Gjumi dhe Vetëdija e qartë

Gjumi dhe Vetëdija e qartë

Na ndiqni në rrjetet sociale

Mundësitë e njeriut janë shumë të mëdha. Ju nuk mund të imagjinoni as hijen e asaj që njeriu është i aftë të arrijë. Por asgjë nuk mund të arrihet në gjumë. Në vetëdijen e një njeriu në gjumë iluzionet e tij, “ëndrrat” e tij janë të përziera me realitetin. Ai jeton në një botë subjektive dhe ai kurrë nuk mund të shpëtojë prej saj. Dhe kjo është arsyeja pse ai kurrë nuk mund të shfrytëzojë të gjitha fuqitë që zotëron dhe pse jeton gjithmonë vetëm në një pjesë të vogël të vetvetes. As funksionet psikike dhe as ato fizike të njeriut nuk mund të kuptohen, tha ai, nëse nuk kuptohet fakti që ato të dyja mund të punojnë në gjendje të ndryshme të vetëdijes. Ekzistojnë katër gjendje të vetëdijes të mundshme për njeriun, por njeriu i zakonshëm, jeton vetëm në dy gjendjet më të ulëta të vetëdijes.

Dy gjendjet më të larta të vetëdijes janë të paarritshme për të dhe megjithëse ai mund të ketë fragmente nga këto gjendje, ai nuk është në gjendje t’i kuptojë dhe i gjykon ato nga këndvështrimi i atyre gjendjeve në të cilat është mësuar që ai të jetë. Dy gjendjet e vetëdijes të zakonshme, domethënë ato më të ulëta, janë së pari, gjumi, me fjalë të tjera një gjendje pasive në të cilën njeriu kalon një të tretën dhe shumë shpesh gjysmën e jetës së tij dhe së dyti, është gjendja në të cilën njerëzit kalojnë pjesën tjetër të jetës së tyre, në të cilën ata ecin nëpër rrugë, shkruajnë libra, flasin për tema të ndryshme, marrin pjesë në politikë, vrasin njëri-tjetrin, të cilën ata e konsiderojnë si aktive dhe e quajnë ‘vetëdije të qartë’ ose ‘gjendje zgjimi të vetëdijes’.

Shprehja vetëdije e qartë ose gjendje zgjimi e vetëdijes duket se është dhënë si shaka, veçanërisht kur e kuptoni se cila vetëdije e qartë duhet të jetë në realitet dhe cila është gjendja në të cilën jeton dhe vepron njeriu në të vërtetë. Gjendja e tretë e vetëdijës është vetë-kujtesë ose vetëdije e qenies së dikujt. Është bërë e zakonshme për ne që të konsiderojmë se e kemi këtë gjendje të vetëdijes ose që mund ta kemi në çdo moment nëse e dëshirojmë. Shkenca dhe filozofia jonë e kanë anashkaluar faktin se ne nuk e kemi këtë gjendje të vetëdijës dhe që nuk mund ta krijojmë atë në vetvete me dëshirë ose me vendim. Gjendja e katërt e vetëdijes quhet gjendje objektive e vetëdijes Në këtë gjendje një njeri mund t’i shohë gjërat ashtu siç janë. Fragmente të kësaj gjendje të vetëdijes ndodhin ndonjëherë tek njeriu.

Në fetë e të gjitha botës ka indikacione për mundësinë e një gjendje të vetëdijes së këtij lloji e cila quhet ‘iluminim’ dhe emra të tjerë të ndryshëm por që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Mënyra e vetme e drejtë për vetëdijen objektive është përmes zhvillimit të vetë-dijes. Nëse një njeri i zakonshëm futet artificialisht në gjendjen e vetëdijes objektive dhe më pas rikthehet në gjendjen e tij të zakonshme ai nuk do të kujtojë asgjë dhe do të mendojë se për një farë kohë  kishte humbur vetëdijen. Por në gjendjen e vetëdijes një njeri mund të ketë fragmente të vetëdijes objektive dhe t’i kujtojë ato. Gjendja e katërt e vetëdijes tek njeriu nënkupton një gjendje krejtësisht të ndryshme të qenies që është rezultat i rritjes së brendshme dhe i një pune të gjatë dhe të vështirë për veten. Gjendja e tretë e vetëdijes përbën të drejtën natyrore të njeriut ashtu siç është dhe nëse njeriu nuk e zotëron atë, kjo ndodh vetëm për shkak të kushteve të gabuara të jetës së tij.

Mund të thuhet pa asnjë ekzagjerim që në kohën e sotme gjendja e tretë e vetëdijes ndodh tek njeriu vetëm në formën e fragmenteve shumë të rralla dhe se mund të bëhet pak a shumë e përhershme tek ai vetëm me anë të trainimeve të veçanta. Për shumicën e njerëzve, madje edhe për njerëzit e arsimuar dhe mendimtarë, pengesa kryesore në mënyrën e përvetësimit të vetëdijës konsiston në faktin se ata mendojnë se e posedojnë atë, domethënë që ata mendojnë se posedojnë vetëdije dhe gjithçka që lidhet me të. Pra individualitet në kuptimin e një UNI të përhershëm dhe të pandryshueshëm, vullnet, aftësi për të bërë, etj. Është e qartë se një njeri nuk do të ketë asnjë interes nëse i thoni atij se ai mund të fitojë me punë të gjatë dhe të vështirë diçka që për mendimin e tij e ka.

Përkundrazi, ai do të mendojë se jeni i çmendur, ose se doni ta mashtroni, me qëllim përfitimi personal. Dy gjendjet më të larta të vetëdijes – vetëdija dhe vetëdija objektive janë të lidhura me funksionimin e qendrave të larta te njeriu. Përveç atyre qendrave për të cilat kemi folur deri më tani ekzistojnë dy qendra të tjera tek njeriu, ‘qendra emocionale e lartë’ dhe ‘qendra e mendimit e lartë’. Këto qendra janë tek ne; ato janë plotësisht të zhvilluara dhe janë në punë gjatë gjithë kohës, por puna e tyre nuk arrin në vetëdijen tonë të zakonshme. Shkaku qëndron në vetitë e veçanta të të ashtuquajturës ‘vetëdije e qartë’.  Për të kuptuar se cili është ndryshimi midis gjendjeve të vetëdijes, le të kthehemi në gjendjen e parë të vetëdijës që është gjumi.

Gjumi është një gjendje krejtësisht subjektive e vetëdijes. Në gjumë njeriu është i zhytur në ëndrra dhe i kujton ato apo jo, nuk ka fare rëndësi. Edhe nëse disa impresione të vërteta i arrijnë, siç janë tingujt, zërat, ngrohtësia, ftohja, ndjesia e trupit të tij, ato ngjallin tek ai vetëm imazhe fantastike subjektive. Atëherë ai njeri zgjohet. Në pamje të parë kjo (zgjimi) është një gjendje krejt tjetër e vetëdijes. Ai mund të lëvizë, ai mund të flasë me njerëz të tjerë, ai mund të bëjë llogaritjet përpara në kohë, ai mund të shohë rrezik dhe ta shmangë atë, etj. Duke arsyetuar duket sikur ai është në një pozitë më të mirë sesa kur ishte në gjumë. Por nëse hyjmë pak më thellë dhe nëse hedhim një vështrim në botën e tij të brendshme, në mendimet e tij, në shkaqet e veprimeve të tij, do të shohim se ai është pothuajse në të njëjtën gjendje si kur ishte në gjumë.

Dhe kjo është akoma më keq, sepse në gjumë ai është pasiv, domethënë ai nuk mund të bëjë asgjë. Ndërsa në gjendjen e zgjimit, ai mund të bëjë diçka gjatë gjithë kohës dhe rezultatet e të gjitha veprimeve të tij do të reflektohen tek ai ose tek ata që e rrethojnë. E megjithatë ai nuk është në gjendje të kujtojë vetveten. Ai është një makinë, gjithçka atij i ndodh. Ai nuk mund të ndalojë rrjedhën e mendimeve të tij, ai nuk mund të kontrollojë imagjinatën e tij, emocionet e tij, vëmendjen e tij. Ai jeton në një botë subjektive të Unë dua, nuk dua, Pëlqej, nuk pëlqej etj, etj. Domethënë ai jeton në botën subjektive të asaj që ai mendon se i pëlqen, të asaj që ai mendon se nuk i pëlqen, të asja që ai mendon se dëshiron, të asaj që ai mendon se nuk dëshiron. Ai nuk e sheh botën e vërtetë. Bota e vërtetë i fshihet tij nga muri i imagjinatës. Ai jeton në gjumë. Ai është në gjumë. Ajo që quhet ‘vetëdije’ sot në botë, është gjumë dhe një gjumë shumë më i rrezikshëm sesa gjumi natën në shtrat.

Le të marrim disa ngjarje në jetën e njerëzimit. Për shembull, lufta. Ka një luftë që po ndodh në momentin e tanishëm. Çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton që disa miliona njerëz në gjumë po përpiqen të shkatërrojnë disa miliona njerëz të tjerë që flenë. Ata nuk do ta bënin këtë, natyrisht, nëse do të zgjoheshin. Çdo gjë që ndodh është për shkak të këtij gjumi. Të dyja këto gjendje të vetëdijes, gjumi dhe gjendja e zgjuar janë po njësoj subjektive. Vetëm duke filluar të kujtojë veten, një njeri zgjohet vërtet. Dhe pastaj e gjithë jeta përreth tij krijon një aspekt tjetër dhe merr një kuptim tjetër. Ai sheh që kjo është jeta e njerëzve që flenë, një jetë në gjumë. Çdo gjë që thotë, gjithçka që bën, njeriu e thotë dhe e bën në gjumë. E gjithë kjo nuk mund të ketë asnjë vlerë. Vetëm zgjimi dhe ajo që çon në zgjim ka vlerë në realitet.

Një pyetje e bërë shpesh është, nëse luftërat mund të ndalen? Sigurisht që munden. Por për këtë është vetëm e nevojshme që njerëzit të zgjohen. Duket si një gjë e vogël. Por në fakt, është gjëja më e vështirë që mund të jetë sepse ky gjumë nxitet dhe mirëmbahet nga e gjithë jeta përreth, nga të gjitha kushtet rrotull nesh. Si mund të zgjohet njeriu atëherë? Si mund të shpëtojë njeriu nga ky gjumë? Këto pyetje janë më të rëndësishmet e më thelbësoret që mund të përballet njeriu. Por para kësaj është e nevojshme të bindeni për vetë faktin e gjumit. Dhe kjo është e mundur vetëm duke provuar të zgjoheni. Kur njeriu e kupton që nuk e kujton veten dhe se të kujtosh veten do të thotë të zgjohesh në një farë mase, dhe kur në të njëjtën kohë sheh me përvojë se sa e vështirë është të kujtosh veten, do të kuptojë që nuk mund të zgjohet thjesht duke pasur dëshira për ta bërë këtë.

Kjo është ajo që duhet kuptuar. Është e mundur të mendosh për mijëra vjet; është e mundur të shkruhen biblioteka të tëra librash, të krijohen teori me miliona, dhe e gjithë kjo në gjumë, pa ndonjë mundësi zgjimi. Përkundrazi, këto libra dhe këto teori, të shkruara dhe të krijuara në gjumë, thjesht do të dërgojnë njerëz të tjerë për të fjetur. Nuk ka asgjë të re në idenë e gjumit. Njerëzve u është thënë pothuajse që nga krijimi i botës se ata janë në gjumë dhe se ata duhet të zgjohen. Sa herë është thënë kjo në Ungjij, për shembull? Zgjohuni, shikoni, rrini zgjuar. Dishepujt e Krishtit madje flinin kur ai po lutej për herë të fundit në Kopshtin e Gethsemane. Është gjithçka atje. Por a e kupton njeriu? Njerëzit e marrin atë thjesht si një formë të të folurit, si një shprehje, si një metaforë.

Ata plotësisht nuk arrijnë të kuptojnë se ajo duhet të merret fjalë për fjalë. Dhe përsëri është e lehtë të kuptohet pse. Për ta kuptuar këtë fjalë për fjalë është e nevojshme të zgjoheni pak, ose të paktën të përpiqeni të zgjoheni. Unë jam pyetur disa herë pse nuk thuhet asgjë për gjumin në Ungjij. Edhe pse është folur pothuajse në çdo faqe. Kjo thjesht tregon që njerëzit lexojnë Ungjijtë në gjumë. Për sa kohë që një njeri fle thellësisht dhe është i zhytur plotësisht në ëndrra, ai as nuk mund të mendojë për faktin se është në gjumë. Nëse ai do të mendonte se është në gjumë, ai do të zgjohej. Kështu që gjithçka vazhdon. Dhe njerëzit nuk e kanë idenë më të vogël se çfarë po humbasin për shkak të këtij gjumi. Siç e kam thënë tashmë, ashtu siç gjërat janë organizuar, domethënë të qenit i tillë siç natyra e ka krijuar atë, njeriu mund të jetë një qenie e vetëdijshme.

I tillë ai është krijuar dhe i tillë ai ka lindur. Por ai ka lindur në mesin e njerëzve që flenë gjumë dhe natyrisht, ai bie në gjumë mes tyre pikërisht në kohën kur ai duhet të fillonte të ishte i vetëdijshëm për veten e tij. Shumë gjëra ndikojnë në krijimin e kësaj situate: imitimi i pavullnetshëm i të rriturve nga ana e fëmijës, sugjerimi vullnetshëm dhe i pavullnetshëm, dhe ajo çfarë quhet ‘arsimim’. Çdo përpjekje për t’u zgjuar nga ana e fëmijës ndalet menjëherë. Kjo është e pashmangshme. Dhe një përpjekje akoma më e madhe dhe një ndihmë më e madhe janë të nevojshme për t’u zgjuar më vonë, kur mijëra zakone të zakonshme të gjumit janë grumbulluar brenda nesh. Por edhe kjo ndodh shumë rrallë. Në shumicën e rasteve, një njerië kur ende është fëmijë humbet mundësinë e zgjimit. Ai jeton në gjumë tërë jetën e tij dhe ai vdes në gjumë. Për më tepër, shumë njerëz vdesin shumë kohë përpara vdekjes së tyre fizike.

Tani kthejeni vëmendjen tuaj në ato që ju kam theksuar më lart. Një njeri plotësisht i zhvilluar, të cilin unë e quaj ‘njeri në kuptimin e plotë të fjalës’, duhet të ketë katër vetëdije. Njeriu i zakonshëm, jeton vetëm në dy gjendje të vetëdijes. Por njeriu nuk di asgjë për gjendjen e tretë të vetëdijes dhe as nuk e dyshon atë. As ai nuk mund të dyshojë sepse nëse do t’i shpjegonit atij se cila është gjendja e tretë e vetëdijës, domethënë në ajo konsiston, ai do të thoshte se ajo është gjendja e tij e zakonshme. Ai e konsideron veten të jetë një qenie e ndërgjegjshme që e rregullon vetë jetën e tij.

Faktet që kundërshtojnë këtë, ai i konsideron të rastësishme ose të përkohshme, të cilat do të ndryshojnë vetë. Duke konsideruar veten se ai posedon vetëdije, të dhënë nga natyra, një njeri sigurisht që nuk do të përpiqet t’i afrohet ose ta përvetësojë atë.

E megjithatë pa vetëdije, apo gjendjen e tretë, e katërta, përveçse në raste çastesh të rralla, është e pamundur. Njohuria, dmth, njohuria e vërtetë objektive ndaj së cilës njeriu, vetë-pohon se po lufton, është e mundur vetëm në gjendjen e katërt të vetëdijës, domethënë, kushtëzohet nga zotërimi i plotë i gjendjes së katërt të vetëdijës sepse njohuritë e fituara në gjendjen e zakonshme të vetëdijës ndërthuren me imagjinatën dhe nuk janë reale. Vetëm në gjendjen e katërt keni një panoramë të plotë të qenies së njeriut dhe pjesëve të tij. Është thënë para se vetë-studimi dhe vetë-vëzhgimi, nëse zhvillohen saktë, e çojnë njeriun në realizimin e faktit se diçka nuk shkon me makinën e tij dhe me funksionet e tij në gjendjen e tyre të zakonshme. Një njeri e kupton se është pikërisht fakti që ai është në gjumë, që e bën atë të jetojë dhe punojë në një pjesë të vogël të vetvetes. Është pikërisht për këtë arsye që pjesa dërrmuese e mundësive të tij mbeten të parealizuara, shumica dërrmuese e fuqive të tij lihen të papërdorura.

Vetë-vëzhgimi e sjell njeriun në realizimin e domosdoshmërisë së ndryshimit të vetvetes. Dhe në vëzhgimin e vetvetes një njeri vëren se vetë-vëzhgimi vetë sjell ndryshime të caktuara në proceset e tij të brendshme. Ai fillon të kuptojë se vetë-vëzhgimi është një instrument i vetë ndryshimit, një mjet për t’u zgjuar. Duke vëzhguar veten, ai hedh, si të thuash, një rreze drite mbi proçeset e tij të brendshme, të cilat deri më tani kanë punuar në errësirë ​​të plotë. Dhe nën ndikimin e kësaj drite vetë proçeset fillojnë të ndryshojnë. Edhe një dritë e dobët e vetëdijës është e mjaftueshme për të ndryshuar plotësisht karakterin e një proçesi. Proceset tona të brendshme psikike (alkimia jonë e brendshme) kanë shumë të përbashkëta me ato procese kimike, në të cilat drita ndryshon karakterin e procesit dhe ato i nënshtrohen ligjeve analoge.

Close Menu
error: Përmbajtja nuk mund të kopjohet