You are currently viewing Misticizmi

Misticizmi

Na ndiqni në rrjetet sociale

Misticizmi është të njohësh jetën. Misticizmi nuk është akademik, nuk është një shkollë e zakonshme. I përket diçkaje përtej mendjes. Nuk ka nevojë të mbani mend ato që janë thënë dje. Dje ishte dje; sot është sot. E gjithë literatura e mistikës është analogjike. Mistikët mund t’ju japin vetëm analogji, kjo është arsyeja pse ka kaq shumë shëmbëlltyra. Jezusi fliste në analogji, Buda gjithashtu dhe të gjithë tjerët. Ata nuk japin asnjë arsye dhe argument logjik. Nuk ka asnjë argument, por thjesht analogji. Misticizmi është një nga gjuhët e harruara. Duhet të ringrihet, sepse duke harruar gjuhën e mistikëve, jeta ka humbur të gjitha ngjyrat, tërë gëzimin, tërë muzikën.

Misticizmi është thjesht të futësh në jetën tënde të gjitha ato dimensione që janë të papërcaktueshme, duke e ditur mirë se përkufizimi nuk është i mundur, se arsyeja është e pafuqishme. Misticizmi është lulëzimi më i lartë i vetëdijes njerëzore. Një kërcim dhe ju jeni zhdukur përgjithmonë në mister. Ju vetë bëheni një mister. Çdo mistik është një mister. Misticizmi nuk është fe sepse nuk ka teologji, nuk ka filozofi, nuk ka doktrinë, besim, kult. Nuk shpjegon asgjë. Por thjesht ju tregon mënyrën për të kaluar në të pashpjegueshmen. Ai hap derën e të panjohurës dhe ju shtyn matanë. Misticizmi është transcendentalizëm.

Misticizmi është përvoja që jeta nuk është logjikë, se jeta është poezi; se jeta është një këngë. Misticizmi është deklarimi që jeta kurrë nuk mund të njihet me të vërtetë; është në thelb e panjohur. Shkenca e ndan ekzistencën në dy kategori: ajo që njihet dhe ajo që nuk njihet. E njohura ishte e panjohur dikur; është bërë e njohur sot. E panjohura nuk njihet sot; nesër, do të bëhet e njohur. Shkenca beson se herët a vonë do të arrijë një pikë kur do të ketë vetëm një kategori: të njohurën, gjithçka do të jetë e njohur. Misticizmi është deklarimi se jeta përbëhet nga tre kategori: një, e njohur; një tjetër, e panjohuri; dhe e treta dhe më e rëndësishmja, është e panjohura – e cila nuk është njohur dhe që nuk do të njihet kurrë. Dhe ky është thelbi i të gjithave

Kjo e panjohur mund të përjetohet, por nuk mund të dihet. Ajo nuk mund të konvertohet në njohuri, megjithatë zemra juaj mund të këndojë këngën e saj. Ju mund ta vallëzoni atë, ju mund ta jetoni atë, ju mund të jeni të plotë dhe të tejmbushur me të – ju mund të zotëroheni prej saj – por nuk do të jeni në gjendje ta njihni atë. Është si, një lumë që zhduket në oqean. A mendoni se lumi e njeh oqeanin? Ai bëhet oqean, por nuk di asgjë. Në fakt, kur bëheni një me diçka, si mund ta dini? Dituria kërkon ndarje; njohuritë në thelb janë skizofrenike. Objekti duhet të jetë i ndarë nga subjekti; njohësi duhet të mbajë një distancë nga ajo që njihet. Nëse distanca zhduket, nuk do të ketë dije të mundshme.

Dhe kjo është ajo që ndodh në mistikë: kërkuesi bëhet një me kërkimin, pika e vesës, bie në oqean dhe bëhet oqeani. Nuk ka njohuri këtu. Në një unitet të tillë dija nuk është e mundur. Në një unitet të tillë ka vetëm përvojë, dhe përvojë jo për diçka jashtë teje, por diçka brenda teje. Është përjetim më tepër sesa përvojë. Fjala “mistik” vjen nga një fjalë greke, mysterion, që do të thotë “ceremoni sekrete”. Njerëzit që kanë prekur atë që nuk mund të njihet mblidhen për të ndarë. Ndarja nuk është gojore; nuk mund të jetë me gojë. Ndarja është e qenies së tyre; ata derdhin qenien e tyre në njëri-tjetrin.

Ata kërcejnë së bashku, ata këndojnë së bashku, ata shikojnë në sytë e njëri-tjetrit, ose ata thjesht ulen në heshtje së bashku. Kjo është ajo që është bërë me Budën, me Krishnën, me Jezusin, në mënyra të ndryshme. Dashamirët e Krishnës kërcenin me të. Ky ishte një mysterion, një ceremoni sekrete. Nëse shikoni nga jashtë se çfarë po ndodh, nuk do të mund të kuptoi se çfarë është në të vërtetë. Në qoftë se nuk bëheni pjesëmarrës, nëse nuk vallëzoni me Krishnën, nuk do të dini se çfarë po ndahet, sepse ajo që po ndahet është e padukshme. Nuk është një mall, nuk mund të transferohet nga njëri tek tjetri. Nuk është objektiv. Por është rrjedhja e një qenieje në një tjetër.

Këto lloj ceremonish sekrete në Indi janë quajtur ras në traditën e Krishnës. Ras do të thotë të vallëzosh me Mjeshtrin, në mënyrë që energjia jote të rrjedhë dhe energjia e Mjeshtrit po ashtu  të rrjedhë. Dhe vetëm energjitë që rrjedhin mund të kenë një pikë takimi. Ujëratat e ndenjur nuk mund të takohen, vetëm lumenjtë mund të takohen. Vetëm përmes lëvizjes është i mundur takimi. Por e njëjta gjë po ndodhte edhe me Budën, pa ndonjë valle të dukshme. Buda rrinte ulur në heshtje, dishepujt e tij rrinin ulur në heshtje; quhej satsang, “të jesh me të vërtetën”. Buda u ndriçua, ai është një dritë për veten e tij. Të tjerët që nuk janë ndezur ende, qirinjtë e të cilëve janë ende të pandezur, ulen afër, në intimitet, në dashuri dhe mirënjohje të thellë, afrohen dhe afrohen me Budën në qetësinë e tyre, në dashurinë e tyre.

Dalëngadalë vjen një moment, hapësira midis Mjeshtrit dhe dishepullit zhduket – dhe ndodh kërcimi i flakës nga Mjeshtri tek dishepulli. Dishepulli është gati ta pranojë; dishepulli nuk është gjë tjetër veçse një mirëseardhje. Edhe ky është një mister, një ceremoni sekrete. Po kështu ka ndodhur edhe me Zarathustrën, me Lao Tsu, me Jezusin, në mënyra të ndryshme. Fjalët fliten vetëm për ata që nuk mund të dëgjojnë qetësinë. Fjalët e qetësisë mund t’i dëgjosh ndërsa dëgjon muzikë; fjalët mund t’i dëgjosh ndërsa dëgjon erën që fryn nëpër pisha; fjalët mund t’i dëgjosh ndërsa dëgjon pikat e shiut që bien mbi çati, ose zhurmën e valëve në oqean. Dhe ndërsa mendja dëgjon muzikën, zemra fillon të thithë qenien, praninë.

Ky është një mister, kjo është një ceremoni sekrete. Por pse quhet “sekret”? Nuk është sekret në kuptimin që ne po fshihemi diku në një shpellë larg të tjerëve. Është sekret sepse është në dispozicion vetëm kur jeni në një nivel tjetër. Të tjerët lejohen të hyjnë, por për ta do të mbetet diçka e padukshme; prandaj quhet sekret. Kur Buda ulej me dishepujt e tij, ai nuk fshihej diku në male – ai ishte në botë, njerëzit mund të vinin dhe të shikonin – por prapë ceremonia ishte sekret.

Ky sekret është diçka për tu kuptuar. Ata njerëz që do të vijnë dhe do të shohin, ata do të shohin vetëm disa trupa të ulur në heshtje, asgjë më shumë. Çdo ditë vijnë vëzhgues, spektatorë; ata shohin se je ulur këtu duke dëgjuar, ose duke kërcyer, ose duke medituar dhe ata mendojnë se e dinë çfarë ndodh. Ata largohen dhe fillojnë të japin raporte “të autorizuara” për vendin.

Ata mund të kenë qenë vetëm një ditë ose dy ditë, por ata e mbajnë veten për ekspertë. Ata janë thjesht budallenj. Ata nuk dinë asnjë fjalë, nuk dinë asgjë rreth mistikes. Të gjitha raportet e tyre janë false. Për të ditur diçka nga ajo që ndodh, do të duhet të bëhesh pjesëmarrës, do të duhet të biesh në një harmoni të thellë me atmosferën që krijohet. Nuk mund të jeni spektator; nuk mund të vëzhgosh nga jashtë dhe të kuptosh. Këto gjëra nuk kuptohen nga jashtë: ato janë sekrete. Duhet të shkrihesh. Vetëm atëherë, mund të keni një shije në gjuhën tuaj; vetëm atëherë mund të keni përvoja në zemrën tuaj; vetëm atëherë, disa vibrime që ju depërtojnë mund të bëhen pjesë e jetës tuaj. Ky është kuptimi i “ceremonisë së fshehtë”. Është në dispozicion për të gjithë për të parë, por vetëm ata që janë inicuar në të vërtetë do të jenë në gjendje ta shohin atë.

Mysterion në vetvete vjen nga një rrënjë tjetër, myein, që do të thotë “ta mbash gojën të mbyllur”. Misticizëm do të thotë që keni parë diçka, keni provuar diçka, por nuk mund ta shprehni atë. Misticizëm do të thotë që keni hasur në një të vërtetë që ju bën memecë. Është kaq e madhe, sa nuk mund të përmbahet në asnjë fjalë. As fjala “Zot” nuk e përmban dot. Kjo është arsyeja pse Buda e hoqi fjalën “Zot”. Është shumë më e madhe se ajo që mund të përmbajë fjala “Zot”. As fjala “shpirt” nuk mund ta përmbajë atë; kjo është arsyeja pse Buda e hoqi edhe atë fjalë. Këto janë vetëm fjalë; realiteti është shumë më i pasur. Shikoni jetën tuaj të zakonshme. Kur thua diçka, a e shpreh vërtet atë? Ju keni parë një pemë të bukur dhe kur i thoni dikujt: “Kam parë një pemë të bukur”, çfarë përmban ajo fjalë “pemë e bukur”?

Ajo nuk përmban gjelbërimin e pemës; ajo nuk përmban formën që ka një pemë; nuk përmban rrënjët që kanë shkuar thellë në tokë; nuk përmban rrezet e diellit që bien mbi gjethet e pemës dhe vallëzojnë; nuk përmban lulet e bukura të pemës, aromën dhe erën e tokës së lagësht që rrethon pemën, foletë dhe këngën e zogjve. Çfarë përmban ajo fjalë kur thua: “Kam parë një pemë të bukur”? Nuk përmban asgjë. Fjala nuk ka rrënjë, fjala nuk ka krahë, fjala nuk ka as jeshile, as të kuqe – fjala është e pangjyrë. Fjala është shumë e dobët. “Pemë”? Është vetëm simbolike; por është domethënëse sepse të gjithë ne njohim një pemë, kështu që kur dikush thotë: “Unë kam parë një pemë të bukur”, mund të kesh një kuptim të vogël për të.

Por për fjalën Zot, edhe ai kuptim i vogël nuk është i mundur. Nëse them: “Ka Zot”, ju e dëgjoni fjalën, por nuk e dëgjoni kuptimin; ju nuk mund ta dëgjoni kuptimin. Nuk ka asnjë përgjigje në zemrën tuaj. Kur them “një lule të bukur trëndafili”, ka një përgjigje të vogël; dhe nëse i mbyllni sytë dhe meditoni pak për fjalën “trëndafil”, mund të filloni të shihni një lule trëndafili që hap petalet e tij në qenien tuaj, sepse keni parë lule trëndafili. Nëse jeni vërtet një person i ndjeshëm, disa kujtime mund të provokohen, disa përvoja mund të bëhen të gjalla, por kjo ndodh sepse ju keni njohur një trëndafil më parë. Po me personin që nuk ka njohur kurrë një trëndafil? Atëherë fjala “trëndafil” nuk do të ngjallë asnjë ndjenjë tek ai, nuk do të sjellë asnjë imazh për të.

Fjala do të dëgjohet, por nuk do të depërtojë; nuk do të ketë asnjë kuptim pas saj. Kjo ndodh në rastin kur përdoret fjala “Zot”, kur përdoret fjala “lutje”, kur përdoret fjala “mirënjohje”, etj. Ju nuk gjeni ndonjë kuptim, sepse nuk keni asnjë përvojë. Ata që kanë përjetuar, ata bëhen memecë. Jo se ata ndalojnë së foluri, por ata flasin për metodat, ata flasin për mënyrën. Ata nuk flasin për të vërtetën. Ata thonë se si ta arrish atë, ata thonë se si të shmangësh grackat në shteg, ata thonë se si të mos gabosh, ata thonë: “Kjo është mënyra, ky është drejtimi”, ata ju japin disa harta, ata ju bëjnë të vetëdijshëm për disa shenja se do të hasni në rrugë, në mënyrë që të jeni të sigurt se po lëvizni në drejtimin e duhur – kjo është gjithçka që mund të bëjnë – por për të vërtetën, ose Zotin, ata nuk mund të thonë asnjë fjalë të vetme. Kështu që ky kuptim është gjithashtu i bukur; myein do të thotë “ta mbash gojën të mbyllur”. E gjitha vjen nga këto dy fjalë: nga myein vjen Mysterion, nga Mysterion vjen “mistik”.

Misticizmi gjithmonë shkon përtej shkencës. Mos harroni atë: Kurdo që të ndodhë me të vërtetë diçka, do të ketë paradoksin – sepse ura do të jetë e nevojshme. Por prapë, mistiku është mistik, shkenca mund të përdoret si një pajisje, por mistiku nuk bëhet kurrë shkencor. Fluturimi i fundit mbetet joshkencor, por kuantik, trashedental. Misticizmi është kulmi i fundit i fesë. Misticizmi mund të përcaktohet në të këtë mënyrë: të mos dish asgjë për të gjithë. Kështu e përcakton Dionisi: agnosia, duke mos ditur asgjë. Mbi të gjitha, për tërësinë, asgjë nuk mund të dihet sepse ju jeni pjesë e saj. Njohësi dhe e njohura nuk janë më të ndryshëm; por janë një.

Një mistik është si një re: errësirë e tejdukshme, errësirë e pafund. Një nga veprat më të rëndësishme për mistiken në hemisferën perëndimore është libri i quajtur Reja e së Panjohurës. Emri i autorit nuk dihet; është mirë që ne nuk e dimë kush e ka shkruar atë. Kjo tregon një gjë: që para se ta shkruante ai ishte zhdukur në një re. Është libri i vetëm në botën perëndimore që i afrohet Upanishads, Tao Te Ching, Dhammapada. Ka një mprehtësi të rrallë në të. Së pari ai e quan atë një re. Një re është e paqartë, pa kufij të përcaktuar. Vazhdimisht ndryshon; nuk është statike – kurrë, madje as për dy momente radhazi, nuk është njësoj. Është një fluks, është ndryshim i pastër. Misticizmi është e gjithë e vërteta; ajo duhet të jetë kontradiktore.

Diku logjika dhe dashuria duhet të takohen dhe shkrihen me njëra-tjetrën, sepse të dyja ekzistojnë. Prandaj kemi teologia mystica. Mistiku ka shkuar përtej pikës së kthimit. Ai është tretur si një pikë vesë që rrëshqet nga zambaku në liqen. Ai është bërë liqeni. Atëherë çfarëdo që ai thotë do të jetë kontradiktore, sepse një pjesë e tij do të jetë vizioni i vesës dhe një pjesë e tij do të jetë vizioni i liqenit, një pjesë do të jetë këndvështrimi i një pjese dhe një pjesë do të jetë këndvështrimi i tërësisë. Prandaj të gjithë mistikët kanë folur në terma kontradiktorë. Kjo është një nga arsyet pse intelektualët janë kundër tyre, sepse intelektuali kërkon konsistencë dhe mistiku nuk mund të jetë konsistent. Nga vetë natyra e gjërave kjo gjë nuk është e mundur. Ai duhet të jetë kontradiktor.

Ai duhet të thotë, “Unë jam kontradiktor sepse jam mjaft i gjerë për të përmbajtur kontradikta”. Logjika është një gjë e vogël. Misticizmi është një kërcim; shkenca është një lëvizje shumë e ngadaltë. Intelekti nuk mund të kërcejë; duhet të argumentojë – argumenton çdo fakt, provon, kundërshton, eksperimenton. Por zemra mund të kërcejë menjëherë. Mos harroni, për intelektin është i domosdoshëm një proces, pastaj vjen përfundimi – së pari proçesi, pastaj përfundimi logjik. Për zemrën, përfundimi vjen së pari, pastaj vjen proçesi. Është e kundërta. Kjo është arsyeja pse mistikët nuk mund të dëshmojnë asgjë. Ata kanë përfundimin, por ata nuk e kanë proçesin. Ju mund të mos e keni vënë re, që mistikët thjesht flasin për përfundime. Nëse lexoni Upanishads do të gjeni vetëm përfundime.

Kur për herë të parë u përkthyen në gjuhë perëndimore, filozofët perëndimorë nuk mund ta kuptonin – sepse nuk kishte asnjë argument. Si e arrinin këtë përfundim? Cila është prova? Si mund të deklarosh, “Është Brahma”? Upanishads nuk thonë asgjë, thjesht vijnë në një përfundim. Zemra arrin në një përfundim menjëherë. Dhe kur të arrihet përfundimi, ju mund ta krijoni procesin. Ky është kuptimi i teologjisë. Mistikët arrijnë në përfundim dhe teologët krijojnë procesin. Jezusi arriti në përfundim dhe më pas teologët – Shën Augustini, Thomas Aquinas – krijuan proçesin. Përfundimi është arritur, tani ju duhet të gjeni provat. Nëse nuk mund ta shihni, atëherë nuk ka asnjë provë. Mos i bëni teori këto teknika sepse nuk janë. Ato janë kërcime në përvojë, në përfundime.

Misticizmi është vetë shpirti i fesë. Lini mënjanë të gjithë ekspertizën tuaj; lërini këngët të jenë mënyra juaj e jetës. Kaloni nga intelekti në intuitë, nga koka në zemër, sepse zemra është më afër mistereve. Koka është anti-mister; e gjithë përpjekja e kokës është se si të demistifikohet ekzistenca. Shkenca beson në demistifikimin e ekzistencës. Feja thotë se nuk mund të demistifikohet. Sa më i thellë të kuptuarit shkon, aq më mistike bëhet, aq më misterioze bëhet. Dhe tani ekziston mundësia që shkenca dhe feja të mund të lidhen, sepse shkencëtarët më të mëdhenj gjithashtu e kanë ndjerë atë, në një mënyrë shumë indirekte. Për shembull, Eddington, Albert Einstein dhe të tjerë kanë arritur në një ndjesi se sa më shumë dinë për ekzistencën, aq më shumë hyjnë në mëdyshje, sepse sa më shumë dinë, aq më shumë të panjohura shfaqen. Sa më shumë ata dinë, aq më shumë njohuritë e tyre duket se janë sipërfaqësore.

Sa më shumë që hymë në hetime, aq më shumë bindemi se bota nuk përbëhet nga gjëra, por përbëhet nga mendime – dhe ekzistenca duket më pak si materie sot dhe më shumë si vetëdije. “Ky është një lajm i mirë; shkenca po vjen në një të pikë mirëkuptimi. Ky kuptim po lind për shkak të dështimit për të demistifikuar ekzistencën. Por unë nuk shoh një kuptim të ngjashëm që lind në të ashtuquajturit njerëz fetarë. Ata kanë mbetur shumë larg, të gjithë flasin në mënyra të vjetra dhe pakuptim. Ata janë akoma të obsesionuar me Vedat dhe Kuranin dhe Biblën. Jo se Vedat janë gabim, ose Kurani ose Bibla janë të gabuara – ato kanë plotësisht të drejtë – por ato shprehen në një mënyrë shumë të lashtë dhe primitive. Ata nuk janë të afta të përmbushin shkencën moderne.

Ne kemi nevojë për mistikë fetarë bashkëkohorë të të njëjtit kalibër si Albert Einstein, Eddington dhe Planck. Ne duhet të krijojmë mistikë bashkëkohorë, jo vetëm studiues që mund të flasin si papagall për Upanishads dhe Vedat. Ne kemi nevojë për njerëz që mund të flasin ashtu si foli Jezusi, me autoritetin e tyre. Ne kemi nevojë për mistikë të guximshëm, të cilët mund të thonë se kanë përjetuar Zotin, jo sepse shkrimet thonë se Zoti është, por sepse ata e kanë njohur Zotin; jo vetëm njerëz të mësuar, njerëz të ditur, por njerëz të mençur. Mjaft me studime. Studimi është thjesht shumë mediokër. Ne kemi nevojë për Buda, jo njerëz që kanë informacion për Budën. Ne kemi nevojë për meditues, njerëz me eksperienca. Dhe atë ditë shkenca dhe feja mund të takohen dhe mund të bashkohen. Dhe ajo ditë do të jetë një nga ditët më të mëdha të tërë historisë njerëzore; do të jetë një ditë e shkëlqyer gëzimi, e pakrahasueshme, unike, sepse nga ajo ditë, skizofrenia dhe njerëzimi i përçarë do të zhduket nga bota.

Atëherë nuk do kemi nevojë të kemi dy gjëra, shkencë dhe fe; një gjë do të jetë e mjaftueshme. Për pjesën e jashtme do të përdorim metodologjinë shkencore, për të brendshmen do të përdorim metodologjinë fetare. Dhe “misticizmi” është një fjalë e bukur; ajo mund të përdoret për atë unicitet shkencë me fe. “Misticizëm” do të jetë një emër i bukur. Atëherë shkenca do të kërkojë misterin e jashtëm dhe feja do të kërkojë misterin e brendshëm; të dyja do të jenë krahët e mistikës. Misticizmi mund të jetë sinteza e të dyjave. Dhe me këtë sintezë, shumë sinteza të tjera do të ndodhin vetë. Lindja dhe Perëndimi mund të takohen, logjika dhe dashuria mund të takohen, atëherë shtresa mbi shtresë, takimet mund të vazhdojnë. Dhe pasi të ketë ndodhur kjo, ne do të kemi një njeri më të përsosur, më të plotë, më të ekuilibruar.