Çlirimi i gruas …..

Çlirimi i gruas …..

Na ndiqni në rrjetet sociale

Një grua nuk duhet ta kuptosh, por duhet ta duash: kjo është gjëja e parë që duhet kuptuar. Gruaja është më e dashur sepse nuk jeton sipas logjikës dhe arsyes, por thjesht në bazë të emocioneve dhe zemrës, dhe kjo mënyrë e zemrës është e mrekullueshme, por e rrezikshme, ndërsa mënyra e mendjes është e zakonshme, por e sigurt. Në jetë, burri ka zgjedhur rrugën më të shkurtër dhe më të sigurt, ndërsa gruaja ka zgjedhur rrugën më tërheqëse – por edhe më të rrezikshme – të emocioneve dhe ndjenjave. Dhe duke qenë se bota deri më tani është sunduar nga burrat, gruaja ka vuajtur jashtëzakonisht shumë: ajo nuk ka qenë në gjendje të përshtatet me shoqërinë e krijuar nga mendja mashkullore sepse është e ndërtuar mbi bazën e arsyes dhe logjikës, ndërsa ajo dëshiron një botë që vjen nga zemra.

Por ana tjetër e dashurisë është urrejtja dhe xhelozia; nëse një grua mbetet e burgosur aty, të gjitha bukuritë e dashurisë zhduken, duke lënë vetëm helmin, me të cilin ajo do të përfundojë duke intoksikuar veten dhe këdo që është përreth saj. Nëse dashuroni, duhet të jeni shumë të kujdesshëm për të mos rënë në humnerën e urrejtjes: ku është shumë lehtë të rrëshqasësh. Ndoshta kjo është arsyeja pse shumë gra vendosin të mos dashurojnë dhe pse burri ka vendosur të jetojë në mendje, duke harruar plotësisht zemrën. Zemra është shumë e ndjeshme dhe dëmtohet shumë lehtë. Prandaj gruaja duhet të jetë shumë e kujdesshme për të mos rënë në urrejtje, xhelozi dhe zemërim. Ajo duhet t’i kujtojë këto gjëra dhe duhet ta mbrojë zemrën e saj që ato të mos shkatërrojnë thesarin e saj më të çmuar, që është dashuria.

Gruaja duhet të braktisë urrejtjen dhe xhelozinë, dhe burri duhet të braktisë logjikën dhe të dashurojë pak më shumë. Dhe të dy duhet të shkojnë më thellë në dashuri: sa më thellë të shkojnë, aq më afër arrijnë në esencën e tyre. Burrat keqtrajtuan, shtypën dhe dënuan gratë pa e ditur se kjo i bënte ata inferiorë, sepse ata penguan gjysmën e njerëzimit të rrisë vetëdijen dhe duke bërë kështu, ata gjithashtu i mohuan vetes mundësinë për të mësuar nga universi femëror artin e ngritjes. Në fakt, edhe ata mund të kishin ndjekur të njëjtën rrugë dhe të shfrytëzonin të njëjtën rrugë. Për këtë arsye gjithmonë them se çlirimi i grave është gjithashtu çlirim i burrave; në të vërtetë paraqet një çlirim më shumë për burrin sesa për gruan.

Pse nuk e kanë çliruar ende veten gratë?

Një nga arsyet pse gratë ende nuk e kanë çliruar veten është se ato nuk mund të bashkojnë forcat, ato ndiejnë zili ndaj grave të tjera, për rroba më të bukura, xhevahire më të çmuara, një makinë më të shtrenjtë, një shtëpi më të madhe etj… e vetmja lidhje që ato kanë me gratë e tjera është zilia. Fakti që çdo grua është ziliqare për të tjerat është natyrisht një nga shkaqet kryesore të skllavërisë së tyre. Ato nuk mund të bëhen një forcë e bashkuar, sepse nëse do ta bënin, ato do të përfaqësonin gjysmën e njerëzimit dhe do të kishin qenë në gjendje të çliroheshin shumë kohë më parë. Nëse do të kishin dashur të çliroheshin, asgjë nuk do të mund t’i pengonte, por ato janë armiq të vetvetes! Secila prej jush duhet të kujtojë se burri ka arritur të ju ndajë me aq dinakëri sa t’ju pengojë të bashkoni forcat.

Kush është më budalla, burri apo gruaja?

Po ju tregoj një anekdotë.
Një burrë i tha gruas së tij: “Pse Zoti ju krijoi kaq të bukura?”
Gruaja u përgjigj: “Që burrat të bien në dashuri me ne!”.
Burri e pyeti sërish: “Atëherë, pse ju bëri kaq budallaqe?”.
“Që edhe ne të mund të biem në dashuri me ju!” – u përgjigj gruaja.

 

Për çfarë ka nevojë gruaja sot?

Gruaja duhet të jetë e arsimuar, duhet të ketë pavarësi financiare, duhet të jetë një anëtar i familjes që nuk duhet të varet nga burri. Gruaja duhet të ketë lëvizje të lirë në shoqëri sikurse edhe burri. Gruaja duhet të ketë kohë të jetë krijuese, të luajë muzikë, të pikturojë, të lexojë, të shkruajë. Dhe do të befasoheni – e gjithë bezdisja dhe ankesat e saj do të zhduken, e gjithë egërsia e saj do të largohet, sepse ajo energji është bërë krijuese tani.

Ju nuk mund ta gjykoni gruan, sepse nëse doni të keni një përvojë të asaj që ajo bën, atëherë merrni vetëm punën e saj për njëzet e katër orë. Së pari gatuaj ushqimin – atëherë do ta kuptosh! Pastaj kujdesu për fëmijët, që janë “djaj” të vërtetë. Vetëm njëzet e katër orë provojeni të jeni në rolin e gruas! Është shumë e natyrshme që gruaja është bërë e bezdisshme dhe luftuese. Dhe mund ta shihni që ajo nuk e ka ndërmend këtë. Kur ajo shpreh inatin, kur ajo hedh jastëkun drejt jush, mund ta shihni – nuk ju godet kurrë.

Nuk është se ajo nuk mund të të godasë, por ajo nuk dëshiron të të godasë. Thjesht është zemërim që shprehet disi. Ajo kurrë nuk hedh gjëra të rënda tek ju … ajo kurrë nuk e bën. Dhe nëse shikoni me kujdes, ajo gjithmonë godet me gjëra të cilat janë pa vlerë – ajo dëshiron të shpëtojë prej tyre, thjesht do t’i ndërrojë! Ato ishin pjata të padobishme. Ajo është e kujdesshme; ajo e di çfarë bën – sepse kë do të lëndojë? Por zemërimi është aty dhe duhet të shprehet. Në qoftë se nuk i jepni një dimension krijues kështu do të vazhdojë… dhe mënyra e vetme e mundshme është që burri dhe gruaja të dy duhet të çlirohen nga njëri-tjetri.

Lëvizja për çlirim nuk duhet të jetë vetëm çlirim i grave, ajo duhet të jetë çlirim i burrave dhe grave – së bashku, sepse të dy janë në skllavëri. Është e ndërvarur. Vetëm një nuk mund të bëhet i lirë; ata të dy mund të bëhen të lirë ose të dy do të mbeten skllevër. Lëvizja çlirimit të grave nuk e ka kuptuar atë ende dhe i duhet një ndryshim i tërë psikologjik. Psikologjia e gruas është e ndotur nga gënjeshtrat që burri i thotë, duke e bërë atë një skllave në shërbimin e tij dhe duke e zvogëluar atë në një qenie njerëzore të shkallës së dytë. Burri sillet në këtë mënyrë sepse është më i fortë nga pikëpamja fizike; por forca muskulare është pjesë e aspekteve të kafshëve: nëse ky do të ishte kriteri për vendosjen e epërsisë, atëherë çdo kafshë, në një nivel fizik, është më e fuqishme se njeriu!

Gratë janë padyshim më të guximshme se burrat. Në të gjitha kulturat e botës është gruaja që lë familjen e saj të shkojë dhe të jetojë në atë të burrit të saj; braktis nënën, babanë, miqtë, qytetin dhe gjithçka që gjithmonë ka dashur dhe është rritur: i sakrifikon të gjitha këto për dashurinë! Burri nuk do të ishte në gjendje të bënte të njëjtën gjë. Gruaja u shëmtua sepse ishte e mbizotëruar, torturuar dhe kthyer në hiç. Kur natyra juaj parandalohet të evoluojë sipas nevojave tuaja të brendshme, ajo bëhet e thartë, e helmuar, ngrin dhe paralizohet, duke u bërë e çoroditur. Gruaja e sotme nuk është në të vërtetë as grua, sepse është helmuar me shekuj. Dhe nëse gruaja është e kontaminuar, edhe burri vuan pasojat, sepse, në fund të fundit, edhe ai vjen në botë nga një grua; nëse ajo nuk është e natyrshme, fëmijët e saj nuk do të jenë të natyrshëm, sepse kur të bëhet nënë, fëmijët e saj – mashkull ose femër ashtu – do të kontaminohen nga karakteri i saj.

Dita e çlirimit të grave do të jetë një ditë e madhe çlirimi edhe për burrat. Por mos e bëni të shëmtuar. Përndryshe ekziston çdo mundësi – kam frikë se ekziston mundësia që gjatë luftimit me burrat, gratë mund të humbasin diçka që është me vlerë. Diçka që ende nuk është shkatërruar nga burrat mund të shkatërrohet nga vetë gratë në luftën me burrat. Nëse luftoni në mënyrë të egër do të humbni bukurinë e feminitetit; ju vetë do të bëheni po aq të shëmtuara sa edhe burrat.

Lëvizja e çlirimit  të grave demonstron, kudo në botë, saktësisht të njëjtin lloj agresioni. Gratë që iu bashkuan asaj janë shumë agresive dhe po humbasin të gjithë hirin që vjen nga intuita, sepse nëse duhet të luftosh kundër burrave, je i detyruar të mësosh truket e tyre dhe të përdorësh teknikat e tyre. Luftimi i dikujt është shumë i rrezikshëm: sepse nëse futesh në luftë me dikë, gradualisht je i detyruar të përdorësh teknikat dhe metodat e tij dhe ndërkohë je shndërruar në armikun tënd … Unë mund ta kuptoj agresivitetin e tyre: shekuj dhe shekuj dominimi i kanë bërë ato të dhunshme, është thjesht hakmarrje; ato e kanë humbur arsyen e tyre dhe i vetmi përgjegjës është burri.

Çlirimi i vërtetë do ta kthejë gruan në një grua autentike dhe jo një kopje të keqe të një burri, sepse kjo është ajo që po ndodh tani: gratë po përpiqen të jenë saktësisht si burrat. Nëse burrat pinë duhan, edhe gratë pinë duhan; nëse burrat bëjnë diçka, gratë gjithashtu bëjnë të njëjtën gjë: çfarëdo që të bëjnë burrat, edhe gratë duhet ta bëjnë këtë dhe ato thjesht kthehen në burra të nivelit të dytë. Ajo që po ndodh nuk ka asnjë lidhje me çlirimin dhe bëhet një skllavëri shumë më e thellë. Ajo ka rrënjë më të thella sepse ndërsa forma e parë e skllavërisë u imponohej grave nga burrat, kjo formë e dytë e skllavërisë u krijua nga vetë gruaja; prandaj është më e thellë sepse, kur ju imponohet nga dikush tjetër, mund të rebeloheni; nëse, nga ana tjetër, ju jeni ai që importon skllavëri në emër të çlirimit, nuk keni më asnjë shans për rebelim.

Do të dëshiroja që gruaja të bëhej vërtet grua dhe kjo varet kryesisht nga ajo. Gruaja është shumë më e rëndësishme se burri, sepse mbart si femrën ashtu edhe mashkullin, është nëna e djalit dhe vajzës, i ushqen të dy; nëse gruaja është e helmuar, qumështi i saj gjithashtu do të helmohet dhe mënyra e saj e rritjes së fëmijëve gjithashtu do të ndotet. Nëse gruaja nuk është vërtet e lirë të jetë grua, burri nuk do të jetë kurrë burrë në të vërtetë. Liria e gruas është thelbësore për lirinë e burrit dhe është edhe më themelore sesa liria e vetë burrit. Dhe nëse gruaja është skllave, siç ka qenë me shekuj, ajo do ta bëjë edhe burrin skllav, edhe pse e bën këtë në heshtje, pasi dinamika e femrës është shumë delikate.

Ajo nuk do të përplaset direkt me ju, lufta e saj do të jetë indirekte, do të jetë femërore; ajo do të qajë dhe dëshpërohet, ajo nuk do t’ju godasë, por përkundrazi do të dëmtojë veten, dhe përmes lotëve dhe lotëve do të arrijë të bëjë të dorëzohen edhe burrat më të fortë. Një grua jashtëzakonisht e brishtë është e aftë të mbizotërojë edhe një burrë shumë të fuqishëm … Gruaja ka nevojë për liri totale, në mënyrë që ajo t’i japë edhe burrit liri. Një nga gjërat më të rëndësishme për të mbajtur mend është se duke skllavëruar dikë tjetër, edhe ju përfundimisht do të skllavëroheni: nuk do të jeni në gjendje të qëndroni të lirë. Nëse doni të qëndroni të tillë, jepni lirinë të tjerëve, sepse kjo është mënyra e vetme për të qenë vërtet të lirë.

A jeni kundër lëvizjes së çlirimit të grave?

Lëvizja çlirimit të grave është një gjë e tmerrshme dhe unë e di shumë mirë që përgjegjësia duhet t’i atribuohet mashkullit shovinist. Gjatë shekujve, burrat u kanë bërë kaq shumë dëm grave, saqë sot ato dëshirojnë të hakmerren; por kur filloni të mendoni për hakmarrje, bëheni shkatërrues. Është e kotë të vazhdosh të shikosh plagët e së kaluarës; nuk ka asnjë vlerë të provoni të hakmerreni për të kaluarën, përkundrazi duhet të mësoni të falni dhe të harroni. Gratë, mund t’i japin fund këtij rrethi vicioz, sepse ato janë më të afta për dashuri dhe dhembshuri. Burri është më agresiv, më i dhunshëm …

Unë nuk kam shpresa të mëdha te burrat: kam shumë më tepër shpresë te gratë dhe kjo është arsyeja pse nuk jam në favor të qëndrimit agresiv të Lëvizjes Çlirimit të Grave. Problemet e jetës nuk mund të zgjidhen me një qasje të dhunshme, por vetëm me dashuri. Burrë e grua janë dy universe të ndryshme, kështu që është e vështirë për ta të kuptojnë njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, edhe nëse e kaluara është e mbushur me keqkuptime, e ardhmja nuk ka pse të jetë kështu; në vend të kësaj, ne mund të mësojmë diçka nga historia jonë dhe mësimi i vetëm që duhet të mësohet është që burrat dhe gratë duhet të bëhen më të kuptueshëm ndaj njëri-tjetrit dhe më të aftë të pranojnë dallimet e njëri-tjetrit.

Këto dallime janë të vlefshme dhe nuk duhet domosdoshmërisht të çojnë në konflikt; përkundrazi, ato janë arsyeja e tërheqjes që ekziston midis burrit dhe gruas. Nëse do zhdukeshin të gjitha dallimet e tyre, nëse burrat dhe gratë do të kishin të njëjtin profil psikologjik, dashuria gjithashtu do të zhdukej, sepse nuk do të kishte më asnjë polaritet. Burri dhe gruaja janë si polet negative dhe pozitive të energjisë elektrike: ato tërhiqen ndaj njëri-tjetrit si magnet; ato janë dy pole të kundërta, kështu që është e natyrshme që midis tyre ekziston një konflikt, por falë mirëkuptimit, dashurisë, dhembshurisë dhe aftësisë për të parë botën e tjetrit me një qëndrim miqësor, është e mundur që të zgjidhet çdo problem.

Nuk ka nevojë të krijoni pengesa të mëtejshme: është koha të ndaloni! Burrit i duhet liri po aq sa edhe gruas; burrat dhe gratë të dy duhet të çlirohen … por nga mendja! Ata duhet të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin të çlirohen nga mendja: kjo do të ishte një lëvizje e vërtetë çlirimtare! Gratë kanë besim dhe është e lehtë për to të besojnë; dashuria është më e natyrshme për to sesa logjika dhe ato mbi të gjitha merren me gjëra imediate. Në vend të kësaj, burri vazhdimisht harton taktika dhe strategji, duke u shqetësuar se çfarë do të ndodhë dhe si do të ndodhë, duke menduar për të ardhmen dhe duke planifikuar…

Atmosfera e përgjithshme në ditët e sotme dëshiron që gratë të jenë të barabarta me burrat. Në çdo pjesë të botës, grupe të grave në ditët e sotme mblidhen për të rritur vetëdijen e tyre, por të gjitha këto seanca vetë-ndërgjegjësuese japin vetëm një rezultat: shkatërrimin e diçkaje të rrënjosur thellë në feminitetin e tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë ato do të jenë në gjendje të konkurojnë me burrat. Nga natyra, gratë janë delikate dhe nuk mund të konkurojnë me burrat; nëse duan ta bëjnë këtë, do të duhet të ngurtësohen; për këtë arsye, kur të takoni një feministe, do të vini re që fytyra e saj ka humbur delikatesën e saj.

Kështu gjenerohet ngurtësia. Ju ndoshta po bëni një përpjekje për të mos pasur më interes për shtëpinë, sepse kjo ju pengon të jeni konkurrues në botë dhe nuk mund të jeni kompetitive nëse kujdeseni për fëmijët tuaj, sepse ata janë shpërqendrim. Nëse duhet të garoni në botë dhe të provoni se jeni po aq të forta sa burrat, duhet të bëheni disi si ata. Por, kjo do të dalë se është një humbje serioze, sepse e vetmja shpresë për njerëzimin nuk qëndron në ngurtësinë e burrit, por në delikatesën e gruas. Tashmë kemi vuajtur mjaft për shkak të ngurtësisë së mashkullit; njerëzimi nuk ka nevojë që gruaja të duket më shumë si burrë, por përkundrazi që burri bëhet më shumë si grua!

Gratë po përpiqen shumë të largohen nga vetja, por kjo nuk është e natyrshme. Ajo që është me të vërtetë e natyrshme në një grua është barku i saj, barku i saj që dëshiron të krijojë një fëmijë, i cili dëshiron një shtëpi. Shtëpia është manifestimi i jashtëm i mitrës së femrës, është një projeksion i barkut të saj të brendshëm dhe kur gruaja nuk kujdeset më për shtëpinë, ajo nuk kujdeset më as për barkun mëmësor të saj, që megjithatë vazhdon të ekzistojë.

Burrat dhe gratë nuk janë të njësoj: si mund të jenë njësoj? Nuk po them që nuk janë të barabartë me njëri-tjetrin, por po them që sigurisht që nuk janë njësoj. Ata janë kaq të ndryshëm! Si mund të jenë njësoj? Ata janë dy pole të kundërta; ata janë aq të ndryshëm sa që as nuk mund të krahasohen sa i përket barazisë dhe pabarazisë. Gruaja është grua dhe burri është burrë dhe duhet të vazhdojnë të qëndrojnë kështu; gruaja duhet të vazhdojë të ketë një interes për shtëpinë, sepse kur ajo pushon së vepruari, ajo gjithashtu pushon së interesuari për barkun dhe fëmijët e saj dhe më pas bëhet natyrshëm një lezbike.

Unë besoj se burri gjithashtu duhet të bëhet pak më femëror; ai e ka ekzagjeruar duke dashur të jetë mashkull, duke humbur plotësisht shikimin. Mos ndiqni gjurmët e tij, mos konkuroni me të, përndryshe do të gjeni veten në rrugën e tij, të burgosura në zakonet e tij: do të bëheni luftarake dhe feministet që qajnë dhe bërtasin, duke protestuar në rrugë, janë thjesht të tmerrshme; gjithçka që ato bëjnë është të tregojnë tiparet më të këqija të mendjes mashkullore!

Osho – Nuk mund t’i kuptoj përgjithësimet e tua për llojin mashkull dhe femër. Nganjëherë ju i njihni parimet mashkullore dhe femërore pavarësisht nga gjinia, por në shumicën e rasteve ju flisni për gruan sikur të ishte pjesa “primitive”, e cila gjen “ujkun grabitqar” tek mashkulli. Po për gruan që natyrshëm merr iniciativën, apo që e sheh “kotelen” në vend të “ujkut” në burrin e saj? Ka burra që sinqerisht dëshirojnë të jenë pasivë dhe ka gra që mund të kenë nevojë të pretendojnë se roli i tyre të rritet. Si është e mundur që Lëvizja çlirimit thjesht i shndërron gratë në një qenie “artificiale” dhe hiperacionale?

Kur them se gratë janë më primitive se burrat, nuk është për t’i fajësuar ato, por për të dënuar burrat; Me “primitive” dua të them më e natyrshme, më në përputhje me ekzistencën. Ideja e civilizimit është një falsifikim që ju largon nga natyra. Sa më e civilizuar bëhet qenia njerëzore, aq më e bllokuar bëhet në mendje, duke humbur kontaktin me zemrën e saj. Zemra është akoma primitive dhe është mirë që universitetet ende nuk kanë arritur të gjejnë një mënyrë për t’i mësuar zemrës civilizimin, sepse kjo është shpresa e vetme për mbijetesën e njerëzimit.

Braktiseni idenë e të qenurit burrë apo grua! Ne jemi të gjithë qenie njerëzore; të qenit burrë apo grua është vetëm një fakt shumë sipërfaqësor. Mjaft bëtë shumë zhurmë mbi këtë temë: nuk është asgjë me të vërtetë e rëndësishme, mos i jepni shumë rëndësi çështjes! Ajo që them ndonjëherë mund të duket si një përgjithësim, sepse nuk mund t’i konsideroj gjithmonë të gjitha kushtet e mundshme, përndryshe fjalimet e mia duhet të jenë plot me shënime!

Unë gjithmonë flas për tipe dhe asnjëherë për llojet. Sa herë që them “burrë” nënkuptoj tipin mashkull dhe sa herë që them “grua” i referohem tipit femër, por nuk mund të përsëris “tipin mashkull” dhe “tipin femër” çdo herë. Dhe ke të drejtë të kujtosh se ka gra që nuk janë gra, por “ujqër”, pasi ka burra që nuk janë “ujqër”, por “kotele”. Në këtë rast do të thotë që gjithçka që unë them për llojin mashkull do të vlejë edhe për gratë ujk, po ashtu dhe ato që unë them për gratë do të vlejnë edhe për burrat kotele.

Nuk po ju referohem dallimeve biologjike midis burrit dhe gruas, por atyre psikologjike. Vërtetë, ka burra shumë më femëror sesa femrat dhe ka më shumë gra më mashkullore sesa burrat, por kjo nuk është një situatë e mirë për të qenë; është e tmerrshme sepse prodhon një dikotomi tek ju. Nëse keni trupin e një burri dhe mendjen e një gruaje, brenda jush do të zhvillohet një konflikt, një konflikt social, do të zhvillohet një luftë civile dhe do ta gjeni veten duke jetuar në një gjendje lufte të armatosur, betejash dhe tensioni. Nëse jeni një grua, por keni një mendje mashkull, do të kaloni jetën tuaj duke harxhuar shumë energji në një konflikt të panevojshëm. Është shumë më mirë të jesh në harmoni: të jesh burrë ose grua si në trup ashtu edhe në mendje.

Lëvizja Çlirimit të Grave po krijon probleme të panevojshme, duke i kthyer gratë në ujqër dhe duke i mësuar ato të luftojnë. Burri është bërë armik dhe si mund ta doni armikun? Si mund të hyni në një marrëdhënie intime me armikun? Burri nuk është armiku juaj! Për të qenë me të vërtetë grua, gruaja duhet të bëhet gjithnjë e më femërore, ajo duhet të arrijë lartësitë e delikatesës dhe prekshmërisë, ashtu si, për të qenë me të vërtetë burrë, burri duhet të vihet në kontakt me energjinë e tij mashkullore më të thellë. Burri i vërtetë dhe gruaja e vërtetë që ata takojnë janë një palë të kundërtash, ekstreme; vetëm këto pole të kundërta mund të bien në dashuri dhe të gëzojnë intimitet; vetëm ekstremitetet tërheqin njëri-tjetrin.

Ajo që po krijohet sot është një lloj androgjeni: burrat po bëhen gjithnjë e më femërore dhe gratë gjithnjë e më mashkullore; herët a vonë të gjitha dallimet do të humbasin dhe do të ketë një shoqëri pa ngjyra dhe të mërzitshme. Do të dëshiroja që gruaja të bëhej sa më femërore, sepse vetëm atëherë ajo do të jetë në gjendje të lulëzojë dhe në mënyrë të ngjashme, burri duhet të bëhet sa më mashkullor, në mënyrë që të lulëzojë. Kur burri dhe gruaja shndërrohen në pole të kundërta, midis tyre lind një tërheqje e madhe, një magnetizëm i jashtëzakonshëm dhe kur i afrohen njëri-tjetrit, kur takohen në intimitet, të dy sjellin dy botë në atë takim, dy dimensione dhe dy pasuri të ndryshme, duke e shndërruar atë moment, në një lumturi të jashtëzakonshme.

Osho

Ej Grua, unë mund të shoh atë që ke kaluar
Nga shikimi në sytë e tu dhe nga mënyra sesi ecën

Ej Grua, pyes veten nëse e di vërtet se çfarë vlen
Pavarësisht se çfarë të është thënë

Pavarësisht çfarë të është dashur të bësh për t’u dashur

Për shkak se ti e di, pa marrë parasysh sa je lënduar,

Asgjë nuk mund të shkatërrojë zemrën tënde
Asgjë nuk mund të shkatërrojë dashurinë tënde

Ato i përkasin një gruaje

Vendosi duart mbi ijet e tua, hidhi një vështrim qiellit
Vallë nuk e di se është i yti, i imi dhe është hyjnor?
Ti je nëna e të gjithëve dhe ti je fëmija gjithashtu
Ky është misteri yt dhe i imi

Ej Grua, pretendo qiellin …A mund ta dëgjosh thirrjen time?

A mund të më dëgjosh? (Unë mund të të dëgjoj, dëgjoj …)
Për shkak se unë jam duke kënduar për ty, unë po këndoj për ty
Për shkak se unë mund të ndjej atë që ti ndjen

Dhe nëse ti qan edhe unë do të qaj, prandaj këndo me mua sonte

Marga Jee

Close Menu
error: Përmbajtja nuk mund të kopjohet