Të gjithë mësuesit para Zarathustrës, madje edhe pas tij, i kanë parë gjërat me një mendje shumë paragjykuese. Ata nuk kanë lejuar shumëdimensionalitetin e çdo eksperience. Ata kanë imponuar një dimension të caktuar dhe kanë kushtëzuar mendjen njerëzore për t’i parë gjërat vetëm në një mënyrë të caktuar. Kontributi i madh i Zarathustrës është ai që e ndihmon njeriun që t’i shohë gjërat në mënyra të reja – absolutisht të reja, të freskëta, dhe jashtëzakonisht të ndriçuara. Ju ndonjëherë, mund të tronditeni sepse ai flet kundër paragjykimeve tuaja. Ju duhet të jeni mjaft të guximshëm për të lënë mënjanë të gjitha paragjykimet tuaja.
Për ta kuptuar këtë njeri të mendjehollësisë së madhe, i cili shikon gjërat jo sipas një ideologjie të formuar më parë, por shikon gjërat ashtu si ato janë, në vetvete…. Ai nuk imponon asnjë kuptim, përkundrazi, ai përpiqet të gjejë: a ka ndonjë kuptim në vetë gjërat? Ai është shumë objektiv, shumë realist dhe absolutisht i arsyeshëm. Ai nuk është i fiksuar me ndonjë ide dhe nuk dëshiron të propagandojë një filozofi ose një religjion të caktuar. Qasja e tij është krejtësisht e ndryshme. Ai ju mëson se si të shihni më qartë. Ai nuk ju mëson ju se çfarë të shihni, ai thjesht ju mëson se si të shihni më qartë.
Qartësia e vizionit tuaj do t’ju sjellë të vërtetën. Ai nuk jua dorëzon të vërtetën juve si diçka të gatshme. Ai nuk dëshiron që e vërteta të jetë aq e lirë. Dhe çdo gjë që është shumë e lirë nuk mund të jetë e vërtetë. E vërteta kërkon që ju të jeni një lojtar në mënyrë që të mund të rrezikoni gjithçka në lojë. E vërteta nuk mund të jetë një pronë e juaja.
Në të kundërtën, nëse ju jeni gati për tu pushtuar nga e vërteta, vetëm atëherë ju mund ta keni atë. Ajo që ai ju thotë është në kundërshtim me të gjitha fetë, me të gjitha të ashtuquajturat moralitete. Dhe deri në momentin në të cilin ju do të lini mendjen tuaj mënjanë, ju nuk do të jeni në gjendje ta dëgjoni atë dhe nuk do të jeni gjendje që ta kuptoni atë. Dhe ai ka vënë diamante në rrugën tuaj. Por ju mund të mbeteni të verbër, ju mund t’i mbani sytë mbyllur për të mos u shqetësuar në bindjet tuaja të formuara më parë.
Ai është i vendosur t’ju shqetësojë juve – sepse nëse nuk shqetësoheni ju nuk mund të lëvizni, ju nuk mund të përparoni; ju nuk mund të keni asnjë dëshirë për të arritur yjet e largët; ju nuk mund të nxiteni nga dëshira e madhe për tu bërë një supernjeri. Ju duhet që të tundeni – dhe të shkundeni pa mëshirë. Dhe vetëm më vonë ju do ta kuptoni: që kjo ishte dhembshuri – dhembshuri e vërtetë. T’ju mbështesësh juve në gënjeshtrat tuaja që ju vijnë për mbarë nuk është dashuri. Ju bën të ndiheni mirë, por është shumë shkatërruese – është e keqe për ju.
Kjo shkatërron mundësitë tuaja për tu zhvilluar. Dhe Zarathustra ka vetëm një pikë të vetme në mësimdhënien e tij; njeriu duhet të tejkalojë vetveten. Por pse duhet që ai ta tejkalojë në qoftë se ai ndihet shumë rehat? Rehatia e tij duhet shkatërruar; komoditetet e tij duhet t’i hiqen; paragjykimet e tij duhet të shpartallohen; fetë e tij, perënditë e tij, filozofitë e tij të gjitha duhet të digjen; ai duhet të lihet krejtësisht i zhveshur, ashtu si një fëmijë i sapolindur. Vetëm nga aty, nga ajo pafajësi, nga ajo risi, nga ajo pikë – supernjeriu, e vetmja shpresë për njerëzimin – mund të lindë dhe të zëvendësojë këtë njerëzim të neveritshëm dhe të kalbur.
Fakti që ne jemi duke jetuar në të na ka bërë të mësuar dhe të përshtatur me kalbësinë e tij. Ne jemi mësuar me aromën e tij të neveritshme. Kahlil Gibran ka një tregim të vogël: Një grua kishte ardhur nga fshati në qytet për të shitur peshq. Ajo ishte gruaja e një peshkatari. Në qytet, pas shitjes së peshqve të saj, ajo u takua me një mike të vjetër. Ato kishin studiuar në shkollë së bashku, por ajo ishte shumë e pasur dhe nuk e kishin parë njëra-tjetrën prej vitesh. Kështu gruaja e pasur e ftoi atë, të paktën për një natë, që të qëndronte me të. Ajo kishte një pallat të bukur, kishte një kopsht të bukur, dhe ishte e sigurt se shoqja e saj do të ishte jashtëzakonisht e kënaqur. Para se të shkonin në shtrat ajo i solli shumë, shumë trëndafila dhe i vendosi ato në anë të shtratit të mysafires së saj. Por koha kalonte dhe gruaja e varfër nuk mund të flinte.
Ajo rrotullohej vazhdimisht, dhe për shkak se ajo nuk mund të flinte edhe mikpritësja e saj gjithashtu nuk po mund të flinte. Në fund mikpritësja pyeti,” Si është puna?” Ajo i tha, ” Ti duhet të më falësh. Por më jep rrobat e mia me të cilat unë erdha dhe solla peshq për të shitur. Spërkati me pak ujë, hiqi këto trëndafila dhe sillmi ato rroba përsëri. Nëse do ndjej aromën e peshqve do mund të fle menjëherë. Me gjithë këta trëndafila unë nuk mund të fle.” Trëndafilat i larguan, rrobat e neveritshme, të papastërta, i spërkatën me ujë dhe e tërë dhoma filloi të mbante erë peshku. Gruaja u ndje jashtëzakonisht e lumtur dhe tha, ”Tani unë mund të fle shumë mirë.
Unë jam mësuar me këtë parfum. Trëndafilat nuk janë për mua.” Ne jemi mësuar me këtë racë njerëzore – kjo është arsyeja pse ne nuk e shohim dot pështirësinë e saj. Ne nuk e shohim shëmtinë e saj; ne nuk e shohim xhelozinë e saj; ne nuk e shohim mosdashjen e saj; ne nuk e shohim injorancën e saj, budallallëkun, sjelljen mediokre.
Duke dëgjuar Zarathustrën ju mund të bëheni i vetëdijshëm për një mënyrë krejtësisht të ndryshme të të parit të njerëzimit. Unë do të doja që t‘ju kujtoja fjalën njerëzi, sepse të gjitha të ashtuquajturat fe dhe filozofi shpirtërore i kanë vlerësuar gjërat shumë çnjerëzisht. Prandaj unë dua që ju ta mbani mend fjalën njerëzi.
Zarathustra e donte jashtëzakonisht shumë njeriun. Ai nuk është armik; ai është një mik. Ai e urren gjendjen e tanishme, sepse ai e di që ju mund të shkoni shumë larg, ju mund të arrini majat e larta. Kjo nuk është ajo për të cilën ju jeni lindur. Urrejtja e tij ndaj njerëzimit të tanishëm është për shkak të dashurisë së tij të thellë për të ardhmen tuaj, për qëllimin e thellë të supernjeriut. Ai është absolutisht kundër vlerave çnjerëzore. Të gjitha fetë presin që ju të ndiqni vlera çnjerëzore. Të gjitha fetë ju kanë dhënë juve mistere, të cilat janë kryesisht dhe në thelb të pazgjidhshme. Dhe qëllimi i tyre është që t’ju bëjnë të ndjeheni fajtorë, të dështuar, të pashpresë, të mjerë, të pasuksesshëm, të padenjë.
Ata duan të shkatërrojnë krenarinë tuaj, dinjitetin tuaj, sepse sa më shumë krenaria juaj dhe dinjiteti juaj të shkatërrohen, aq më shumë ju do të jeni si deveja – të gjunjëzuar dhe të gatshëm për t’u ngarkuar. Kështu ju do ta kuptoni vetë se ky ishte fati juaj: të jeni një deve, ju nuk jeni një luan dhe nuk ka kuptim të pretendoni të jeni një luan. Ju keni të lindur për të qenë një skllav – kjo është e gjithë strategjia e të gjitha feve, e të gjitha ideologjive politike.
Ato kanë një qëllim të vetëm: ta bëjnë çdo qenie njerëzore të mendojë se ai ka lindur për të qenë një skllav, për të qenë adhurues i një Zotit imagjinar, për tu përulur në gjunjë dhe për tu lutur. Në momentin që ju e pranoni veten si fajtor, si të padenjë, ju humbni vetë-respektin, ju humbni dashurinë për veten tuaj. Dhe në qoftë se ju nuk mund ta doni veten tuaj, si mund të prisni që dikush tjetër t’ju dojë? Është pothuajse gjithmonë një tronditje kur dikush ju thotë: ”Të dua.” Ju s’mund ta besoni. Askush nuk e beson atë, për arsyen e thjeshtë se, ” Unë nuk mund ta dua veten dhe ai njeri i gjorë është duke më thënë se më do.
Kjo do të thotë vetëm një gjë: ai nuk më njeh! Pasi ai të më njohë e gjithë dashuria do të zhduket. ”Puna e gjithë e shekujve është vetëm një: t’ju bëjë juve që të urreni veten; të mos ju lejojë juve ta pranoni atë.
Sigurisht ata nuk e thonë këtë në mënyrë kaq të qartë. Mënyrat e tyre janë dinake, por Zarathustra është shumë i qartë për atë se çfarë mënyrat e tyre janë dhe se si ata kanë shkatërruar qeniet njerëzore dhe mundësitë e këtij planeti të bukur për tu kthyer në një parajsë të gjallë … jo në ëndërr, por në realitet.
Përgatiti: Eliza Babatinca (Elizza)