You are currently viewing Kënaqësia sensuale

Kënaqësia sensuale

Na ndiqni në rrjetet sociale

Kënaqësia sensuale, lakmia për pushtet, egoizmi: janë mallkuar më shumë deri më sot dhe mbajnë një reputacion të gabuar dhe të padrejtë. Këto do i peshojmë mirë dhe më njerëzisht. Kurrë mos u përpiqni të impononi mbi veten standarde jonjerëzore, të cilat vetëm do t’ju dëmtojnë, të cilat vetëm do t’i shkurtojnë krahët tuaj, të cilat vetëm do t’ju skllavërojnë në një skllavëri aq të thellë psikologjike sa do të jetë shumë e vështirë për të dalë prej saj. Tentativa për tu kapur pas këtyre standardeve duket sikur është më e sigurtë; duket si më e përshtatshme; duket si më e pranueshme për shoqërinë. Sa më shumë njeriu përpiqet për ta disiplinuar veten në vlera jonjerëzore, natyrisht aq më shumë ai do të jetë vetëm një hipokrit. Por turmat do ta respektojnë atë si një shenjtor – për arsyen e thjeshtë se ata nuk mund ta bëjnë atë gjë. Ata janë përpjekur, por ky njeri duhet të jetë i madh; ai po e bën këtë. Ka shumë të ngjarë që ai të ketë një personalitet të dyfishtë. Ai ka dy fytyra: një për t’ia treguar botës dhe një që është gjë private, me të cilën ai e jeton në fshehtësi. Jeta vazhdon nën sipërfaqe. Por në sipërfaqe ai pretendon të gjitha ato vlera që janë njerëzisht të pamundura.

E para është kënaqësia sensuale – e dënuar nga çdo fe pa asnjë kusht. Por nëse ju shihni më njerëzisht në kënaqësitë sensuale… ka disa gjëra për të mbajtur mend. Njëra është: nëse ju hiqni dorë nga kënaqësia sensuale, gjë të cilën të gjithë të ashtuquajturit shenjtorët e juaj janë duke kërkuar që ju të bëni, ju do të bëheni gjithnjë e më shumë të pandjeshëm. Është kënaqësia sensuale ajo që i mban shqisat tuaja gjallë, të pushtuara, duke vallëzuar. Është kënaqësia sensuale e cila mban ndjeshmërinë tuaj në maksimum. Nëse ju hiqni dorë nga kënaqësia sensuale ju jeni duke hequr dorë nga ndjeshmëria juaj. Ju do të shihni lule trëndafili, por nuk do të jeni në gjendje të shihni bukurinë e saj. Ju do të shihni hënën e plotë natën, por nuk do të mund të shihni bukurinë e saj – sepse për ta parë bukurinë, ju duhet ndjeshmëria. Nëse ju nuk mund të shihni bukurinë e një gruaje, si mund të shihni bukurinë e një nate me yje? Si mund të shihni bukurinë e luleve? Nëse nuk jeni të ndjeshëm ju nuk mund të përjetoni gëzimin e muzikës, kënaqësinë mahnitëse të pikturës, skulpturës, poezisë. Gjithë madhështia, gjithë kontributi nga gjenitë e mëdhenj të njerëzimit, bëhet i paarritshëm sepse ju jeni plotësisht të verbër, të shurdhër. Ndjeshmëria juaj dalëngadalë bëhet e vdekur. Dhe në qoftë se të gjitha shqisat tuaja bëhen të vdekura ju jeni thjesht një kufomë. Cili është dallimi në mes një kufome dhe një njeriu të gjallë?

Njeriu i gjallë është i ndjeshëm. Të gjitha shqisat e tij funksionojnë në mënyrë optimale. Ai mund të dëgjojë notat më të lehta të muzikës dhe mund të shohë bukurinë më të thellë në art, ai mund të ndiejë gëzimin e poezisë. Por kjo është e mundur vetëm në qoftë se ai lejon kënaqësitë e tij sensuale të rrjedhin – të papërmbajtshme, pa asnjë kusht.

Zarathustra thotë; e para është kënaqësia sensuale: një helm i ëmbël për të vyshkurit, por vera e verërave, rinovuese e mrekullueshme dhe e ruajtur me nderim për ata që kanë vullnetin e luanit.

Zarathustra sigurisht që është i pakrahasueshëm. Kur është fjala për të vërtetën ai thjesht e thotë atë pa e vrarë mendjen nëse e dëgjojnë apo jo. Mund të shkojë kundër të gjithë botës, por nuk ka problem ai qëndron i vetëm, ai mbetet me të vërtetën. Ai thotë, kënaqësia  sensuale është… vetëm një helm i ëmbël për të vyshkurit  … vetëm për të dobtit. Dhe të dobëtit kanë sunduar mbi të fortët. Jointeligjentët kanë vendosur modele jetësore për inteligjentët. Turmat po bëjnë idetë, për të jetuar sipas tyre dhe urdhërime që duhen ndjekur. Të gjitha këto morale, kode etike janë krijuar nga njerëzit pa jetë, të dobëtit, të vonuarit dhe budallenjtë.

Në fakt ato janë perfekte për ta, por ata harrojnë krejtësisht se jo të gjithë janë dele, ka edhe luanë gjithashtu. Dhe luani nuk mund të detyrohet të jetë një dele. Ju mund ta futni në kafaz luanin, mund ta burgosni atë. Dhe kjo është ajo që të gjithë njerëzit me vullnet të fortë në këtë botë ndjejnë: ata janë të burgosur – të burgosuar nga të vegjlit, nga të dobtit, nga turma.

Sigurisht delet janë me shumicë. Dhe vetëm për shkak të numrit të tyre ato kanë vendosur mënyra jetese të cilat i shkojnë atyre përshtat, por që janë burgim dhe vdekje për ata që janë mjaft të fortë. Duhet të ekzistojë një dallim i qartë: diçka që mund të jetë helm për dikë mund të jetë një ilaç për dikë tjetër. Varet se kujt ia jep.

Një helm i ëmbël për të vyshkurit, por vera e verërave, rinovuese e mrekullueshme dhe e ruajtur me nderim për ata që kanë vullnetin e luanit. Zarathustra po thotë diçka të një rëndësie të madhe dhe madhështore: e ruajtur me nderim. Ai është duke thënë se kënaqësia sensuale është diçka e shenjtë. Në qoftë se ajo ju shkatërron nuk është faji i saj por është dobësia juaj. Bëhuni të fortë! Por të ashtuquajturit udhëheqësit tuaj ju kanë thënë juve të kundërtën: hiqni dorë nga kënaqësitë sensuale.

Dhe sa më shumë që hiqni dorë nga ato aq më të dobët ju do të bëheni, sepse ju do të humbisni të gjithë fuqinë rigjeneruese, të gjithë fuqinë rinovuese. Ju do të humbni  kontaktin me ekzistencën – sepse me anë të shqisave ju jeni të lidhur me ekzistencën. Nëse i mbyllni shqisat tuaja ju e keni përgatitur tashmë varrin tuaj.

Zarathustra do të thotë pikërisht të kundërtën. Nëse kënaqësia sensuale ju shkatërron, kjo do të thotë që ju duhet të jeni më të fortë. Dhe disiplina duhet t’ju jepet në mënyrë që të mund të bëheni më të fortë. Nuk duhet hequr dorë nga kënaqësia sensuale, por nga dobësia duhet të hiqet dorë. Dhe të gjithë duhet të bëhen aq të fortë sa të mund të shijojnë “verën e verërave” pa u shkatërruar nga ajo, por në të kundërtën, të bëhen më të fortë, më të rinj, më të freskët.

Sensualiteti është dënuar aq shumë sa e ka bërë të gjithë botën e qenieve njerëzore krejtësisht të dobët, të pandjeshme, të palidhur me jetën. Shumica e rrënjëve tuaja janë prerë; vetëm disa rrënjë ju kanë lënë thjesht që ju të mund të mbijetoni në emër të jetës.

Kënaqësia sensuale: lumturia e madhe simbolike e një lumturie më të lartë dhe shprese më të madhe. Kënaqësia sensuale duhet të kuptohet si një tregues i një lumturie edhe më të madhe e cila është e mundur. Varet vetëm nga zgjuarsia juaj. Varet se si i përdorni energjitë e jetës suaj. Varet nëse ju nuk e ndalni kënaqësinë sensuale. Kënaqësia sensuale është vetëm një shigjetë që tregon se ka kënaqësi më të mëdha, se ka lumturi më të mëdha, se ka realizime më të mëdha.

Por nëse ju hiqni dorë nga kënaqësia sensuale… është sikur të shihni në rrugë një shigjetë që tregon se ky nuk është vendi për të ndaluar – ecni përpara! Ata që heqin dorë thonë, ” Zhdukeni atë shigjetë. Hiqni dorë nga vendmbërritja.” Por, atëherë kush do t’ju tregojë se juve keni ende një rrugë të gjatë për të bërë.

Deri sa të arrini tek gëzimi më i madh i jetës… kënaqësia sensuale është vetëm fillimi jo, fundi. Por nëse ju e mohoni fillimin e keni mohuar fundin. Kjo është një logjikë e tillë e thjeshtë, por ndonjëherë ajo që është e qartë harrohet më lehtë. Të gjitha fetë ju kanë mësuar, ”Nëse mohoni kënaqësitë sensuale, vetëm atëherë ju do të jeni në gjendje të keni bekimin shpirtëror.” Por kjo është absurde dhe jologjike.

Kënaqësia sensuale do të jetë një gur ndihmës në rrugën tuaj. Dhe ju po e shkatërroni atë gur që shkelni. Ju kurrë nuk do të arrini në një nivel më të lartë – ju e keni hequr shkallën. Shkalla është diçka që duhet kaluar, por jo të hiqet dorë! Mos harroni dallimin në mes të tejkalimit dhe heqjes dorë.

Zarathustra thotë, ” Tejkaloni por kurrë mos hiqni dorë, sepse nëse ju hiqni dorë nuk ka asgjë për tu tejkaluar.” Shijoni kënaqësitë sensuale në të gjitha varietet e tyre dhe sa më intensivisht të jetë e mundur. Shterojini ato, në mënyrë që papritmas ju të bëheni të vetëdijshëm që “bota e kënaqësive sensuale ka përfunduar dhe unë duhet të shkoj përtej.” Por kënaqësia sensuale ju ka treguar rrugën. Ju do të jeni mirënjohës ndaj saj; ju nuk do të jeni kundër kësaj. Ajo s’ka marrë asgjë nga ju; vetëm ju ka dhënë.

Përgatiti: Eliza Babatinca (Elizza)