kur ai fillon të bëhet një individ në mënyrën e tij. Ndjehuni të bekuar që ai nuk është një idiot i bindur. Përveç idiotëve, askush nuk është i bindur. Inteligjenca është rebelim. Ndjehuni të bekuar dhe bekoni fëmijën që ju e keni lindur me një frymë rebele. Kjo duhet të jetë krenaria juaj, por kjo në realitet bëhet ankthi i njerëzve. Ekzistenca ju do të dyve. Ju jeni gjithashtu fëmijë me të njëjtën ekzistencë. Vetëm se koha juaj ka mbaruar; jepini vend shigjetave të freskëta dhe bekojini ato.