Liria eshte nje zgjedhje individuale dhe secili duhet te marre pergjegjesine e te luftuarit për të. Rruga e luftëtarit ka vetëm një qëllim: Ta nxjerrë qenien njerëzore jashtë kufizimeve të perceptimit për të rifituar kontrollin e ndjenjave dhe për ta bërë të aftë të hyjë në rrugën e qëllimit final të qenieve njerëzore – liria. Për një luftëtar sfida e vetëdijes është totale. Natyra e njohjes së tij është ose merre ose lëre fare, por nuk mund të arsyetosh rreth saj dhe nuk mund ta verifikosh intelektualisht. E vetmja gjë që mund të bëhet është ta vësh atë në praktikë duke eksploruar mundësitë e jashtëzakonshme brenda qenies tonë.
A është rruga e luftëtarit paqësore?
Jo ata nuk janë paqësorë. Fati ynë si njerëz të zakonshëm nuk na e lejon këtë dhe nuk i shqetëson ata aspak. Kjo duhet kuptuar njëherë e mirë. Një luftëtar lind për të luftuar. Pasiviteti është dhunim i natyrës tonë sepse në esencë ne jemi të gjithë luftëtarë. Çdo qenie njerëzore e ka zënë vendin e tij në këtë botë në një betejë midis jetës dhe vdekjes. Që në momentin e parë kur kemi qenë spermatozoidë ne kemi luftuar me miliona të tjerë një betejë për jetën dhe e kemi fituar. Dhe tani lufta vazhdon përderisa ne jemi të bllokuar nga forcat e kësaj bote. Një pjesë e jona lufton për tu dizintegruar dhe vdekur kurse tjetra lufton për të mbajtur jetën dhe vetëdijen me çdo kusht. Nuk ka paqe. Një luftëtar e realizon këtë dhe e përdor në avantazhin e tij. Qëllimi i tij është të jetë ajo që inspiroi shkëndijën e jetës që e krijoi atë; Hyrja në nivele të reja të vetëdijes. Në shoqëri qenia njerëzore zbutet si kafshë shtëpiake nga fuqia e stimujve dhe dënimeve.
Ne na stërvisin të lindim dhe vdesim si dele duke ndjekur kode jonatyrale të sjelljes të cilat na bëjnë të humbim impulsin e jetës brenda nesh derisa shpirti ynë bëhet komplet i padallueshëm. Shoqëria ka vetëm një qëllim; të zhdukë forcën brenda nesh që na kthen në qenie magjike. E vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë është të pranojmë veten si jemi dhe të fillojmë të punojmë nga këtu. Luftëtari e di që jeton në një univers predator dhe duhet të jetë vigjilent sepse çdo moment është një betejë për jetë a vdekje.
Ne jetojmë në një rrymë që rrjedh nga fillimi deri në fund të jetës tonë. Luftëtari jeton në harmoni me këtë rrjedhë dhe nuk ndalet në mes të rrugës për të pushuar. Çdo moment është luftë për të. Por mos kujtoni se ai lufton kundër njerëzve të tjerë. Sfida e tij është me dobësitë e tij derisa vetëdija e tij në momentin final të jetës të shpërthejë dhe vetëdija e tij të mos vdesë. Çdo njeri duhet ta pyesë veten se çfarë po bën me jetën e tij dhe pse ka ardhur në këtë jetë. Asnjë luftëtar nuk i pranon kufizimet sociale. Përgjegjësia e tij është ndaj vetes. Pse i është dhënë njeriut fuqia e perceptimit? Për të fshirë fatin e kafshës apo … ?
Çfarë i jep kuptim jetës së njeriut është sfida e vdekjes dhe vdekja është një çështje personale. Është një sfidë për të gjithë ne por vetëm një luftëtar e pranon. E parë nga kjo anë shqetësimet e njerëzve në jetën e përditshme janë thjesht egomania e tyre. Synimi është gjetja e një “kuptimi të pastër” – gjendje e cila vjen nga qetësia e brendshme – dhe jo përshtatja me modalitetet e kohës ku jetojmë. Shqetësimet tona sociale janë thjesht përshkrimi i asaj që është implantuar brenda nesh dhe nuk burojnë nga zhvillimi i vetëdijes tonë. Ato janë më shumë produkt i i mendjes kolektive ose çrregullimeve emocionale, i ndjenjave të frikës dhe fajit, i dëshirës për të udhëhequr ose për tu udhëhequr.
Njeriu modern sot nuk po lufton betejat e tij por luftra të kota kundër të afërmve të tij të cilat nuk kanë të bëjnë me shpirtin njerëzor. Gjendja e njeriut është shumë e rëndë dhe gjithë lojrat që bëhen duke filluar që nga New Age e deri të tjerat janë thjesht një mbulesë. Mjeshtri im thoshte – Ka vetëm dy lloje njerëzish; ata që kanë energji dhe ata që nuk kanë energji. Ai ishte në luftë të përhershme me verbërinë e njerëzve të tjerë por kurrë nuk ndërhyri te asnjeri. Kur unë e pyeta pse nuk i ndihmonte njerëzit e tjerë ai më tha – mos e gënje veten me gjëra si këto, nëse gjendja e njerëzimit të intereson vërtet nuk do ta trajtoje veten si një derr. Mëshira për të tjerët buron nga frika për veten.
Ndihma për njeriun mund të vijë vetëm nga një vetëdije superiore dhe jo nga gjendje sentimentale humane. Me kohë çdo luftëtar e kupton që shqetësimi për të tjerët është një mashtrim dhe tentativë për të ikur nga vetja duke i transferuar problemet tek të tjerët. Ajo që quhet dhembshuri në këtë botë është një sëmundje psikike që na kokoleps më shumë me egon tonë. Duke i përsëritur vetes tonë të njëjtat broçkulla pa pushim ne kemi ndryshuar interesin e vërtetë të shpirtit njerëzor me sentimentalizma pa vlerë. Por a kemi ndryshuar gjë? Kur mendja kolektive bëhet shumë e fortë dhe ushtron presion kujtojini vetes vetëm një gjë që një ditë do të vdisni. Kjo është e vetmja gjë që mund ta rindezë vetëdijen e njeriut. Ne jemi qenie që do të vdesim por jemi programuar të jetojmë si kafshë transporti duke mbajtur mbi supe zakonet, idetë dhe besimet e të tjerëve deri në fund.
Njeriu mund ta ndryshojë këtë. Kjo është liria që një luftëtar ofron dhe që mund ta kapim me dorën tonë. Jeta është një mister i madh që i shfaqet vetëm atyre që kërkojnë për të. Ndjenja e një luftëtari për fatin e tij është kjo – Unë e di që fundi im mund të jetë fshehur kudo dhe nuk mund të bëj asgjë për ta shmangur atë, prandaj do të eci në rrugën time me vetëdijen dhe përgjegjësinë e të jetuarit totalisht të jetës time. Ai hyn në luftë jo për të fituar por për ta jetuar atë luftë. Vetë hyrja në luftë është fitore për të. Dhe ndërsa lufton ai është i lumtur sepse çdo sekondë e jetës është një dhuratë për të. Disiplina e luftëtarit nuk duhet ngatërruar me rutinën e njerëzve normalë. Ajo është krijuese e hapur dhe jep liri. Është aftësia për tu përballur me të panjohurën
Duke konsideruar gjëra që i tejkalojnë idetë tona ai lufton një luftë për vetëdije. Është kurajo për të mos pasur dhembshuri dhe turp por vetëdije dhe vullnet. Vetëm kjo e ndryshon botën në një të re dhe më të bukur, jo të imponuar nga jashtë. Nëse një derë është e mbyllur ne nuk i biem asaj me shkelm por kërkojmë dhe gjejmë mënyrën për ta hapur. Edhe në jetë luftëtari as nuk ofendohet nga askush dhe as nuk ka nevojë për askënd por mëson të kultivojë delikatesën dhe elegancënShumë nxënës pasi kërkojnë për vite me radhë dhe nuk gjejnë asgjë tërhiqen të zhgënjyer pa e ditur që kanë qenë shumë pranë qëllimit final. Është gjynah të notosh nga mesi i detit deri në breg dhe të mbytesh aty. Nëse doni n të njihni vetveten duhet të bëheni të vetëdijshëm për vdekjen tuaj. Është e vetmja gjë realisht e juaja dhe e vetmja gjë e sigurtë. Përdoreni atë për të prodhuar rezultate reale në jetët tuaja.
Është e kotë të besoni në përralla që jeni të rëndësishëm. Asnjë nga ne nuk është aq i rëndësishëm sa të justifikojë shpikje fantastike si pavdekësia. Hidhni poshtë shpresat e kota dhe punoni konkretisht për t’iu larguar kësaj gjendje të njeriut sot dhe për të kapur daljen e vetme që kemi – thyerjen e barrierës perceptuale dhe ngritjen e vetëdijes. Luftëtari e transformon frikën kafshërore për zhdukje në një mundësi për gëzim sepse njeh vlerën që ka çdo moment. Si luftëtarë dhe si njerëz të gjithë do të vdesim. Vdekja nuk është lojë por është realitet. Kjo botë është një burg dhe neve na duhet të ikim pa marrë asgjë me vete. Qeniet njerëzore janë udhëtarë nga natyra. Të fluturojnë dhe njohin horizonte të reja është fati i tyre.
Por ka dy lloje udhëtarësh. Luftëtarë që mund të ikin me totalitetin e tyre sepse kanë jetuar çdo detaj të jetës së tyre dhe njerëz normalë me ekzistenca të mërzitshme, pa krijueshmëri ku shpresë të vetme kanë përsëritjen e stereotipeve deri në fund; njerëz që nuk bëjnë asnjë diferencë nëse vdesin sot apo pas 30 vjetësh. Ne të gjithë presim platformën e përjetësisë por jo kushdo e njeh atë. Vetëdija e vdekjes është një art i madh. Për një luftëtar që ka dëgjuar pëshpëritjen e shpirtit të tij, gjërat më të thjeshta bëhen të jashtëzakonshme. Ai shijon çdo moment sikur të ishte i fundit. Ai nuk harxhon kohë derisa të mërzitet, ai nuk harxhon energji, ai nuk pret të plaket për të zbuluar misteret e jetës. Ai kërkon, eksploron, njeh dhe mrekullohet sepse është i vetëdijshëm që ka ardhur në këtë botë për ta njohur atë.