You are currently viewing Lilith, Perëndeshë e furishme e Mesopotamisë

Lilith, Perëndeshë e furishme e Mesopotamisë

Na ndiqni në rrjetet sociale

Të imagjinosh do të thotë ndoshta të kujtosh…  Si në një ëndërr, Lilith shfaqet sot në një pyll librash, ku është përhapur një dritë e zbehtë prej ari antik. Jashtë, era gri bëhet gjithnjë e më e fortë në dritën gri. Flokët e gjatë të errët fshehin fytyrën e përkulur mbi librin e hapur, ngjyrë blu, që ajo mban në duart e zbehta. Ai e vështron, duket si një sy pluskues, i vetëm e i largët. Atëherë Lilith, ngadalë, ngre dhe rrotullon kokën. Flokët e gjatë hapen dhe shfaqin fytyrën aq të bukur.  Sytë xixëllojnë. Buzët hapen lehtësisht duke krijuar një buzëqeshje rrëzëllitëse. Syri i verbër profan nuk sheh asgjë të pazakontë, pra nuk sheh asgjë, edhe pse diçka e magjishme ndoshta po ndodh. Një dritë e argjendtë përhapet kudo.

Çdo gjest i priftëreshës është i shenjtë, dhe akoma më i shenjtë se rituali është çdo gjest i zakonshëm që vezullon një dritë hënore. Lilith e mbyll librin dhe afrohet tek pasqyra, e ngjashme me hapësirat e ndritshme midis degëve të pemëve ose me një ujvarë në pyllin e librave. Ajo të fton ta ndjekësh dhe zhytet. Nëse zjarri i brendshëm është aq i ndezur sa të ndriçojë vështrimin, dhe frika e përzier me respektin paralizon trupin, dhe koha ndalet, duke u shndërruar në një derë të hapur drejt së shkuarës, dhe shpirti kapërcen pragun e kësaj kohe ku e tashmja bëhet e shkuar, dhe grimca e vogël bëhet e pafundme për një çast dhe përgjithmonë… atëherë diçka shkëputet dhe bashkohet në të njëjtën kohë, fjala hesht dhe heshtja flet. Ai e ndjek Lilith, duke u kredhur brenda në pasqyrë si të ishte ujë ose ajër. Një drithërimë kënaqësie e përshkon të tërin. Koha ndalet, hapësira ndryshon. Ai transformohet në ajër të kaltër-gri.

Hëna e plotë prej argjendi ndizet lart në qiellin blu, përmbi kodrat e jeshilta të mbuluara me pyje të vegjël të dendur si yje më të errëta se qielli, mes erës gri që forcohet gjithmonë e më tepër. Atje fluturon Lilith në formë kukuvajke, më sy të artë dhe pupla argjendi të heshtura në mes të erës gri të natës, e mrekullueshme. Në formë ere të kaltër-gri, ai e ndjek në fluturimin e natës mbi peisazhin e errët të pyjeve, në dritën prej argjendi të Hënës së plotë.

E shpejtë dhe në të njëjtën kohë e ngadaltë, në formë kukuvajke, Lilith e udhëheq deri në një lëndinë, dhe atje transformohet në një priftëreshë me fustan ngjyrë argjendi të zbehtë e kurorë lulesh për të mbajtur flokët e zi. Prek pemët e mollës, një lis, pastaj kthehet ta vështrojë dhe nuk buzëqesh, ka një dritë të zymtë në sy. Ai dridhet, ndërsa një valë ngrihet nga toka drejt e brenda tij. Drita e brendshme e Lilith, fustani i zbehtë prej argjendi, koka e rrethuar nga kurora, një dritë e errët në sy. Atëherë ai kupton që ka ardhur aty për të vështruar e për të dëgjuar, për të nuhatur e për të shijuar vetëtimën dhe stuhinë, për të prekur trupin dhe fuqinë e Nënës, që është njëheraz qiell dhe tokë.

Priftëresha ecën në formë rrethi përgjatë gurëve të shenjtë gjysëm të fshehur mes barit të gjatë, dhe pret në vetvete Hënën, e përqafon, fustani i zbehtë i argjendtë, koka e rrethuar me kurorë, një dritë e errët në sy, dhe dashuria e saj e kaltër ngrihet deri tek retë në qiell. Vuajtja e saj mbledh dhe dendëson retë e qiellit dhe thërret stuhinë. Uji i burimit rrjedh mbi shkëmb dhe mbi myshk. Priftëreshat e reja përgjatë rrethit e ndiejnë Hënën brenda tyre, në bark, thirrje antike. Ai është aty për t’u kthyer tek Nëna, deri sa të bëhet bir, Pan, perëndia me brirë i fshehur në gjelbërimin e errët duke vështruar me druajtje dhe respekt Ninfat që vallëzojnë në rreth tek ujvara që rrjedh dhe tek gurët e shenjtë në mes të barit të gjatë, të mbrojtura me dashuri nga Priftëresha.

Dashuria dhe frika e tij janë aq të mëdha sa nuk guxon të dalë nga hija e errët e gjelbër për të vallëzuar bashkë me hyjnitë. Duhet të bëjë muzikë për to, por nuk është ende në gjendje. Nuk është ende një i tërë. Nuk meriton ende dashurinë e tyre. Nuk është ende plotësisht i vetëdijshëm që është bir i Nënës. Dhe kështu, i kqyr tek vallëzojnë në rreth me sytë plot lotë dhembjeje dhe kënaqësie, sepse përpara tij po shfaqet dhe fshihet në të njëtjën kohë misteri i jetës së shenjtë. Një pjesë e rrugës është kryer, por një pjesë tjetër e gjatë e pret, dhe ai është i vendosur ta përshkojë deri në fund, nëse ekziston fundi, dhe në të njëjtën mënyrë ndjen Hënën brenda vetes.

Duke vështruar çdo gjest të Priftëreshës që celebron ritualin, duke qenë se çdo gjest i saj është një ritual më vete, ai ndjen brenda vetes me frikë dhe respekt magjinë e ujit, të pyllit, të Hënës, të Perëndeshës, të yjeve, dhe atëherë vetmia pushon, fiket, tretet si zhurma e stuhisë në heshtjen e muzgut. Drita e kaltër ngrihet nga rrethi i gurëve të priftëreshave, era gri fryn fort nga perëndimi, dhe në qiell, mbi burim, mbi lëndinë, mbi pyll, grumbullohen retë, pastaj bie shi, pastaj përhapet zhurmshëm stuhia, lotë gëzimi të Tokës dhe Nënës për lidhjen e rimëkëmbur, lajmërim hakmarrjeje ndaj Hiçit. Pylli do të mbulojë gjithçka dhe jeta do të rilindë.

Përgatiti: Kamela Guza