Çfarë është saktësisht të menduarit pozitiv? Ph.D., Charlene Proctor, e cila e përshkruan veten si “udhëzuesin zyrtar të të menduarit pozitiv”, e përkufizon atë, si një disiplinë që trajton mendjen njerëzore të ndryshojë një realitet të perceptuar duke bërë vazhdimisht formulime pozitive mendore. Megjithatë, duam apo nuk duam ne ta pranojmë, luginat e jetës ekzistojnë. Dhe ato nuk janë kundër maleve; në fakt, ato rrisin vlerësimin tonë për malet. Të ecësh nëpër lugina mund të jetë po aq domethënëse sa ngjitja në mal. Të ashtuquajturat situata negative mund të na bëjnë më të fortë në mënyra të tilla që ‘kohët e mira’ nuk munden.
Osho – Nëse, në emër të “mendimit pozitiv”, ne shtypim dyshimet tona, atëherë ato janë të detyruara të vazhdojnë si një rrymë nëntokë, duke e gërryer energjinë tonë nga poshtë. Jo vetëm kaq, por përpjekja për të mbajtur mendimet negative të mbyllura është stresuese dhe krijon konflikt brenda njeriut. Dikush e pyeti Gautama Budën, “Pse nuk i mëson njerëzit të luten?” Ishte një pyetje e qartë – një fe pa lutje është thjesht e pakonceptueshme për shumë njerëz. Dhe përgjigja që dha Buda është po aq e freskët sot sa ishte njëzet e pesë shekuj më parë, po aq e re dhe revolucionare.
Ai tha, “Unë nuk i mësoj njerëzit të luten, sepse lutjet e tyre do t’i dëmtojnë ata. Tani për tani ata nuk janë të vetëdijshëm sa duhet për të kërkuar diçka dhe çfarëdo që të kërkojnë do të jetë e gabuar. Prandaj, lërini të bëhen mjaftueshëm të vetëdijshëm. Unë i mësoj ata si të bëhen më të vetëdijshëm dhe pastaj varet nga ata. Dhe kur të jenë plotësisht të vetëdijshëm, nëse duan të luten, ata janë të lirë. Ata nuk janë skllevërit e mi. Por mund të them një gjë: kushdo që është plotësisht i vetëdijshëm nuk ka asgjë për të kërkuar. Ai ka gjithçka për të cilën një person mundohet të lutet, për të cilën njerëzit përpiqen të buzëqeshin, njerëzit përpiqen të duken të lumtur, njerëzit përpiqen të jenë të vërtetë. Por pavetëdija e tyre qëndron prapa çdo akti të tyre dhe kjo pavetëdije shtrembëron ndershmërinë e tyre, shtrembëron buzëqeshjet e tyre, shtrembëron të vërtetën e tyre.
Por asnjë moral në botë nuk i mëson njerëzit që së pari të jenë të vetëdijshëm dhe vetëm atëherë të gjejnë, me vetëdijen e tyre, se cilat cilësi dëshirojnë të lulëzojnë në qenien e tyre…. Ndershmëri, sinqeritet, të vërtetë, dashuri, dhembshuri? Përveç disa rebelëve si Gautam Buda, askush nuk ka menduar për pavetëdijen tuaj, se së pari ajo pavetëdije duhet të bjerë, të ndryshohet dhe qenia juaj e brendshme duhet të jetë plot dritë. Vetëm atëherë gjithçka që bëni do të jetë në rregull. Nga një mendje plotësisht e vetëdijshme asgjë nuk mund të shkojë keq. Por askush nuk dëgjon në këtë botë.
Juve ju duhet ta shtypni dyshimin tuaj shumë fort sepse ju dini që nëse ai nuk shtypet fuqishëm ai do ta hedhë mbulesën e besimit dhe ju do të jeni lakuriq përpara syve tuaj tashmë të tronditur. Tronditja nuk është e pavend. Ajo ka nevojë për dy gjëra: një pjesë e juaja – pjesa juaj më e thellë, pjesa juaj e shtypur – sheh të vërtetën e asaj çfarë unë jam duke thënë dhe pjesa juaj shtypëse e cila nuk do që ta shohë atë. Ky konflikt krijon tronditje.
Ju mund të jeni një besimtar i devotshëm në filozofinë e të menduarit pozitiv, por unë nuk mendoj se ju kuptoni se çfarë domethënie ka filozofia e të menduarit pozitiv. Së pari, filozofia e mendimit pozitiv do të thotë të jesh i pavërtetë, do të thotë të jesh i pandershëm. Do të thotë të shohësh një gjë të qartë dhe ende ta mohosh atë çfarë ke parë; do të thotë të mashtrosh veten dhe tjerët. Mendimi pozitiv është e vetmja filozofi gjepurash me të cilën Amerika ka kontribuar në mendimin njerëzor – asgjë tjetër. Dale Carnegie, Napoleon Hill dhe prifti i krishterë Vincent Peale – të gjithë këta njerëz kanë mbushur mendjet Amerikane me këto ide absurde të filozofisë pozitive.
Dhe këta i bëjnë thirrje vecanërisht mendjeve mediokre. Libri i Dale Carnegie, ”Si të fitojmë miq dhe të influencojmë njerëz” është shitur në shifra fantastike. Asnjë libër tjetër nuk ka mundur të arrijë atë popullaritet. Dhe ai ka krijuar një lloj ideologjie e cila i ka hapur rrugën shumë librave të tjerë të këtij lloji. Por, për mua kjo është e neveritshme. Vetë ideja që ju doni të influenconi njerëz është ideja e një tregtari dhe kjo është ajo çfarë Dale Carnegie ka qenë – një tregtar i kthyer në filozof. Kjo ka ndodhur shumë herë. Vermer Erhard, themeluesi i EST…. që ka qenë një tregtar i enciklopedish, fjalorësh dhe duke shitur enciklopedi dhe fjalorë ai kuptoi aftësitë e tij. Atëherë, pse të merrej me enciklopedi?! Pse të mos shiste ide? – të cilat janë një komoditet më i padukshëm.
Njerëzit nuk mund t’i shohin idetë dhe prapë ata i blejnë ato. Dhe kur ju keni paguar 250 dollarë për një ide të caktuar të cilën ju s’mund ta shihni, ju duhet të pretendoni që e keni marrë atë, përndryshe njerëzit do të mendojnë se ju jeni një budalla. 250 dollarë dhe ju nuk e keni marrë atë…? Është shumë e thjeshtë. Mendimi pozitiv thjesht po mashtron njerëzit. Nëse të influencosh njerëz dhe të fitosh miq bëhet ideologjia juaj, ju do t’ju duhet të veproni dhe silleni sipas mënyrës që njerëzit pëlqejnë që ju të veproni dhe silleni.
Kjo është rruga e thjeshtë për të influencuar njerëzit, nuk ka rrugë tjetër. E gjithë filozofia mund të përmblidhet në një fjali të thjeshtë: nëse ju doni që njerëzit të influencohen nga ju, silluni sipas mënyrës që ata mendojnë se është rruga më e drejtë që të sillesh. Ti provo të jesh ideali i tyre, të cilin ata gjithashtu duan të jenë por nuk kanë qenë të aftë që të jenë. Sigurisht, që ti nuk mund të bëhesh ideali i askujt tjetër, por ti mund të pretendosh dhe do të bëhesh një hipokrit. Dhe nëse ju influenconi shumë njerëz, atëherë sigurisht që ju do të keni shumë personalitete, shumë ”maska”, sepse çdo person influencohet nga një maskë e ndryshme.
Nëse ju doni të influenconi shumë njerëz do t’ju duhet të keni shumë personalitete, shumë maska. Juve do t’ju duhet vazhdimisht të pretendoni atë që nuk jeni dhe do t’ju duhet të fshihni atë ç’ka ju jeni. Filozofia e Dale Carnegie krijon foni, por qëllimi i vërtetë është të influencojë njerëzit. Pse? Për të fituar miq, por pse? Çfarë nevoje ka për këtë? Dy gjëra duhen kuptuar. E para, të influencosh njerëzit është vetëm një mjet se si të fitosh miq. Fjala ”fitoj” duhet theksuar. Ajo është e gjitha politikë brenda saj.
Sa më shumë njerëz të jenë nën influencën tuaj, aq më të fuqishëm ju jeni. Pushteti juaj varet nga numri i njerëzve që ju mbështesin dhe sa njerëz ju keni influencuar, aq shumë sa do të ishin gati të bënin gjithçka për ju. Prandaj politikanët flasin në një gjuhë që është gjithnjë e paqartë – ju mund ta interpretoni atë në mënyrën që ju pëlqen – dhe është e tillë që gjithnjë e më shumë njerëz të influencohen prej saj. Nëse do të ishte e qartë dhe shkencore, pa ndonjë paqartësi; vetëm me një kuptim, atëherë ajo do arrinte vetëm që t’i mërziste njerëzit.
Dale Carnegie e nisi gjithë këtë shkollë të filozofisë pozitive, të mendimit pozitiv duke thënë: mos shiko anën negative, mos shiko anën e errët. Por duke mos e parë atë, ju mendoni se ajo është zhdukur? Ju thjesht jeni duke mashtruar veten tuaj. Ju nuk mund të ndryshoni realitetin. Nata do të jetë ende këtu; ju mund të mendoni se është ditë gjatë gjithë 24 orëve, por nga mendimi juaj nuk do të ketë dritë për 24 orë. Negativja është po aq shumë pjesë e jetës sa edhe pozitivja. Ato balancojnë njëra-tjetrën.
Kur Napoleon Hill u takua me Henry Ford dhe donte t’i jepte librin e tij, Ford i tha: ”Shih përjashta”. Ajo është makina ime private dhe unë jam Henry Ford. Ti po mashtron të tjerët, ti nuk ke madje as një makinë tënden dhe shkruan një libër të titulluar: ”Mendo dhe rritu i pasur”. Unë jam rritur i pasur pa menduar se jam i tillë, prandaj nuk kam pse të shqetësohem. Ti mendo dhe bëhu i pasur; – dhe kur të bëhesh i pasur atëherë eja tek unë. Kjo do të jetë ”prova”. Libri nuk është ”provë”. Të thuash “Bekuar janë të varfrit, sepse mbretëria e Zotit është për ta, ti nuk e ndryshon varfërinë. Varfëria rritet, numri i njerëzve të bekuar rritet gjithashtu. Dy mijë vjet nga ky mësim i vazhdueshëm…. a e kanë ndryshuar natyrën e varfërisë? Jo.
E vetmja gjë që ka bërë ky mësim ka qenë vrasja e shpirtit revolucionar tek të varfrit. Varfëria mbetet në vendin e saj dhe rritet me hapa gjigandë. Por ajo ka bërë qartësisht një gjë: ajo ka zhdukur guximin e njeriut të varfër. Shpirti i tij rebelues është helmuar. Dhe vetëm në një gjë jam dakord me Karl Marksin – që feja s’është gjë tjetër veçse opium për njerëzit e varfër. Jam dakord me të sepse kjo është ajo çfarë kanë bërë të gjitha fetë në botë. Ata ju kanë dhënë opium, drogë, që ju të keni ëndrra të bukura.
Ji i uritur, ji i pamësuar, ji i sëmurë, vuaj çdo lloj mjerimi të mundur – por merre atë pozitivisht. Jo. Nuk besoj në asnjë filozofi të mendimit pozitiv dhe nuk besoj as në filozofinë e të menduarit negativ – sepse të dyja janë atje. Pozitivja dhe negativja bëjnë një të plotë. Filozofia është – as pozitive, as negative, por realiste. Ju e shihni gjithësinë në totalitetin e saj, çfarëdo që ajo është. E mirë dhe e keqe, ditë dhe natë, jetë dhe vdekje, të dyja janë këtu, janë kudo janë në jetët tona.
Nuk ka nevojë të projektoni ndonjë filozofi mbi të. Ju më pyesni: A jam kundër filozofisë pozitive? Po, sepse jam edhe kundër filozofisë negative. Unë duhet të jem kundër të dyjave sepse të dyja zgjedhin vetëm gjysmën e faktit dhe përpiqen të injorojnë gjysmën tjetër. Por një gjysmë e vërtetë është shumë më e rrezikshme se një gënjeshtër e tërë, sepse e gjithë gënjeshtra do të zbulohet nga ju herët a vonë. Sa kohë mund të mbetet e pazbuluar nga ju? Një gënjeshtër, natyrisht, është një gënjeshtër; është vetëm një pallat i bërë me letra – një fllad i vogël dhe i gjithë pallati zhduket.
Por gjysma e së vërtetës është e rrezikshme. Nuk mund ta zbuloni kurrë, mund të vazhdoni të mendoni se është e gjithë e vërteta. Pra, problemi i vërtetë nuk është e gjithë gënjeshtra, problemi i vërtetë është gjysma e së vërtetës që pretendon të jetë e gjithë e vërteta dhe kjo është ajo që po bëjnë këta njerëz. Filozofia e të menduarit pozitiv thotë: «Merrni gjithçka me pozitivitet. Negativja nuk duhet të ketë ndonjë hapësirë në qasjen tuaj, nuk duhet të ketë asnjë pjesë negative. Kjo po kërkon të bëjë një pjesë, që është pjesa pozitive, pothuajse të plotë.
E njëjta gjë është e vërtetë për njerëzit negativë, megjithëse askush nuk predikon filozofinë e të menduarit negativ, sepse kush do t’i dëgjojë ata? Njerëzit janë aq të mjerë, saqë askush nuk do të dëgjojë një filozofi të tillë. Ata do të thonë: “Tashmë jemi aq të mjerë dhe ju po na mësoni të kërkojmë më shumë mjerim! Edhe nëse një buzëqeshje e rreme është atje, të paktën është aty. Ju lutemi na falni, ne nuk mund të vazhdojmë të gërmojmë dhe të gjejmë lotët. Kemi mjaft lotë tashmë. Dhe vetëm një buzëqeshje është mirë – edhe pse mund të jetë thjesht një mënyrë, një formalitet, thjesht një mënyrë e qytetëruar për të takuar dikë. Cili është qëllimi për të treguar plagët e njëri-tjetrit dhe duke e bërë njëri-tjetrin më të mjerueshëm se më parë? Pra, nuk ka shkollë të filozofëve negativë. Por ka më shumë njerëz që besojnë në filozofinë negative pa e njohur atë, sesa ka njerëz që besojnë në filozofinë pozitive.
Në fakt, të gjithë këta besimtarë në filozofinë pozitive janë në thelb negativë. Për të fshehur atë negativitet ata besojnë fort në filozofinë pozitive. Unë nuk jam në mbështetje të asnjërës palë. Unë jam në favor të të gjithë të vërtetës dhe kjo është ajo që unë do të doja që të bëni edhe ju: merrni tërë të vërtetën, sepse negativja është po aq thelbësore sa edhe pozitivja. Ju nuk mund të krijoni energji elektrike vetëm me polin pozitiv; do t’ju duhet poli negativ gjithashtu. Vetëm me polin negativ dhe pozitiv mund të krijoni energji elektrike. Është plotësues, nuk është kundër pozitives.
Pyetësi: A mund të na shpjegoni çfarë doni të thoni me mendim negativ?
Jiddu Krishnamurti: Para se të hetojmë në problemin e të menduarit pozitiv dhe negativ, le të pyesim veten, çfarë është mendja? Kur ju bëj një pyetje me të cilën ju jeni njohur më parë, përgjigja është e menjëhershme, nuk keni pse të mendoni. Për shembull, nëse ju pyes se ku jetoni, ju përgjigjeni pa pasur nevojë të mendoni për të. Por nëse bëhet një pyetje më e ndërlikuar, ekziston hezitimi, gjë që tregon se po kërkoni një përgjigje; mendja po kërkon një përgjigje në zonën e kujtesës. Kjo është ajo që ne e quajmë të menduar. Nuk e di përgjigjen, por po mundohem të gjej një përgjigje në të gjitha kujtimet, njohuritë që kam grumbulluar dhe duke e gjetur atë, unë përgjigjem gojarisht.
Kjo përgjigje, e cila është një reagim i kujtesës, është ajo që ne e quajmë mendim, apo jo? Ne gjithmonë jemi duke menduar nga prapavija jonë e njohurive dhe përvojës, kështu që të menduarit tonë është shumë i kufizuar dhe një mendim i tillë nuk mund të jetë kurrë i lirë. Në atë proces nuk ka liri të mendimit, në kuptimin themelor të fjalës. Ju mund të ndryshoni mendimet tuaja, përfundimet tuaja; por për aq kohë sa ju i merrni këto nga njohuritë, që është ajo që jemi mësuar të bëjmë, ju nuk mendoni aspak. Në atë proçes nuk ka liri të mendimit, sepse kujtesa dhe njohuritë tashmë kanë kushtëzuar të menduarit tuaj. Mendimi negativ mund të jetë dhe ndoshta është, liria nga dija si përfundime. Në fund të fundit, gjithçka që dimë është e së kaluarës. Në momentin që themi “Unë e di”, njohuria tashmë është zhvendosur larg nga e tashmja dhe është vendosur në kujtesë, në të kaluarën.
Pra, a mundet që mendja të jetë në gjendje jo-dije? Sepse vetëm atëherë mendja mund të pyesë, jo kur thotë “Unë e di”. Vetëm mendja e cila është e aftë të jetë në një gjendje të mos njohjes – jo thjesht si një pohim verbal, por si një fakt aktual – është e lirë të zbulojë realitetin. Por të jesh në atë gjendje është e vështirë, sepse kemi turp për gjërat që nuk i dimë. Njohuria na jep forcë, rëndësi, një qendër rreth së cilës egoja mund të jetë aktive. Mendja e cila nuk thërret dijen, e cila nuk jeton në kujtesë, e cila është plotësisht e zbrazur prej së kaluarës, që vdes në çdo formë të akumulimit nga momenti në moment – është e vetmja mendje e tillë që mund të jetë në një gjendje jo-njohjeje, e cila është forma më e lartë e të menduarit. Mund të mos jetë duke menduar fare, siç e njohim ne, por është një gjendje e qenies e cila nuk është thjesht e kundërta e jo-qenies.
Ndarja midis dijes dhe të kuptuarit është artificiale, në të vërtetë nuk ekziston; por për të qenë të lirë nga kjo ndarje, që do të kuptojë ndryshimin midis tyre, ne duhet të zbulojmë se cila është forma më e lartë e të menduarit, përndryshe do të ketë konfuzion. A fillon të menduarit me një përfundim? A është mendimi një lëvizje nga një përfundim në një tjetër? A mund të mendojmë, nëse të menduarit është pozitiv? A nuk është mendimi negativ forma më e lartë e të menduarit? A nuk është e gjitha njohuria jonë, një akumulim i përkufizimeve, përfundimeve dhe pohimeve pozitive? Mendimi pozitiv, i cili bazohet në përvojat e mëparshme, është gjithmonë rezultat i së kaluarës dhe një mendim i tillë nuk mund të zbulojë kurrë të reja.
Mënyrat e traditës çojnë në mënyrë të pashmangshme në mediokritet dhe një mendje e kapur në traditë nuk mund të perceptojë atë që është e vërtetë. Tradita mund të jetë e vjetër një ditë, ose mund të jetë dhe një mijë vjet. Mbledhja e fakteve nuk bën që të kuptohet jeta. Njohuria është një gjë dhe të kuptuarit një tjetër. Njohuria nuk çon në mirëkuptim; por mirëkuptimi mund të pasurojë dijen, dhe njohuritë mund të zbatojnë mirëkuptimin. Njohuria është vetëm një pjesë e jetës, jo tërësia, dhe kur ajo pjesë merr rëndësi gjithëpërfshirëse, siç po kërcënon të bëjë tani, atëherë jeta bëhet sipërfaqësore, një rutinë e shurdhër nga e cila njeriu kërkon të shpëtojë përmes çdo forme devijimi dhe bestytni, me pasoja katastrofike.
Njohuritë e shumta, sado të gjera dhe të vendosura me dinakëri, nuk do t’i zgjidhin problemet tona njerëzore. Të supozosh këtë do të thotë të ftosh zhgënjim dhe mjerim. Diçka shumë më e thellë është e nevojshme. Dikush mund të dijë se urrejtja është gabim, por të jesh pa urrejtje është çështje tjetër. Dashuria nuk është çështje e dijes. Tani të kthehemi tek të menduarit pozitiv, i cili nuk është aspak të menduar, por është thjesht një vazhdimësi e modifikuar e asaj që është menduar. Forma e jashtme e saj mund të ndryshojë herë pas here, në varësi të detyrimeve dhe presioneve, por thelbi i të menduarit pozitiv është gjithmonë tradita. Të menduarit pozitiv është proçesi i përshtatjes dhe mendja që përshtatet nuk mund të jetë kurrë në një gjendje zbulimi.
Por a mund të hiqet dorë nga mendimi pozitiv? A është ai i nevojshëm në një nivel të caktuar të ekzistencës njerëzore? Sigurisht, por kjo nuk është çështja. Ne po mundohemi të zbulojmë nëse njohuritë mund të bëhen pengesë për të kuptuarin e së vërtetës. Njohuria është thelbësore, sepse pa të duhet të fillojmë përsëri në të gjitha fushat e ekzistencës sonë. Kjo është mjaft e thjeshtë dhe e qartë. Por, a do të na ndihmojnë njohuritë e grumbulluara, sado të gjera të jenë, të kuptojmë të vërtetën? “Çfarë është e vërteta? A është një tokë e zakonshme për tu shkelur nga të gjithë? Apo është një përvojë subjektive, individuale?”
Me çfarëdo emri që mund të quhet, e vërteta duhet të jetë gjithnjë e re, e gjallë; por fjalët ‘të reja’ dhe ‘të gjalla’ përdoren vetëm për të përcjellë një gjendje që nuk është statike, jo e vdekur, as një pikë fikse brenda mendjes së njeriut. E vërteta duhet të zbulohet përsëri nga momenti në moment, nuk është një përvojë që mund të përsëritet; nuk ka vazhdimësi, është një gjendje pa kohë. Nuk është një gjendje që duhet arritur, as pikë në të cilën mendja mund të evoluojë, të rritet.