You are currently viewing Puna me Qendrën Emocionale

Puna me Qendrën Emocionale

Na ndiqni në rrjetet sociale

Një çështje e rëndësishme për njeriun është se si të punohet me Qendrën Emocionale. Problemi i madh me Qendrën Emocionale është se ne jemi gjithmonë të identifikuar me të – domethënë me emocionet që kemi në ndonjë moment të veçantë. Ne kemi një vështirësi shumë të madhe, atë të ndarjes nga gjendja emocionale e momentit. Ne e marrim të mirëqenë gjendjen tonë emocionale. Për shembull, ne ndihemi xheloz emocionalisht, gjë që është një gjë tjetër nga xhelozia instiktive dhe identifikohemi plotësisht me këtë emocion. Ose, jemi në depresion emocionalisht, dhe sërish e marrim këtë si gjendje tonën normale, si diçka që nuk e sfidojmë. Puna e shumë viteve na mëson se Qendra Emocionale është qendra më e vështirë për t’u kontrolluar.

Ajo quhet ndryshe quhet elefanti i çmendur dhe po ashtu thuhet se duhet të përpiqemi të sjellim dy elefantë nga çdo anë e tij, për ta zbutur, një prej të cilave është Qendra Intelektuale dhe tjetra Qendra e Lëvizjes. E gjithë çështja qëndron në vështirësinë e vëzhgimit të Qendrës Emocionale në një mënyrë jo të identifikuar. Arsyeja është që ne identifikohemi me emocionet tona më shumë se me çdo gjë tjetër, duke e marrë kështu gjendjen tonë emocionale gjithnjë si të mirëqenë – jo si diçka të cilën duhet ta vëzhgojmë dhe prej së cilës duhet të veçohemi. Çdo njeri ka një seri tipike gjendjesh emocionale të përsëritura, të cilat variojnë nga eksitimi dhe entuziazmi i madh deri tek ndjenjat më të dëshpëruara dhe patologjike.

Por për shkak se forca e emocioneve është shumë verbuese, njerëzit mbeten të fiksuar në timonin e kthimit të emocioneve të tyre. Me fjalë të tjera, njerëzit u besojnë emocioneve të tyre dhe i marrin ato sikur të ishin gjendje origjinale dhe mjaft reale. Ata i konsiderojnë emocionet e tyre si të drejta në çdo moment. Dhe për shkak se emocionet janë kaq të vështira për tu vëzhguar, për shkak të tendencës sonë për t’u identifikuar me to, njerëzit nuk i shikojnë ato si diçka për tu vëzhguar dhe shkëputur prej tyre. Pika e fillimit gjithnjë qëndron në vetë-vëzhgimin dhe në këtë rast vëzhgimin e gjendjes emocionale. A mund ta bëni këtë? A mund ta vëzhgoni gjendjen tuaj emocionale pa e konsideruar atë si gjendjen tuaj të vërtetë? A i vini ju në dyshim gjendjet tuaja të veçanta emocionale? Me fjalë të tjera, a i sfidoni gjendjet tuaja emocionale dhe i thoni vetes: “Pse jam në këtë gjendje emocionale? Pse ajo ndodhet këtu? Dhe pse ka lindur?” Përpjekja e vëmendjes së brendshme do të fillojë të bëjë ndarjen nga gjendja emocionale dhe kështu mund të jeni në gjendje ta çarmatosni atë – d.m.th. mos ti shkoni nga pas asaj, mos besoni në të, mos e merrni si të mirëqenë.

Ekzistojnë dy burime të gjendjeve tona emocionale në çdo moment. Një burim është një stimul i jashtëm, si psh, një person që nuk sillet drejtë me ty, ose të thotë diçka mjaft të pakëndshme dhe tjetri është emocioni tipik i zakonshëm që vjen nga një ndjenjë patetike për të kaluarën tënde. Kapërcimi i së kaluarës është një linjë e rëndësishme e punës personale me veten tuaj. Shumica e njerëzve kanë një listë shumë të gjatë të momenteve të jo të lumtura, të cilat i kanë ushqyer aq shumë, saqë shpesh është e vështirë për ta të shpëtojnë nga këto gjendje patetike, të cilat natyrisht, vetëm shkaktojnë emocione negative të vazhdueshme, të cilat nga ana e tyre vetëm krijojnë vuajtje të panevojshme. Pra e gjithë e kaluara duhet të anulohet përfundimisht. Me fjalë të tjera, nuk duhet të kesh asgjë kundër askujt. Ju duhet të falni (eleminoni) të gjitha borxhet emocionale.

Burimi tjetër është se si njerëzit sillen ndaj jush çdo ditë. Ju bëheni negativ me dikë që vepron në një mënyrë të caktuar ndaj jush, gjë për të cilën ju mendoni se është e gabuar. Dhe të gjithë duhet të shihni se këto dy burime, të brendshme dhe të jashtme, të emocionit negativ, janë të lidhura ngushtë. Për sa i përket të qenit negativ dhe pasjes së një gjendje të pakëndshme emocionale ndaj një personi të caktuar – duke supozuar se ju keni arritur në atë pikë sa të jeni në gjendje të vëzhgoni se jeni në një gjendje të pakëndshme emocionale dhe kjo natyrisht do të thotë që nuk identifikoheni plotësisht me të, pra ju jeni të vetëdijshëm për atë gjendje negative ndaj një personi të veçantë – si do të merreni me të? Këtu hyn në lojë e gjithë puna që keni bërë personalisht. Provoni të formuloni se çfarë është ajo që ju bën negativ në lidhje me këtë person dhe më pas shikoni në Kujtesën tuaj të Punës – dhe përpiquni të shihni çfarë gjeni të vështirë tek personi tjetër, është apo jo diçka që edhe ti e ke në veten tënde. Të kuptoni se ju jeni po aq të vështirë për veten tuaj sa personi që kritikoni prodhon menjëherë ndjenjën magjike të dorëzimit, të lirisë. Por për ta bërë këtë, duhet të përdorni Qendrën Intelektuale.

Çdo ngjarje që ju ndodh, si psh dikush që thotë diçka të pakëndshme për ju, ju duhet të jeni të aftë të transformoheni. E gjithë kjo punë ka të bëjë me transformimin e vetvetes, si në marrëdhënie me të kaluarën tonë ashtu edhe në marrëdhënie me atë që po na ndodh tani. A keni thënë ndonjëherë ndonjë gjë të pakëndshme për njerëzit e tjerë? Lidheni këtë me ngjarjen ku dikush të thotë diçka të pakëndshme dhe ato anullojnë njëra-tjetrën, megjithëse, edhe mund të mos jeni në gjendje t’i bëni të gjitha këto thjesht në momentin kur dikush është i pakëndshëm për ju. Shumë nga puna jonë personale bëhet pas ngjarjes. Është mjaft e pavlerë të falësh: juve duhet të anulloni. Dhe kjo bëhet gjithmonë duke gjetur të njëjtën gjë tek vetja dhe gjithmonë do ta gjesh nëse do të jesh i sinqertë. Askush nuk mund të sillet ndaj jush ndryshe nga sa silleni ndaj njerëzve të tjerë sepse Qenia juaj tërheq jetën tuaj. Problemi me ne është se e konsiderojmë veten si njerëz të mirë e të këndshëm. Duhet të kuptoni se ajo që mendoni psikologjikisht për veten tuaj, në intimitetin tuaj, ka vlerë po aq sa ajo që ju thoni. Mendimet tuaja negative janë njësoj me atë që thuhet hapur.

Një person që Punon dhe në mendjen e të cilit vijnë shumë mendime të pakëndshme për njerëzit e tjerë, e sheh mjaft lehtë se si ai mund të bashkohej me to kimikisht, por ai nuk lejon që këto kombinime të ndodhin me të vërtetë dhe pas një kohe tundimi i tij mbaron. Kur nuk i aktivizoni mendimet dhe ndjenjat e pakëndshme për njerëzit e tjerë dhe jeni mjaftueshëm të vetëdijshëm për to, atëherë po punoni me të vërtetë. Çdo lloj grindje e brendshme që tenton të shprehet te dikush tjetër ju jep mundësinë e zhvillimit dhe i gjithë zhvillimi konsiston në mos identifikimin e asaj që dëgjoni në kokën tuaj. Nëse mendime negative, të hidhura ose të dyshimta, aktivizohen do të thotë se ka një rrjedhje energjie gjë që mund t’ju marrë javë për tu riparuar. Kjo edhe pse shpesh është një gjë shumë e vogël, dhe duket e parëndësishme, pothuajse e shteron plotësisht forcën tuaj, sepse krijon një rrjedhje energjie që nuk e kuptoni. Mendimet e keqardhjes për veten patjetër bëjnë vrima tek ju. Ju bëheni, një kulluese, plot vrima, në të cilën gjithçka që keni bërë për veten tuaj, shkarkohet. Merrni zilinë si shembull tjetër. Zilia duket një gjë e vogël por bën një vrimë shumë të madhe. Merrni keqdashjen. E njëjta gjë. Ose merrni urrejtjen që lind nga fyerja. Të gjitha këto janë gjendje identifikimi me mendjen dhe emocionet.

I gjithë mësimi i vërtetë psikologjik ka të bëjë me atë se si ta bësh njeriun të rritet, dhe ka një objekt shumë të përcaktuar. Ideja është që nëse njeriu ruan forcën e tij në një mënyrë të caktuar ai mund të krijojë në vetvete një njeri të ri. Metaforat e përdorura për të përcjellë këtë mësim kanë qenë të ndryshme në epoka të ndryshme. Në mësimin alkimik, i cili në të vërtetë merrej me ndryshimin e vetë Njeriut në një qenie të re, gjithmonë ekziston kjo ide, diçka që nuk mund të depërtohet nga ndikimet e gabuara, diçka që sjell së bashku të gjitha pjesët thelbësore të njeriut, duke i transformuar ato në një trup të ri. Ne kërkojmë të arrijmë një nivel më të lartë të Qenies. Cila është një shenjë e një niveli më të lartë të Qenies?

Më lejoni ta drejtojmë në këtë mënyrë: A mendoni se një person i cili është i mbushur me keqardhje për veten, me zili, xhelozi, ankime, keqdashje, depresione dhe gjendje negative të të gjitha llojeve, mund të hyjë në Mbretërinë e Qiellit? Çfarë është Mbretëria e Qiellit? Asgjë tjetër përveç asaj që sjell praktika e psikologjisë së vërtetë – e cila në këtë rast quhet “Qenie më e Lartë”. Kështu që ne kemi diçka për të bërë. Nuk është një teori dhe as një shpikje: është mësim i përhershëm. Gjithçka në këtë punë na mëson për diçka krejt të vërtetë dhe të përcaktuar, por edhe të mundshme për ata që mund të dëgjojnë. Bëhet fjalë për njeriun dhe kuptimin e tij të përhershëm – jo kuptimin e tij lokal. Pra, ka diçka që do t’i përgjigjet domosdoshmërisht njeriut nëse ai bën kërkesat dhe përpjekjet e duhura – sepse nëse Njeriu ka kuptim edhe Universi ka kuptim.

Tani le të kthehemi te pyetja origjinale se si të veprojmë me Qendrën Emocionale. Kjo është një gjë e vështirë dhe shumë njerëz nuk kanë durim që të merren me të. Por njerëzit që dëshirojnë ta bëjnë këtë punë duhet të fillojnë të merren në nivelin e tyre me emocionet e tyre të pakëndshme sepse praktikisht të gjitha emocionet që ne njohim janë të pakëndshme. Për shembull, triumfimi mbi një rival është një emocion i pakëndshëm edhe pse në nivelin tonë ne e konsiderojmë atë si një emocion të këndshëm. Dhe madje edhe emocionet e këndshme që ne zakonisht përjetojmë kthehen në emocione të pakëndshme menjëherë pasi neve na preket krenaria ose kotësia jonë. Arsyeja është sepse të gjitha emocionet tona bazohen në vetë-dashurinë e cila i prek ato dhe nëse ka shumë lajka ndihemi shumë mirë, por nëse nuk ka lajka ndjehemi shumë depresivë. Për këtë arsye është një gjë shumë e mirë të mos i besosh emocioneve qoftë të këndshme apo të pakëndshme dhe veçanërisht nuk duhet ti besojmë entuziazmit.

Ka emocione që nuk ndryshojnë. Ato ne i quajmë emocione pozitive. Emocionet tona të zakonshme pozitive – nuk janë vërtet pozitive, thjesht ato janë të këndshme ose të pakëndshme. Njeriu ende nuk ka emocione të vërteta. Ato shfaqen herë pas here për një kohë shumë të shkurtër dhe janë gjithmonë plotësisht të lira nga çdo dashuri vetjake. Por gjithashtu ato janë shumë të rralla dhe shpiken lehtësisht nga fantazia njerëzore. Ne nuk mund të krijojmë emocione pozitive për veten tonë. Emocionet pozitive na vijnë ndonjëherë, nëse ne kemi punuar vërtet dhe ato vijnë si shpërblim. Karakteristika e një emocioni pozitiv, që vjen nga Qendra e Lartë Emocionale, është e tillë që nuk shndërrohet kurrë në të kundërt. E ashtuquajtura dashuria jonë e zakonshme shndërrohet shumë lehtë në urrejtje. Një emocion pozitiv nuk ka të kundërt, sepse i përket një Force të Tretë që është midis të kundërtave.

Pastrimi i Qendrës Emocionale mund të arrihet vetëm përmes pastrimit të Qendrës Intelektuale nëpërmjet ideve të reja si për veten dhe për njerëzit e tjerë, ashtu edhe për kuptimin e gjithë jetës në Tokë. Kur mendja fillon të shohë Realitetin e ri, atëherë Qendra Emocionale mund të fillojë të heqë dorë nga këto emocione të rreme. Objekti i fundit është zgjimi i Qendrës Emocionale në mënyrë që të mund të marrë emocione pozitive. Dhe ndërsa kjo është shumë larg nesh për momentin, të gjithë e dimë me siguri se sa punë kemi të bëjmë në Qendrën tonë Emocionale dhe gjendjet tona aktuale emocionale që vijnë nga kjo. Për shembull, duhet të heqim dorë nga ideja se kemi të drejtë gjatë gjithë kohës. Mos mendoni se kjo mund të bëhet në një moment. Duhet një kohë e gjatë për ne që të kuptojmë se çfarë do të thotë. Por kur të fillojmë të shkrijmë ndjenjën tonë të zakonshme mekanike të vetvetes – atëherë do të fillojmë të copëtojmë vetë burimet e kësaj vetë-dashurie dhe këto emocione që aktualisht na kontrollojnë të gjithë.

Njeriu u krijua veçanërisht si një eksperiment për vetë-evolucionin. Njeriu u krijua si një organizëm vetë-zhvillues, ndryshe nga kafshët. Nga ky këndvështrim Njeriu është i paplotë si një ndërtesë ende e pa mbaruar dhe i lihet atij që të përfundojë ndërtesën e tij, të përfundojë vetveten. Për këtë arsye mësime të caktuara kanë ekzistuar gjithmonë në botë të cilat mund të quhen “mësime ezoterike” Qendra Emocionale tek Njeriu sot është në një gjendje shumë të keqe. Ne duhet të punojmë në Qendrën tonë Emocionale dhe ta pastrojmë atë, ta pastrojmë, duke hequr emocione të panevojshme që na mbajnë në gjumë dhe na mbajnë skllevër në jetën e jashtme. Le të marrim një person që është gjithmonë në udhëkryq, gjithmonë i inatosur, gjithmonë i mërzitur, gjithmonë i vështirë, në fakt, gjithmonë një telashe. Në një person të tillë, Qendra Emocionale nuk funksionon mirë dhe është e nevojshme që një person i tillë, përmes vëzhgimit teknik të trajnuar, të ndërgjegjësohet se Qendrës Emocionale që ai ka punon gabim.

Ky person duhet të kuptojë se një gjendje e tillë e Qendrës Emocionale është e papajtueshme me çdo zhvillim të vetvetes – domethënë, ky person, qoftë burrë ose grua, duhet të kuptojë se për të përfunduar veten në kuptimin e këtij mësimi, d.m.th. për të evoluar, për tu zhvilluar, është pothuajse e pamundur për sa kohë që Qendra Emocionale e tij mbetet në këtë gjendje mekanike. Çështja është se persona të tillë nuk janë në dijeni të gjendjes së Qendrës Emocionale brenda tyre. Ata nuk e shohin që janë të vështirë, të pakëndshëm, të zemëruar, etj. Përkundrazi, ata kanë një pamje të vetes si shumë të ëmbël dhe simpatikë. Prandaj ekziston një hendek, një boshllëk në vetëdijen e tyre për veten e tyre. Ky boshllëk mund të plotësohet vetëm nga vetë-vëzhgimi i vetëdijshëm. Njerëzit të gjithë mendojnë se e njohin veten, por askush nuk e di çdo të thotë kjo vërtet.

Ky është një iluzion. Zakonisht njerëzit e tjerë dinë më shumë për veten tonë sesa ne, por ata, nga ana tjetër, nuk njohin veten e tyre. Pra, është një gjë shumë e mirë të filloni të vëzhgoni gjendjen e Qendrës tuaj Emocionale dhe manifestimet e pakëndshme që vijnë prej saj në mënyrë mekanike. Qendra Emocionale është qendra më e mrekullueshme tek ne, por që aktualisht, në gjendjen e gjumit në të cilën ne të gjithë ekzistojmë, ajo është përmbytur me emocione negative, me vetë-keqardhje, me vetëvlerësim dhe njëqind e një formë të tjera të ngjashme të emocionit që na pengojnë të jemi në kontakt me njëri-tjetrin dhe na pengojnë të kuptojmë vështirësitë e njëri-tjetrit. Puna në Qendrën Intelektuale është e ndryshme nga puna në Qendrën Emocionale, por Puna fillon me vëzhgimin e tre qendrave kryesore tek ne dhe duhet të arrijmë në pikën në të cilën realizojmë përmes vetë-vëzhgimit gjendjen e dy qendrave — d.m.th. çfarë ndodh gjatë gjithë kohës në Qendrën Intelektuale dhe çfarë ndodh gjatë gjithë kohës në Qendrën Emocionale.

Sot kemi një njeri që nuk pëlqen askënd, i cili bëhet xheloz për njerëzit, që gjen faj kudo, etj. Një njeri i tillë nuk e di se kjo është gjendja e Qendrës së tij Emocionale. Ose ndodh që një njeri e ndjen veten gjithmonë përmes epërsisë ndaj njerëzve të tjerë, por megjithatë nuk e realizon atë. Ndjenja emocionale e epërsisë bazohet gjithmonë në vetëvlerësim, në vetë-dashuri, në ndjenjën e vetvetes. Në një rast të tillë, Qendra Emocionale nuk funksionon siç duhet, dhe as nuk mund ta plotësojë një person me ndjenjat e duhura që i japin atij kuptimin e brendshëm dhe kështu qetësinë. Pra, është mirë të vëzhgosh gjendjen e Qendrës Emocionale, ta vëzhgosh atë në veprim – d.m.th. të vëzhgosh se si reagon mekanikisht ndaj ngjarjeve të jashtme dhe veçanërisht njerëzve të tjerë. Këtu qëndron një detyrë e madhe, e cila është me të vërtetë një detyrë jete. Kjo punë është për jetën e të gjithëve dhe përmes zbatimit të saj ne gradualisht i nënshtrohemi një transformimi të brendshëm për shkak të faktit se ne bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm për anët tona reale dhe atë se çfarë ne jemi vërtet. Kjo shkatërron iluzionet për veten.

Kur një njeri fillon të punojë me veten e tij, ai nuk mund të mbetet më i njëjti. Ai pastaj fillon të kuptojë se çfarë do të thotë se njerëzit kanë lindur në këtë Tokë si organizma vetë-zhvillues dhe se ekziston një detyrë e veçantë për të gjithë që duhet të ndiqet dhe të përpunohet për të arritur këtë përfundim, këtë zhvillim përfundimtar që është kuptimi i tyre i vërtetë për të qenë në këtë planet shumë të papërsosur. Detyra e secilit është e ndryshme, por pasi puna të kuptohet në vijat e saj të gjera dhe pasi të njihet e vërteta e saj nga brenda, ajo tregon vetë se çfarë është e nevojshme. Ju duhet të mbani mend se emocionet negative janë të panevojshme, se ato e ndërlikojnë jetën vazhdimisht. Ato prodhojnë të gjithë pakënaqësinë që ekziston në marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin, dhe se gjithashtu është e mundur që gradualisht të çliroheni nga këto emocione negative të panevojshme. Kur një person e kupton këtë dhe e sheh këtë të vërtetë brenda tij, ai tashmë ka një sekret me vlerë të pallogaritshme. Ai kurrë nuk do të jetë në humbje, pavarësisht nga rrethanat, sepse ai gjithmonë do të dijë se çfarë duhet të bëjë në çdo situatë – domethënë, të mos shprehë emocione negative dhe më pas, të ndahet prej tyre. Nuk është se ne nuk kemi të drejtë të kemi emocione negative, sepse kjo do të ishte shumë e vështirë por ne kemi të drejtë të mos kemi emocione negative.

Të gjitha problemet tona, tragjeditë shtëpiake e kështu me radhë, vijnë kryesisht nga ushqimi i emocioneve negative. Shqyrtojini ato dhe pastaj shikoni veten. Një frazë në lutjen e Zotit thotë: “Duke  anuluar atë që i detyrohemi Zotit, ne anulojmë atë që mendojmë se të tjerët na kanë borxh”. Kjo do të thotë, për sa kohë që jeta juaj bazohet në të imagjinuarit se të tjerët ju detyrohen, nuk do të arrini askund. Por gjithnjë e më shumë nëse ju shihni se askush nuk ju ka borxh asgjë dhe se gjithmonë është faji juaj – atëherë llogaritë tuaja, shpirtërisht, anulohen. Kjo jep mundësinë e dëgjimit të qendrave më të larta dhe asaj që do t’ju tregojnë. Por nëse jeni një masë e konsideruar e brendshme, e vetë-keqardhjes, e ndjenjës që nuk keni pasur kurrë mundësi, e ndjenjës se situata juaj e jetës është e jashtëzakonshme dhe se askush nuk i kupton vështirësitë tuaja – atëherë do të vazhdoni të përmbytni Qendrën Emocionale me emocione negative. Në atë rast ajo nuk mund të kryejë funksionet e saj të vërteta dhe kështu nuk mund t’ju japë kuptimin dhe paqen e brendshme.