Kushdo që dëshiron të arrijë lartësitë e yjeve është i detyruar të jetë një armik i Shpirtit të Gravitetit. Graviteti nuk është vetëm një fenomen fizik; ai gjithashtu ka një paralele në jetën shpirtërore. Ashtu si gjërat tërhiqen poshtë nga toka dhe ne e quajmë këtë forca e gravitetit, po ashtu diçka te njeriu, gjithashtu e tërheq atë poshtë dhe këtë Zarathustra e quan Shpirti i Gravitetit. Pse njeriu ka mbetur një xhuxh kur ai ka potencialin që të jetë një gjigand? Pse njeriu ka mbetur një bimë e vogël, kur ai mund të bëhet një pemë e lartë, duke arritur në qiell, në hapësira dhe në liri? Pse njeriu kapet pas gjërave të vogla në vend që të lirohet nga të gjitha ato që e bëjnë atë, të shëmtuar, të dhunshëm, xheloz? Pse nuk mundet ai të arrijë në lartësitë e dashurisë, vetëdijes, gëzimit dhe të shpërndajë kudo lule lumturie? Duhet të ketë diçka që e tërheq atë poshtë dhe nuk e lejon që të shkojë lart. Zarathustra i jep kësaj pikërisht emrin e duhur – Shpirti i Gravitetit.
Dhe njeriu duhet të jetë shumë i vetëdijshëm për t’iu shmangur këtij graviteti. Ky gravitet funksionon mbi njeriun vetëm nëse ai është i pavetëdijshëm; sa më i pavetëdijshëm ai është, aq më shumë është në kthetrat e gravitetit. Sa më i vetëdijshëm ai bëhet, aq më shumë ai është i lirë për t’u ngritur përtej vetes së tij. Dhe nëse njeriu nuk ngrihet mbi veten e tij nuk ka mundësi për një evoluim të mëtejshëm. Njeriu nuk ka qenë pjellor për mijëra vjet. Çdo kafshë tjetër ka krijuar një kafshë tjetër më të lartë se vetja. Njeriu vazhdon duke riprodhuar veten e tij, pa mundur të lindë diçka që është mbinjerëzore.
Shqetësimi i vetëm Zarathustrës është lindja e mbinjeriut. Ai është duke u përpjekur nga çdo drejtim, për të hequr të gjitha pengesat, për të dhënë çdo nxitje dhe sfidë në mënyrë që ju të mos jeni të kënaqur me atë që ju jeni, por që një pakënaqësi dhe dëshirë e madhe të lindë brenda jush – e cila t’ju çojë përtej vetes tuaj dhe t’ju japë krahë duke e hapur tërë qiellin si shtëpinë tuaj. Kjo është ajo që ai nënkupton me mbinjeriun. Por asnjëherë mos harroni, që hapësira është një çështje e shpirtit tuaj. Nuk është çështje hapësire fizike; kjo është një çështje e gjerësisë shpirtërore. “Njeriu mistik nuk është në ndikimin e ligjit të gravitetit që i tërheq njerëzit poshtë. Qasja e tij ndaj problemit jep një indikacion që ai ka krahë. Shpirti i Gravitetit nuk mund ta shqetësojë atë. Sa herë që ju ndjeni se doni të bëni diçka që është e dëmshme për dikë, sa herë që ju bëni diçka që është vetëm një hipokrizi, sa herë që ju bëni diçka që s’është asgjë tjetër veçse aktrim, joautentik, jo e sinqertë, ju jeni duke rënë poshtë, ju po humbni lartësinë tuaj. Sa herë që ndjeheni xheloz, plot urrejtje, plot me dhunë, zemërim, tërbim, ju mund ta ndjeni – që jeni bërë të rëndë. Xhelozia ju bën të rëndë, zemërimi ju bën të rëndë, pretendimet egoiste ju bëjnë të rëndë.
Ju mund ta ndjeni dhe mund ta dalloni mes gjërave – atë që ju bën të rëndë dhe atë që ju bën të lehtë. Dashuria ju bën të lehtë, mirësia ju bën të lehtë, dhembshuria ju bën të lehtë, qetësia ju bën të lehtë, gëzimi ju bën të lehtë. Çdo gjë që ju bën të lehtë dhe papeshë ju ndihmon që të largoheni nga burgu. Por njeriu është kaq i verbër sa nganjëherë ai sillet në mënyra pothuajse të pabesueshme. Xhelozia po ju mban ju poshtë. Zemërimi juaj ju bën të rëndë. Konkurrenca, lakmia juaj për pasuri, ju bëjnë të vegjël; përndryshe ju do të mund të ishit një gjigand si Zarathustra apo Gautama Buda.
Zarathustra thotë, UNE JAM ARMIK I SHPIRTIT TE GRAVITETIT. Në vend që të tregojë të gjitha gjërat që ju bëjnë të rëndë, ai thjesht përdor fjalët SHPIRTI I GRAVITETIT. Kjo shprehje përmban çdo gjë që ju bën të rëndë. Ka këngëtarë, zërat e të cilëve janë qetësues, duart e të cilëve jane elokuente, sytë e të cilëve janë shprehës, zemrat e të cilëve janë zgjuar, vetëm kur shtëpia është plot: por unë nuk jam njëri prej tyre.
Ata këngëtarë nuk janë autentikë. Kënga nuk vjen si një fenomen spontan. Kënga e tyre është një mall në shitje. Ata kanë nevojë për një audiencë – për blerës, ata nuk mund të këndojnë vetëm. Ata nuk mund të jenë një lule, që lulëzon në vetminë e një pylli të thellë, ku askush nuk do të kalojë kurrë. Por lulja do të lulëzojë në të gjitha ngjyrat e saj të bukura dhe do t’i japë erërave aromën e saj – pa u shqetësuar nëse ajo ndonjëherë arrin tek dikush, apo nëse këto ngjyra të bukura do të shihen ndonjëherë nga ndonjë sy. Kjo është një rritje e brendshme. Ajo nuk pret për një kalimtar, apo për turma që ta vlerësojnë dhe ta duartrokasin.
Zarathustra thotë, ” Ka këngëtarë të tjerë gjithashtu, artistë shumë të zotë, shumë elokuentë, por ata këndojnë vetëm kur shtëpia është plot. Unë nuk jam një prej tyre. Kënga ime është shpirti im. Nuk është për shitje, nuk është një mall. Unë nuk këndoj për argëtimin e dikujt, Unë këndoj vetëm për gëzimin tim. Ajo është kënaqësia ime të këndoj. Kjo nuk ka të bëjë me faktin nëse dikush e çmon apo e dënon atë.” Shumica e njerëzve për mijëra vjet, janë sjellur si strucët. Logjika e tyre është e njëjtë: gërmojnë një vrimë në rërë dhe futin kokën tuaj brenda saj. Kjo ndihmon strucin dhe është quajtur “llogjika e strucit.” Kjo ndihmon atë që të mos e shohë armikun dhe nëse ai nuk mund ta shohë armikun, ai arrin në përfundimin se nuk ka armik. Dhe ai është i aftë për vrapim më shumë se çdo kalë, por logjika e tij idiote e bën atë viktimë – kushdo mund ta vrasë atë.
Zarathustra thotë, ” Njeriu, i cili ende nuk mund të fluturojë, është si struc. Ai ka kapacitet, por ai ka hapur vrima të thella në tokë, ai është i lidhur në tokë. Ai ka frikë të humbasë pasurinë e tij, ai ka frikë të humbasë turmën, ai ka frikë të humbasë familjen e tij, ai ka frikë nga një mijë e një gjëra. Për shkak të frikës së tij, e cila është absolutisht e pabazë – sepse është vetëm projektimi i mendjes së tij – ai mbetet i pandryshueshëm; ai nuk lëviz. Ai nuk do të bredhë kurrë në toka të panjohura, ai nuk shkon të ngjisë male, në lartësi të panjohura. Këto janë gjërat themelore: të jeni një endacak në toka të çuditshme dhe të jeni një ngjitës i lartësive. Këto janë praktikat kryesore për të fluturuar në qiell.
Nëse njeriu nuk fillon të fluturojë ka për të mbetur për mijëra vjet nën skllavëri. Nëse nuk jeton rrezikshëm, ai nuk e di se si të jetojë – por ai vetëm di se si të mbijetojë. Dhe nëse nuk jetoni rrezikshëm, ju nuk mund këndoni këngë. Njeriu i cili mezi mbijeton nuk ka energji për një këngë apo një valle. Dhe ai mund të skllavërohet pa ndonjë vështirësi, për shkak se ai nuk ka energji për të bërë rezistencë.
Përgatiti: Eliza Babatinca (Elizza)