Çfarë është liria? A jemi ne vërtet të lirë? E vërteta është se ne nuk duam të jemi të lirë. Ajo që ne bëjmë është një farë tallje me veten. Sepse liria nënkupton inteligjencën, dashurinë, liria nënkupton mos-shfrytëzimin, mos-nënshtrimin ndaj pushtetit, liria nënkupton një virtyt të jashtëzakonshëm. Virtyti dhe liria bashkëjetojnë. Por, liria duhet fillojë me individin dhe ky është një proces total, jo antagonist kundrejt të tjerëve. Individi është procesi total i botës dhe duke qenë se nuk bën gjë tjetër përvec se izolimit në nacionalizëm apo të ndierit në anën e drejtë, bëhet shkaktar fatkeqësish dhe vuajtjesh. Por në qoftë se individi – i cili është një proces i përgjithshëm (total), transformon veten dhe jetën e tij, atëherë ai do të gjejë lirinë.
Dhe duke qenë rezultat i një procesi të përgjithshëm, individi kur çlirohet nga nacionalizmi, lakmia, shfrytëzimi, pushteti ushtron një veprim të drejtpërdrejtë mbi grupin. Rigjenerimi i individit nuk ndodh në të ardhmen, por tani dhe nëse e shtyni për nesër rigjenerimin, shkaktoni konfuzion, ngelni kapur në valën e errësirës. Ripërtëritja është tani, jo nesër, sepse kuptimi i saj ndodh vetëm në të tashmen. Nëse i dedikoheni me mendje dhe zemër do të keni kuptimin e eksperiencës.
Nëse impenjoheni me gjithë zemër dhe mendje për të zbuluar shkaqet e dhunës, nëse jeni plotësisht të vetëdijshëm, atëherë do te jeni jo të dhunshëm në këtë moment. Por, për fat të keq, keni kushtëzuar mendjen me zakonet fetare, me etikën sociale, aq shumë sa të mos jeni në gjendje të shikoni më drejtpërdrejt – dhe ky është problemi i njeriut. Prandaj, eksperienca e realizimit ndodh gjithmonë në të tashmen dhe asnjëherë në të ardhmen. Realizimi është tani, jo në ditët që vijnë.
Dhe liria, mund të dalë në dritë vetëm kur secili prej nesh kupton përgjegjësinë e tij ndaj grupit. Individi është produkti i grupit, ai nuk është një proces i ndarë, është rezultati i bashkësisë, i gjithë njerëzimit. Mund ta quani veten tuaj me cfarëdolloj emri ju pëlqen, por në finale jeni rezultat i një procesi total, i cili është njeriu. Dhe në qoftë se nuk jeni të lirë në kuptimin psikologjik, si mund të keni liri jashtë jush? Çfarë kuptimi ka liria nga jashtë? Që mund të keni qeveri të ndryshme? Kjo është liria? Ushqehemi nga fjalë pa shumë përmbajtje; errësojmë fjalimet tona me fjalë që nuk kanë asnjë kuptim; na kanë ushqyer me propagandë, e cila s’është gjë tjeter veçse një gënjeshtër.
Nuk kemi menduar shumë rreth këtyre çështjeve, sepse shumica prej nesh duan të jenë të udhëhequr nga të tjerë. Nuk duam të mendojmë dhe të zbulojmë, sepse të menduarit është shumë e dhimbshme dhe shkakton zhgënjime të mëdha. Mund të mendojmë dhe të bëhemi të zhgënjyer dhe cinik, ose mund të mendojmë dhe kalojmë përtej mendjes. Kur ju kaloni përtej, përtej çdo procesi mendor, atje është liria.
Dhe në liri, gjeni kreativitetin, gjeni gëzimin, atje është diçka që njeriu e ndjen, diçka që njeriu i izoluar nuk mund ta kuptojë kurrë. Problemi, pra, qëndron në faktin se mendimet tona enden në çdo drejtim, dhe se, natyrisht, ne duam të vendosim rregull. Një mendje që ka vrarë mendimet një e nga një, duke i izoluar ato, nuk mund të kuptohet, por mendja mund të kuptohet nëse procesi i mendimit ngadalësohet. Nëse keni parë një film në lëvizje të ngadaltë, mund shihni lëvizjen e mrekullueshme të muskujve të një kali që është duke kërcyer.
Ka bukuri në lëvizjen e ngadaltë të atyre muskujve, por duke qenë se kali kërcen me shpejtësi dhe lëvizja mbaron shpejt ajo bukuri humbet. Në një mënyrë të ngjashme, kur mendja lëviz ngadalë për shkak se ajo dëshiron të kuptojë çdo mendim që lind, atje kemi lirinë e mendimit, lirinë nga mendimi i kontrolluar, dhe lirinë nga mendimi disiplinuar. Mendimi është përgjigje e kujtesës, kështu që ai nuk mund të jetë kurrë krijues. Të qënit krijues ekziston vetëm kur përballet e reja si e re. Mendja regjistron, mbledh kujtimet dhe derisa memoria të rindizet nga sfidat, procesi mendor vazhdon të ecë përpara. Por në qoftë se çdo mendim vëzhgohet, perceptohet, depërtohet plotësisht dhe kuptohet në mënyrë të plotë, atëherë ju do të zbuloni se kujtesa fillon të shkrihet. Mos harroni: Jemi duke folur për kujtesën psikologjike, jo për memorien efektive.
Por çfarë është procesi i të menduarit. Kur themi “unë mendoj” çfarë duam të themi? A jemi ne të vetëdijshëm për këtë proces që quhet mendje? Zakonisht ne bëhemi të vetëdijshëm kur lind një problem, kur na bëhet një pyetje etj. Pra atëherë ne bëhemi të vetëdijshëm duke e perceptuar si një proces auto të vetëdijshëm. Uroj që të mos më shihni si një njeri që bën konferencë, por si një bashkëekzaminues të mënyrave tona të mendimit, të cilat i përdorim si instrument gjatë jetës së përditshme. Po ashtu uroj që të jeni duke vëzhguar mendimet tuaja dhe jo vetëm dëgjuar atë çfarë unë them. Nëse vetëm do të dëgjoni pa qenë në gjendje të observoni, pa qenë të vetëdijshëm se si mendimet lindin, vijnë dhe ikin, atëherë kemi humbur kohën kot. Mendimi është një reaksion, nëse unë ju pyes ju përgjigjeni në bazë të memories, paragjykimeve, edukimit dhe gjithë sfondit të kushtëzimeve të cilat ju kanë formuar. Në bazë të këtyre të dhënave ju mendoni dhe përgjigjeni. Nëse jeni kristianë, komunistë, hindu ose çfarëdo qofshi, është ky sfond që përgjigjet sipas kushtëzimit me të cilin është krijuar. Kjo është ajo që krijon probleme, qendra e këtij sfondi “uni” në veprim.
Dhe derisa ky sfond të kuptohet dhe të zgjidhet njeriu është i destinuar të jetojë në konflikt me veten, emocionet, mendjen dhe të tjerët. Asnjë lloj zgjidhje e asnjë lloj tipi, sado inteligjente të jetë, nuk do mundë të shuajë konfiktet midis njerëzve. Por nëse kuptojmë mendjen si krijohet, si lindin mendimet dhe si funksionojnë ato, ne mund të kuptojmë edhe si t’i zgjidhim problemet. Duke menduar për problemet a kemi zgjidhur gjë deri më sot? Jo, asnjë lloj problemi nuk mund të zgjidhet prej mendjes sepse ajo është krijuesja e tyre. Ajo që mendja jep është një kuptim i pjesshëm, jo i plotë i problemit dhe natyrisht që nuk është zgjidhje. Sa më shumë analizojmë, diskutojmë, aq më të komplikuara bëhen gjërat. Shikojeni njeriun sot, problemet janë shumëfishuar që nga luftrat e deri te problemet e përditshme me trupin tonë dhe me njerëzit e tjerë. Problemet duhen parë në mënyrë të plotë dhe duhen gjetur rrënjët që të zgjidhen. Dhe e gjithë kjo ka lidhje me mendjen. Problemet zgjidhen duke u bërë më të vetëdijshëm, më të aftë për të kuptuar dhe parë edhe elementët më të imët të fshehur pas tyre. Duhet një vetëdije, por jo e mendjes për zgjidhje.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet procesi i të menduarit, mënyra operative e të cilit manifestohet kur vëzhgojmë veten tonë në marrëdhëniet e përditshme, mënyrën sesi flasim, sesi shfaqemi para të tjerëve, trajtojmë njerëzit dhe fëmijët tanë. Këto marrëdhënie janë pasqyra ku reflektohen mekanizmat e mendjes tonë. Mund të largohemi në mënyra të ndryshme nga to por mendja ngelet sërish e lidhur. Mendja në vetvete implikon raporte kurse vetëdija vëzhgimin e tyre pa gjykime dhe justifikime. Mendja kur krijon raporte gjeneron vlerësime, gjykime, krahasime dhe reagon në bazë të informacioneve të memorizuara. Ky reaksion përcaktohet si mendim. Kur vetëdija hyn tek ky proces ju zbuloni se mendja ndalet dhe nuk lëviz më. Krijohet një gjendje qetësie në të cilën ekzistenca shfaqet e pastër. Mendja punon si një rreth i mbyllur. Për të funksionuar ajo ka nevojë për të shkuarën ose për materialin e mbledhur gjatë jetës, por në të njëjtën kohë është po ajo që e ka mbledhur këtë material.
Mendja komunikon me fjalë duke përdorur një eksperiencë të kushtëzuar, e cila i përket të shkuarës dhe është statike në natyrë. Nëse mendja në vend që të komunikojë të shkuarën, komunikon vetëm eksperiencat e së tashmes krijohet një shprehje direkte e tyre dhe një mendje që funksionon në të tashmen si aktive dhe jo reaktive. Pra mendja mund të pushojë së qeni mbledhëse informacioni dhe përsëritëse e tij duke u kthyer kështu në diçka krijuese dhe tepër pozitive. Tani shtrohet pyetja – a mund të ndalet mendja dhe të rrijë në qetësi për të vëzhguar problemet eventuale të jetës? Dhe unë po ju them, mos rrini kot ulur duke bërë pyetje pa vlerë por impenjohuni me gjithë energjitë tuaja për të gjetur një përgjigje sepse është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje skizofrenie totale në të cilën ndodhet njerëzimi sot. A mundet kjo mendje të bjerë në qetësi dhe ta shohë jetën si totale dhe pa probleme? Problemet lindin vetëm kur jeta është e fragmentuar. Bukurinë e këtj realiteti mund ta gjeni vetëm duke qenë total, pra mendje, zemër dhe intelekt në harmoni dhe jo të fragmentuar.