Meditimi tashmë është një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Kam qenë gjithmonë e interesuar për shpirtëroren dhe, kur takova mentorët e duhur, gjithçka ndryshoi. Ndihem se brenda meje ka pasur gjithmonë një ndjenjë se kjo ishte rruga ime, edhe pse nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Meditimi më ka ndihmuar të lidhëm me veten dhe me botën përreth meje në një mënyrë më të thellë.
Kur mësova që isha shtatzënë, ndjeva një befasi të bukur. Mendimi që vogëlushja ime po e ndante këtë rrugëtim me mua ishte i jashtëzakonshëm. E dija se energjitë që ndieja dhe krijoja përmes meditimit do të ishin të rëndësishme për të, madje që ajo do të ndiente gjithçka që unë përjetoja dhe do të ishte një dhuratë e madhe për të, pasi do të krijoja një mjedis paqeje dhe dashurie për të dyja.
Shtatzënia ka qenë një periudhë e mbushur me shumë ndjenja dhe ndryshime, disa herë ka qenë e vështirë, herë të tjera ka qenë ngazëllyese, por meditimi më ka ndihmuar të mbetem e pranishme dhe e qetë. Të ndihesh i pranishëm në momentin që po jeton, të kuptosh trupin dhe mendimet e tua, ka qenë thelbësore për mua. Në këtë mënyrë, çdo ndjenjë, çdo mendim që kalonte, nuk ishte vetëm për mua, por dhe për fëmijën tim. Ajo përjetonte gjithçka, dhe unë doja që ajo të ndjente paqen dhe dashurinë që mund të ofroja.
Gjatë këtij udhëtimi, meditimi ka qenë një mjet që më ka ndihmuar të kuptoj më shumë për veten time dhe për çdo moment që po kaloja. Sa më shumë që meditoja, aq më shumë ndihesha e lidhur me fëmijën tim, me energjitë që ne po krijonim së bashku. Çdo ditë ishte një mundësi për të zgjeruar vetëdijen time dhe për të qenë më e pranishme. Edhe tani, ndërsa rritem dhe unë si nënë, meditimi është një praktikë që më ndihmon të mbetem e pranishme, pa humbur veten në çdo shqetësim apo shpërqendrim të jetës.
Kjo është dhurata më e bukur që mund t’i jap fëmijës sime – të jem e pranishme, në pjesën më të madhe të kohës. Pikërisht në të panjohurat e jetës, ndodh transformimi i vërtetë. Është në momentet e heshtura dhe të thjeshta që ne zhvillohemi dhe rritemi. Besoj se përmes vetëdijes mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë të rriten si individë të ndërgjegjshëm në këtë botë plot sfida. Kjo ndoshta është arsyeja pse udhëtimi më i madh, i shërimit, i dashurisë dhe i vetëdijes, nuk janë harta të kuruara, por hapat që ne vendosim të bëjmë.
Meditimi ka qenë një mbështetje e çmuar gjatë shtatzënisë dhe po ashtu në fazën e pas lindjes. Në këtë periudhë të ndjeshme, me ndryshime të shumta në trup dhe hormone, meditimi më ndihmon të ruaj qetësinë dhe balancën, duke më kujtuar të jem e butë me veten ndërsa përshtatem me jetën e re si nënë.
Vogelushja ime e ndjen energjinë dhe ka frekuencat e një fëmije të qetë, që ka përfituar shumë nga kjo praktikë, duke forcuar lidhjen tonë dhe duke sjellë paqe dhe harmoni për të dyja.
Gjatë shtatzënisë, ti nuk po sjell në jetë vetëm një fëmijë, por edhe një energji të re, një vetëdije të re. Çdo mendim, çdo ndjenjë, çdo vibrim që krijon brenda teje, ai fëmijë e përthith. Nëse je e qetë, ai do të mësojë qetësinë. Nëse je plot dashuri, ai do të rritet me një zemër të hapur. Prandaj, shtatzënia nuk është thjesht një proces fizik – është një transformim shpirtëror. Përmes meditimit, ti nuk po kujdesesh vetëm për veten, por edhe për jetën e re që po formohet brenda teje. Sill një fëmijë që do të jetë krejtësisht ndryshe – që do të ndihmojë botën të bëhet pak më e gëzueshme, do të sjellë më shumë festë në këtë botë… më shumë të qeshura, më shumë dashuri dhe jetë. Prandaj, gjatë këtyre ditëve, festo, kërce, këndo, dëgjo muzikë, medito, duaj. Ji shumë e butë. Mos bëj asgjë me ngut, në nxitim. Mos bëj asgjë me tension. Thjesht ec ngadalë. Ngadalsohu plotësisht. Një mysafir i madh po vjen – duhet ta presësh me zemër të hapur. ” – Osho
Shkruar nga Merli Hafizi, e frymëzuar nga përvoja e saj personale.