Ky artikull flet për “kundërshtarët” që mund të hasen në rrugën drejt njohjes dhe që kërkojnë të pengojnë evolucionin e njeriut. “Njeri i njohjes është një njeri i cili ndjek me besnikëri sakrificat e të mësuarit, një njeri që pa u nxituar dhe pa hezituar ka arritur deri ku ka pasur mundësi në zbulimin e sekreteve të dijes dhe njohjes”. Por jo kushdo mund të bëhet i tillë. Për ta realizuar këtë duhen sfiduar dhe mundur katër armiqtë natyralë të njeriut”. Nëse njeriu bën këtë mund të quhet njeri i njohjes. Kushdo mund ta tentojë këtë edhe pse në realitet shumë pak ia arrijnë qëllimit. Armiqtë që ndeshen në rrugën e njohjes janë vërtet të tmerrshëm dhe shumica e njerëzve dorëzohen”.
Kur një njeri fillon udhëtimin drejt njohjes nuk është i qartë se cilat janë objektivat e tij. Qëllimi është i turbullt dhe kauza e tij është e vakët. Shpreson në shpërblime që nuk konkretizohen sepse nuk di asgjë për vështirësitë. Fillon të mësojë ngadalë me hapa të vegjël dhe më vonë vazhdon me hapa të mëdhenj. Por shpejt mendimet fillojnë të hyjnë në konflikt. Ajo që ai mëson nuk është ajo që ai imagjinonte në fillim dhe kështu fillon të ketë frikë. Njohja nuk është kurrë shpresa e fillimit. Çdo hap që hidhet është një detyrë e re dhe frika që njeriu provon rritet shumë. Qëllimi i tij kthehet në një fushë beteje. Njeriu kështu ndodhet ballë për ballë me armikun e tij të parë Frikën. Një armik i fuqishëm, tradhtar dhe i vështirë për tu superuar. Frika rri e fshehur në çdo cep, gati duke të pritur. Dhe nëse njeriu i trembur nga prezenca e saj tërhiqet atëherë armiku i ka dhënë fund kërkimit të tij ose rrugës që ai ka nisur. “Çfarë i ndodh njeriut që mundet prej frikës?” “Nuk i ndodh asgjë përveç faktit që nuk do të mësojë kurrë. Nuk do të bëhet kurrë një njeri i njohjes. Do të jetë thjesht një njeri i mundur dhe i frikësuar Armiku i parë i jep fund dëshirave të tij. Shumica e njerëzimit këtu e mbyll udhëtimin e tij.” “Çfarë mund të bëhet për ta mposhtur frikën?”. “Përgjigja është e thjeshtë. Frika nuk duhet të shmanget por duhet sfiduar. Duke sfiduar frikën njeriu hedh hapin tjetër drejt njohjes. Frika mund të jetë e fortë e kompletuar, por megjithatë ai nuk duhet të ndalet. Ky është rregulli dhe nëse zbatohet do të vijë një moment kur frika do të fillojë të tërhiqet. Njeriu do të ndjejë siguri brenda vetes. Dëshira e tij do të forcohet dhe rruga do të jetë më e bukur. Proçesi ndodh në mënyrë graduale, kurse fitorja ndaj frikës ndodh në mënyrë të menjëhershme. Por a do të ketë më frikë ky njeri? Jo. Nëse frika mposhtet je i lirë prej saj gjatë gjithë jetës. Kjo ndodh sepse njeriu fiton qartësinë mendore, e cila fshin frikën. Në këtë pikë njeriu kupton dëshirat e tij dhe di si ti realizojë ato. Ai mund të shpejtojë hapat e tij, sheh më shumë dhe ndjen që asgjë nuk është më e fshehur për të. Kështu njeriu takon armikun e tij të dytë, qartësinë mendore e cila është shumë e vështirë për tu arritur, largon frikën por edhe verbon.
Qartësia e detyron njeriun të mos dyshojë më kurrë tek vetja. I jep sigurinë se mund të bëjë gjithçka sepse sheh qartë çdo gjë. I jep guxim për të mos u ndalur para asgjëje. Por ky është një gabim, është diçka jo e kompletuar. Nëse njeriu e lëshon veten në duart e kësaj force jo të vërtetë, ka humbur betejën me armikun e dytë. Do të jetë i duruar kur duhet të veprojë dhe do të jetë i nxituar kur duhet të jetë i durueshëm. Kjo do ta bëjë të paaftë që të vazhdojë rrugën e tij dhe nuk do të jetë në gjendje të mësojë më asgjë. “Çfarë ndodh me njeriun që humb betejën e dytë?”. “Po e njëjta gjë thjesht nuk vazhdon dot rrugën e tij dhe mund të transformohet në një luftëtar qesharak ose në një palaço. Megjithatë qartësia e paguar kaq shtrenjtë nuk kthehet më në frikë dhe errësirë. Do të ngelet qartësi deri në fund por pa mundur të ndihmojë për më shumë.
“Ç’duhet bërë për ta fituar këtë betejë?”. E njëjta gjë si me frikën: duhet sfiduar dhe përdorur për të parë më shumë, por duke pritur me durim dhe duke matur me kujdes hapat e tjerë që do të bëhen. Do të vijë një moment që do të kuptojë se qartësia ishte vetëm një pikë para syve të tij dhe jo e gjithë pamja reale. Kështu do ketë superuar armikun e dytë dhe do jetë në një pikë ku asgjë nuk mund ta dëmtojë. Kjo s’do jetë një pikë para syve të tij por një forcë e vërtetë e brendshme. Në këtë pikë do kuptojë se forca që ka kërkuar kaq gjatë është më në fund e tija. Mund të bëjë ç’të dojë, aleatin e ka nën urdhrat e tij, sheh çdo gjë dhe realizon çdo dëshirë. Por në të njëjtën kohë ndeshet me armikun e tretë që është fuqia. Kjo është më e fortë se dy armiqtë e parë. Njeriu komandon, është i pamposhtur, fillon me rreziqe dhe përfundon me rregulla sepse është një zot i vetes së tij. Në këtë pikë është shumë e vështirë për njeriun të kuptojë që ky armik është duke e rrethuar. Dhe papritur, pa e kuptuar e ka humbur betejën. Armiku i tij e ka kthyer në një njeri mizor dhe kapriçoz. Ky njeri nuk e humb as fuqinë e as qartësinë. Por një njeri i mundur nga fuqia e tij vdes pa e kuptuar sesi ta mbajë atë në duart e tij. Fuqia kthehet në një barrë për fatin e tij. Një njeri i tillë ka fuqi të jashtme por nuk ka kontroll mbi veten e tij dhe nuk di si ta përdorë atë fuqi. Humbja me secilin prej këtyre armiqve është definitive. Nëse një nga ata merr superxhiro mbi njeriun, nuk mund të bëhet më asgjë. A ka mundësi që një njeri i tillë ta kuptojë humbjen e tij dhe të përmirësohet? Jo sepse është tepër vonë dhe ky njeri ka marrë fund. “Po nëse ai e refuzon fuqinë?”. Kjo do të thotë që beteja akoma vazhdon. Njeriu humb vërtet vetëm nëse nuk tenton më të ngrihet dhe kjo ndodh shpesh. A mund të jesh për vite në frikë dhe sërish të fitosh? Jo sepse do të kesh frikë dhe nuk do të tentosh më. Por nëse prej vitesh je i mbytur nga frika dhe akoma vazhdon të kërkosh do to thotë se ende nuk e ke braktisur veten në duart e saj. Si mund të mposhtet armiku i tretë? “Duke kuptuar që fuqia e fituar nuk është e jotja në realitet. Duke qenë gjithmonë në gatishmëri për të mbajtur nën kontroll, me kujdes dhe me besim atë që ka mësuar. Qartësia dhe fuqia, të pakontrolluara janë më keq se gjithë gabimet e mëparshme. Njeriu duhet të dijë se ku dhe kur duhet ta përdorë fuqinë e tij. Kështu do të ketë mposhtur armikun e tij të tretë. Tashmë njeriu do të jetë në fund të udhëtimit të njohjes dhe do të ndeshet pa u paralajmëruar me armikun e fundit, pleqërinë. Ky armik është më mizori nga të gjithë. Me të nuk mund të fitosh plotësisht, por vetëm mund ta shtysh. Kur njeriu nuk ka më frikë, nuk ka më një qartësi të padurueshme dhe kur e ka fuqinë nën kontroll, vjen një moment që ndjen një dëshirë të parezistueshme për tu çlodhur. Nëse i dorëzohet kësaj dëshire për të lënë çdo gjë prej lodhjes ka humbur betejën me armikun e katërt dhe do kthehet në një krijesë të dobët dhe të plakur. Dëshira për tu tërhequr do anullojë qartësinë dhe fuqinë brenda tij. Por nëse njeriu e përballon fatin e tij, akoma mund të thuhet se është njeri i njohjes edhe pse për një kohë të shkurtër gjatë së cilës ai fiton mbi armikun që nuk mund të mposhtet. Por ky moment fitoreje është i mjaftueshëm.