You are currently viewing Emocionet negative

Emocionet negative

Na ndiqni në rrjetet sociale

BURGU I EMOCIONEVE NEGATIVE

Në mësimet ezoterike na thuhet gjithmonë se jemi në burg. Askush nuk e sheh burgun. Për mendjen normale një burg duhet të ketë mure, qeli dhe hekura. Burgu ku ndodhemi nuk ka asnjë nga këto. Kryesisht është i bërë nga gjendje. Të gjitha emocionet e gabuara na mbajnë në burg. Ka shumë shkallë të emocioneve negative ashtu si ka shkallë të ferrit. Ndryshimi nga emocionet jo-negative në ato negative është mjaft i qartë. Këtë e njohim përfundimisht kur e kuptojmë se jemi në burg. Emocionet negative duken shumë më inteligjente se emocionet jo negative. Duken më pjellore, më interesante, më të talentuara. Kjo për shkak se ato gënjejnë. Si të gjithë gënjeshtarët, ato përpiqen t’ju bindin. Objekt i emocioneve negative nuk është vetëm shkatërrimi i së vërtetës, por edhe dëmtimi i saj.

Çdo gjë e keqe kërkon të dëmtojë. Është jashtëzakonisht e lehtë të dëmtosh. Ne kemi vështirësi si t’iu bëjmë mirë të tjerëve, por shumë lehtë dimë si t’i lëndojmë. Ka një kënaqësi të veçantë kur lëndon dikë. Në rrënjën e emocioneve negative qëndron dhuna. Ekzistojnë disa gradë të emocioneve negative si të vazhdueshme, ashtu edhe të shkëputura. Një gjendje e veçantë negative mund të rritet ose zvogëlohet; ose mund të thellohet dhe të bëhet e rrezikshme. Nevojitet njëfarë disipline në lidhje me emocionet negative. Ajo duhet të fillojë me vetë-vëzhgimin. Duhet ta dini dhe ta pranoni kur jeni negativ. Njerëzit nuk duan ta bëjnë këtë. Një disiplinë nuk duhet të bëhet kurrë një qëllim në vetvete. Është një mjet për një fund. Disiplina që mbart gjendjet negative ka si rezultat dobësimin gradual të fuqisë së tyre për të na burgosur.

Është e nevojshme të gjeni dhe shpikni çdo metodë që mundeni për të parandaluar që ngjarjet e përsëritura t’ju bëjnë negativ. Nuk është çështje mbrojtjeje, por vetënjohjeje. Emocionet negative qeverisin botën. Ato janë jashtëzakonisht infektive. Një njeri mund të bëjë një mijë të tjerë negativë. Një person negativ mund ta kthejë një shtëpi në një Ferr. Kjo aftësi për të prekur të tjerët i jep personit negativ një ndjenjë fuqie. Është një fuqi e keqe. Emocionet negative duket se shkatërrojnë çdo sens humori tek njerëzit. A mund të qeshni vërtet nëse jeni negativ? Jo asnjëherë. Ndoshta ne kurrë nuk qeshim vërtet me veten, por pretendojmë. Shumica e jetës është. Sepse ka një forcë detyruese të padukshme që përzihet me gjithçka që bëjmë – si një kordon që duhet ta kishim prerë shumë kohë më parë.

Efektet e këtij kordoni të paprerë quhen identifikim. Identifikimi është burimi i emocioneve negative. Për shembull, jeni i kënaqur me diçka që sapo keni bërë, duke e lidhur veten me punën dhe punën me veten, por më pas disa idiotë shkojnë dhe e shkatërrojnë. Do të duhej të ishit shumë të duruar për të mos lejuar veten të bëheni negativ. Por nëse do të ishit zgjuar, do të kishit vërejtur se si po identifikoheshit ndërsa bënit punën dhe kjo do t’ju ndihmonte të mos reagoni aq negativisht. Nëse nuk identifikoheni, nuk do të përzieni ato që nuk duhet të përzihen me ato që bëni. Nëse do të kujtonit gjithmonë veten, nuk do të identifikoheshit kurrë, dhe nëse nuk identifikoheni kurrë, nuk do të ishit kurrë negativ. Por Njeriu është në gjumë. Njerëzit jetojnë në Gjendjen e Dytë të Vetëdijes – të ashtuquajturën gjendje zgjimi – dhe nuk e dinë që kjo është shtëpia-burg në të cilën ata jetojnë pa vetëdije, ndoshta më tepër të hutuar nga ajo që ndodh, por duke mos parë shkakun e saj.

Ju mund dhe duhet të gjeni për veten tuaj mënyra për të anashkaluar emocionet negative. Të gjeni diçka që kërkon vëmendje të drejtuar është një mënyrë, nëse mund ta bësh atë. Një tjetër është të mbani mend dhe të kujtoni dhe të ktheheni në kohë në raste të ngjashme me kusht që të keni një memorie pune, bazuar në vetëvëzhgim të vërtetë dhe jo thjesht memorie të zakonshme. Vëzhgimi i gjendjeve është gjithmonë i dobishëm – nëse mundeni pa u identifikuar me to. Një mënyrë tjetër është të shihni se çfarë ju bëri negativ – nëse mundeni. Përpjekjet e këtij lloji ju bëjnë më të vetëdijshëm dhe gjithmonë ju ndihmojnë sepse ju vendosin në pjesë më të mira të qendrave, në vende më pak të ndotura në qytetin e brendshëm të vetvetes. Njeriu duhet të ndiejë kur është i gabuar dhe kur është negativ – jo sepse ju është thënë, por sepse e shihni atë vetë. Pa këtë ndjenjë gjithçka që ju bëni do të jetë e padobishme dhe artificiale. Rruga e vërtetë është vetëkujtimi.

EMOCIONET NEGATIVE DHE ILUZIONI I UNITETIT

Njeriu nuk është një por shumë. Njeriu nuk është një unitet por një shumësi. Ekzistojnë shumë UNË vetë-dëmtues, por inteligjentë, tek të gjithë, të cilët punojnë në kufirin e vetëdijes, në mënyrë që njeriu të mos shohë se çfarë bëjnë. Për shembull, shumë prej këtyre UNË-ve vetë-dëmtues përdorin artet e tyre për të stimuluar njerëzit që të bëjnë llogari të brendshme vazhdimisht. Ata veprojnë në një mënyrë shumë të heshtur dhe të fshehtë dhe nëse një person nuk e rrit zonën e vetëdijes duke vëzhguar veten, ai do të jetë i pavetëdijshëm, që pas njëfarë kohe ai është i mbushur me shumë materiale që mund të shpërthejnë. Ai duhet ta kuptojë që një shpërthim emocionesh negative është rezultat i bërjes së llogarive të brendshme, gjysmë të vetëdijshme, me kalimin e kohës. Nuk është acarimi i dukshëm i çastit që i shkakton ato.

Dikush mund të kuptojë, që të lejosh veten të ngarkohet si akumulator me material, duhet patjetër të çojë në shkarkimin e tyre, qoftë nga jashtë, në skena, të tilla si britma, lot, ose dyer që përplasen, ose në helm të ftohtë, ose ndonjë nga ekspresionet e ndryshme që gjendjet negative krijojnë në nivelin e tanishëm të njerëzimit, i cili është pjesë e vetë-studimit tonë. Nëse dikush mund të mbajë vetëdije të mjaftueshme për të mos u identifikuar tërësisht me një gjendje negative, a nuk është me të vërtetë e jashtëzakonshme të vëresh gjithçka që vazhdon në vetvete dhe çfarë magjepsje vdekjeprurëse ka, edhe pse mund të shihet se është një grup i shëmtuar dhe mashtrues i UNË-ve që janë në punë?

Objekti i gjendjes negative dhe UNË-ve që e prodhojnë atë, është të shkatërrojë lumturinë tuaj, t’ju bëjë të mjeruar dhe të sëmurë. Megjithatë ju e ndjeni dhe e pëlqeni fuqinë e tyre tërheqëse. Kjo fuqi tërheqëse e gjendjeve negative është me të vërtetë një mister. Është po ashtu një nga gjërat që na tregon se sa injorantë jemi për atë që kemi brenda nesh. Tërheqja e asaj nuk mund të shpjegohet lehtë. Kjo sigurisht nuk mund të shpjegohet fare nëse e konsideroni veten si një unitet. Ky është një nga iluzionet kryesore që na pengon të zgjohemi. Është kaq e qartë dhe prapë e kemi kaq të vështirë ta realizojmë si një fakt praktik dhe si një përvojë e brendshme e vazhdueshme. Unë shpesh kam dyshime në lidhje me qartësinë e mënyrave me të cilat ne jemi hipnotizuar. Është pothuajse sikur të dy Magjistarët e interesuar për të na mbajtur në gjumë në këtë tokë për t’i shërbyer natyrës, nuk e vrasin mendjen fare për të na treguar mekanizmin e mashtrimeve, pasi kanë kuptuar se sa budallenj dhe të sugjestionueshëm ne jemi, sepse ne menjëherë biem nën magjinë e çdo gjëje që ata thonë, edhe pasi kemi parë si na bëhet mashtrimi.

Duke konsideruar veten tonë si një, ne i atribuojmë emocionet negative ndaj vetes dhe gjithçkaje tjetër. Nëse e merr veten si një do t’i atribuosh asaj çdo gjë që ndodh brenda jush, ide, gjendje shpirtërore, kujtime, ndjenja, depresioni, ndjesi etj, me pak fjalë, gjithë jetën tuaj psikike. Ju i atribuoni mendimet e mira dhe po ashtu mendimet e këqija vetes tuaj dhe si pasojë identifikoheni me çdo gjë që ndodh tek ju. Kjo është një ide thellësisht e gabuar për veten. Në fakt, është një ide e tmerrshme, që shkakton vuajtje të pafund dhe të panevojshme. Le të ndjekim disa nga pasojat e këtij iluzioni të unitetit edhe më tej. Po flasim për një njeri i cili i atribuon gjithçka në jetë, vetvetes dhe i cili është i sigurt se ai është një person i vetëm, një unitet, një Unë real dhe se gjithçka që ai thotë, gjithçka që ai zotohet, gjithçka që ai bën, është e vërtetë.

Që të zhvillohet, njeriu së pari duhet të ndahet në dy pjesë: një pjesë vëzhguese dhe një të vëzhguar. Por, ai nuk mund ta bëjë këtë. Pse? Sepse është i bindur se e ka në dorë jetën e tij dhe gjithçka që mendon, bën dhe ndjen. Pse ndodh kjo? Sepse ai nuk mund ta kapërcejë këtë iluzion se ai është një, si pasojë e të cilit ai i atribuon, gjithçka vetvetes. Psh, ju keni një emocion negativ dhe ia atribuoni vetes tuaj nën mendimin tuaj për të qenë një. Në atë rast ju i thoni UNË asaj dhe nuk mund ta zhvendosni. Ju thoni UNË jam negativ. Kjo do të thotë se, ju nuk e keni ndarë veten në dy – në një anë vëzhguese dhe një anë të vëzhguar. Por, nëse ju thoni: “Unë vërej një emocion negativ brenda meje.” Ju nuk i thoni UNË “. Nëse i thoni UNË asaj nuk mund t’i rezistoni fuqisë së saj. 

FUQIA E FSHEHTË E EMOCIONEVE NEGATIVE

Kur jeni shumë negativ ndaj një personi, çdo eksperiencë e pakëndshme shkon drejt imazhit të tij në mendjen tuaj. Edhe sikur të keni një personazh të pakëndshëm në ndonjë roman që po lexoni, bëhet sërish ai person. Ndonjëherë nuk mund ta heqësh dot nga koka. Ai është me ju kur shkoni për të fjetur dhe është aty edhe kur zgjoheni. Ai ose ajo bëhet si djall. Çfarë tregon e gjithë kjo? Tregon se e vini veten nën pushtetin e një personi kur bëheni negativ ndaj tij. Ai person ka fuqi mbi ju. Ky person bëhet si një depresion aktual tek ju dhe gjithçka tërhiqet drejt tij. Bëhet si një moçal i cili mund të prishë mendjen tuaj. Është shumë e rrezikshme. Përfundimisht, ky moçal brenda jush duhet të thahet. Megjithatë juve ju duket se duke u ndjerë negativ dhe duke urryer një person tjetër, ju keni fuqinë dhe jo personi tjetër.

A është një iluzion? Në një kuptim, jo, sepse të gjitha emocionet negative çojnë përfundimisht në dhunë fizike dhe njerëzit mund të dëmtojnë ose të vrasin njeri-tjetrin. Në një kuptim tjetër, po, sepse duke e lënë veten të bëheni negativ, ju i jepni personit tjetër fuqi mbi ju, ndoshta edhe pa ditur asgjë rreth tij. Nga kjo kuptohet se ne i bëjmë vetes një dëm shumë të madh duke u bërë negativ ndaj një personi tjetër. Vini re se është gjithmonë një person, real ose i imagjinuar, që na bën negativ dhe kurrë një diçka. Emocionet negative na tërheqin lehtësisht. Njerëzit duket se i shijojnë ato.

Ka një histori që një Engjëll vizitoi këtë tokë. Për një kohë të gjatë ai mendonte se të gjithë ishin çmendur. Ai nuk mund të kuptonte se çfarë njerëzit po shijonin. Por pas njëfarë kohe Engjëlli u infektua gjithashtu dhe filloi të shijonte emocionet negative duke u çmendur njësoj si pjesa tjetër. Një lajmëtar u dërgua për ta informuar se ai kishte dështuar në provën e tij. Ai kishte harruar diçka dhe tani ai duhet të qëndronte në tokë derisa të shkëputej nga të gjitha emocionet e tij negative. Kjo e bëri atë më keq dhe më të çmendur se kurrë. Kjo histori është një alegori e situatës sonë në këtë planet. Ajo ilustron gjithashtu një aspekt të negativitetit, që është fuqia e tij jo vetëm për të insistuar, por edhe për të shumëfishuat vetveten si një zjarr që përhapet. Ju mund të ndjeheni negativ ndaj gjithë botës dhe negativiteti bëhet si një përmbytje dhe ju zhyt poshtë. Nëse nuk keni bërë një arkë (mjet shpëtimi me eksperiencat tuaja) brenda jush, ju mund të mbyteni shpirtërisht.

Njeriu është si një shtëpi tre katëshe ku gjithçka që është brenda tij është në kaos. Padyshim që është përmbytur shpesh me gjendje negative, intelektuale dhe emocionale. Mendimi negativ i kombinuar me emocionet negative është shkatërrimtar i rrezikshëm. A na ka thënë dikush ndonjëherë qartë se çfarë është kjo gjendje negative dhe sa e keqe dhe e rrezikshme është? E qara ose të qenit i trishtuar shpesh konsiderohej si një shenjë e zhvillimit shpirtëror. Ka shumë piktura shumë të bukura të emocioneve të tilla negative. Ato janë admiruar shumë. Në ditët e sotme ka shumë piktura të shëmtuara dhe të shtrembëruara. Ato janë po aq të admiruara dhe po aq negative.

Çdo periudhë ka gjendjet e saj negative në modë. Njerëzit i duan emocionet e tyre negative. Ata nuk i lënë lehtë ato të bien. A nuk është e çuditshme që në pamje të parë nuk duket se ka shumë në këtë jetë që të mund t’i zëvendësojë ato? Emocionet e tjera bëhen të shurdhër, në krahasim me kënaqësinë kurioze të të qenit negativ, siç është planifikimi i hakmarrjeve psh. Gjithashtu, të qenit i zymtë ose i përhumbur, ose vetë-keqardhur, ose i bezdisur, ose i thartuar, ose thumbues dhe keqdashës, është kaq e lehtë sot. A keni reflektuar ndonjëherë për këtë? A ju ka ndodhur ndonjëherë të mendoni që duhet të ketë diçka tek emocionet negative të krahasueshme me drogat? Një drogë merr zotërimin e një personi. Nuk mund të largohet lehtë. Një emocion negativ jep një tërheqje të ngjashme me një drogë.

A mund të ecë bota vërtet pa emocionet e saj negative? Në fakt ne duhet të mësojmë ta bëjmë këtë. Një gjë që na ndihmon si fillim është të mësojmë t’i shprehim ato emocione më pak të pakëndshme ose të dhunshme. Kjo kërkon një vëmendje më të vetëdijshme se normalisht sepse duke i shprehur mekanikisht emocionet tona negative i fuqizojmë ato. Por ne mund të mësojmë se si t’i shprehim ato me më shumë vetëdije. Kjo modifikon fuqinë e tyre dëmtuese. Sigurisht kjo nuk do të thotë që duhet t’i shprehni me një buzëqeshje të ëmbël, fallco. Janë emocionet negative ato që qeverisin botën dhe jo seksi. Mos e mendoni veten si të veëantë dhe të lirë nga gjendjet negative. Të gjithë i kanë pavarësisht nuancave që marrin. Gjithmonë ia vlen të vëzhgoni dhe gjurmoni veprimin e fshehtë të emocioneve negative brenda jush.

Ato janë burimi i kaq shumë gjërave që ju bëni, për të cilat mendoni se po i bëni për ndonjë arsye tjetër. Të gjitha emocionet negative kërkojnë lirinë për të lënduar dikë, herët a vonë. Për shkak se emocionet negative shkatërrojnë jetën e gjithsecilit është është shumë e rëndësishme t’i studiosh ato, siç studiohet çdo sëmundje tjetër njerëzore. Ekzistojnë sëmundje tipike fizike dhe sëmundje tipike psikologjike. Sa i përket emocioneve negative, ekzistojnë tre linja studimi. Që të treja janë të domosdoshme për të na larguar nga kontrolli i tyre. Linja e parë është të studioni emocionet negative tek vetja juaj. Ju mund ta bëni këtë vetëm me anë të vetë-vëzhgimit. Ju duhet të vëzhgoni dhe të rikujtoni. Ju duhet të krijoni një memorie pune. Por për ta bërë këtë, duhet të jesh i gatshëm të pranosh që ke emocione negative.

 

Shumë njerëz nuk e pranojnë këtë. Nuk është hipokrizi. Ata madje nuk e dinë vërtet se cilat janë emocionet negative, ata nuk janë të vetëdijshëm për gjendjet e tyre negative. Disa vello të holla që pengojnë duhet të hiqen në këto raste. A dëgjoni ndonjëherë ndonjë njeri që të thotë pa dyshim: “Unë jam negativ”? Jo – ata thonë: “Unë jam i mërzitur”, ose “Më ka ardhur në majë të hundës”, ose fraza të ngjashme si “Unë jam i hidhëruar” ose “Unë jam i zemëruar”. Por fakti është se ata njerëz janë negativë. Problemi këtu është se kur nuk pranoni diçka në veten tuaj nën dritën e plotë të vetëdijes por e mbuloni atë, ajo ruan fuqinë e saj të fshehtë mbi ju, edhe pse juve ju duket sikur po e luftoni. A e dini se nëse një person i dhunshëm dhe nevrik fillon të shohë qartë dhe të bëhet më i vetëdijshëm për dhunën dhe zemërimin e tij duke mos bërë përpjekje për të justifikuar veten e tij, ai gradualisht do të fillojë të ndryshojë? Prandaj kërkohet që drita e vetëdijës të kthehet drejt vetes tonë – gjë që pothuajse ne nuk e bëjmë kurrë. Ne preferojmë errësirën në vend të dritës. Kjo do të thotë se ne preferojmë gjendjet negative, të cilat janë gjendje errësire.