Osho vizion - Njeriu
Nocioni im për njeriun është shumë i thjeshtë: rebelim – një njeri që nuk jeton si një robot i kushtëzuar nga e kaluara. Feja, shoqëria, kultura … çdo gjë që është e djeshme nuk ndërhyn në asnjë mënyrë në mënyrën e tij të jetës, në stilin e tij të jetës. Ai jeton individualisht – si një unitet organik. Jeta e tij nuk vendoset nga askush tjetër, por nga inteligjenca e tij. Aroma e jetës së tij është ajo e lirisë – dhe jo vetëm që ai jeton në liri, por ai lejon të gjithë të tjerët gjithashtu të jetojnë në liri. Ai nuk lejon askënd të ndërhyjë në jetën e tij; as ai nuk ndërhyn në jetën e askujt tjetër. Për të, jeta është aq e shenjtë – dhe liria është vlera përfundimtare, saqë ai mund të sakrifikojë gjithçka për të: respektin, statusin, madje edhe vetë jetën.
Njerëzit kanë jetuar në shekuj si dele, si pjesë e një turme, duke ndjekur traditat, marrëveshjet – duke ndjekur shkrimet e vjetra dhe disiplinat e vjetra. Por, kjo mënyrë e jetës ishte anti-individuale; nëse je i krishterë nuk mund të jesh individ; nëse je hindu nuk mund të jesh individ. Një rebel është ai që jeton plotësisht sipas dritës së vet dhe rrezikon gjithçka tjetër për vlerën e tij përfundimtare të lirisë. Rebeli është personi bashkëkohor. Turmat nuk janë bashkëkohore. Njeriu jetom me të shkuarën, të vdekurit po mbizotërojnë të gjallët. Rebeli ngrihet kundër të vdekurve, e merr jetën në duart e tij. Ai nuk ka frikë të jetë vetëm; përkundrazi, ai shijon vetminë e tij si një nga thesaret më të çmuara.
Turma ju jep siguri, – me koston e shpirtit tuaj. Ajo ju skllavëron. Ju jep udhëzime se si të jetoni: çfarë të bëni, çfarë të mos bëni. Në të gjithë botën, çdo fe ka dhënë diçka si dhjetë urdhërimet – dhe këto janë dhënë nga njerëz që nuk e kishin idenë si do të jetë e ardhmja, si do të jetë vetëdija e njeriut në të ardhmen. Është njësoj sikur një fëmijë i vogël të shkruante tërë historinë e jetës suaj, duke mos ditur aspak se çfarë do të thotë rinia, duke mos ditur fare se çfarë do të thotë pleqëri, duke mos ditur fare se çfarë është vdekja. Të gjitha këto modele të vjetra, primitive dhe të papërpunuara – kanë formuar jetën tuaj. Natyrisht që e gjithë bota do jetë plot me mjerim: juve nuk ju lejohet të jeni vetvetja.
Çdo kulturë dëshiron që ju të jeni thjesht një kopje karboni, kurrë fytyra juaj origjinale. Rebeli, lëviz sipas inteligjencës së tij. Ai krijon rrugën e tij duke ecur mbi të, ai nuk e ndjek turmën në autostradë. Jeta e tij është e rrezikshme – por një jetë që nuk është e rrezikshme nuk është aspak jetë. Ai pranon sfidat e të panjohurës. Ai nuk e plotëson të panjohurën që po vjen në të ardhmen, të përgatitur nga e kaluara. Kjo krijon gjithë ankthin e njerëzimit; e kaluara ju përgatit, dhe e ardhmja nuk do të jetë kurrë e kaluara. E djeshmja juaj nuk do të jetë kurrë e nesërmja juaj. Por deri tani kjo është mënyra se si ka jetuar njeriu: dita e djeshme ju përgatit për të nesërmen. Vetë përgatitja bëhet pengesë. Nuk mund të marrësh frymë lirshëm, nuk mund të dashurosh lirshëm, nuk mund të kërcesh lirshëm – e kaluara ju ka sakatuar në çdo mënyrë të mundshme.
Barra e së kaluarës është aq e rëndë sa të gjithë janë shtypur nën të. Rebeli thjesht i thotë lamtumirë të kaluarës. Është një proces i vazhdueshëm, prandaj, të jesh rebel do të thotë të jesh vazhdimisht në rebelim – sepse çdo moment do të kalojë; çdo ditë do të kalojë. Nuk është se e kaluara është tashmë në varreza – ju po kaloni nëpër të çdo moment. Prandaj, rebeli duhet të mësojë një art të ri: artin e vdekjes për çdo moment që ka kaluar, në mënyrë që ai të mund të jetojë lirshëm në momentin e ri që vjen. Një rebel është një proces i vazhdueshëm rebelimi; ai nuk është statik. Dhe kjo është ajo ku unë bëj një dallim midis revolucionarit dhe rebelit. Revolucionari është i kushtëzuar edhe nga e kaluara …. dhe ashtu si çdo person tjetër, ai nuk jeton sipas vetëdijes së tij.
Ai jeton sipas një vetëdije të krijuar nga të tjerët. Prandaj, revolucionari nuk është gjë tjetër veçse reaksionar. Ai vetëm reagon, por kurrë nuk vepron. Ai mund të jetë kundër një shoqërie të caktuar, por gjithnjë është për një shoqëri tjetër. Ai mund të jetë kundër një kulture, por ai është menjëherë i gatshëm për një kulturë tjetër. Ai vazhdon të lëvizë nga një burg në një burg tjetër. Ai ndryshon burgjet e tij. Rebeli thjesht lëviz nga e kaluara dhe kurrë nuk lejon që e kaluara të sundojë mbi të. Është një proces i vazhdueshëm. E gjithë jeta e rebelit është një zjarr që digjet. Deri në frymën e fundit ai është i freskët, ai është i ri. Ai nuk i përgjigjet asnjë situate sipas përvojës së tij të kaluar; ai do t’i përgjigjet çdo situate sipas vetëdijes së tij të tanishme.
Shumë nga problemet tona janë pikërisht aty sepse ne nuk i kemi parë kurrë ato, kurrë nuk i kemi përqendruar sytë tanë për të kuptuar se çfarë është. Është si një histori e lashtë. Ishte një natë me hënë të plotë dhe një hajdut kishte vjedhur shumë bizhuteri. Dhe sigurisht që ai kishte frikë. Ai po vraponte dhe befas dëgjoi disa hapa pas tij. Pothuajse gjithmonë ndodh – nëse keni provuar ndonjëherë të vraponi në errësirë – ju dëgjoni hapat tuaj dhe ju duket sikur dikush po ju ndjek. Kur pa mbrapa, kujtoi se dikush në të vërtetë po e ndiqte; ishte hija e tij. Por ai nuk ishte në një situatë për të kuptuar se çfarë ishte. Problemi i tij ishte si të shpëtonte. Ai vrapoi më shpejt, por dëgjoi që ndjekësi të vraponte edhe më shpejt.
Ishte i lodhur, aq shumë saqë i rraskapitur, ai ra nën një pemë ku drita e hënës nuk shkonte dhe ai pa përreth dhe pyeti veten se ku kishte shkuar ndjekësi. Duke parë përreth, ai më në fund kuptoi që ndjekësi nuk ishte askush, por veçse hija e tij. Shumë nga problemet tona – mbase shumica e problemeve tona – ekzistojnë sepse ne kurrë nuk i kemi shohim ato ballë për ballë, ne kurrë nuk i hasim ato dhe kjo bën që ne t’i japim atyre energji. Duke pasur frikë prej tyre ju i jepni atyre energji. Gjithmonë duke u përpjekur t’i shmangni ju i jepni atyre energji – sepse po i pranoni.
Pranimi juaj është ekzistenca e tyre. Përveç pranimit tuaj, ato nuk ekzistojnë. Pra, nëse hapni dollapët tuaj, merrni dritën tuaj dhe shikoni skelete, do të zbuloni se ata kanë vdekur. Skeletet nuk mund të bëjnë asgjë, por pothuajse të gjithë kanë frikë nga skeletet. Është një situatë e çuditshme. Ju nuk keni frikë nga njerëzit e gjallë që mund t’ju bëjnë dëm, që madje mund t’ju vrasin – dhe në fakt ata të gjithë fshehin një skelet nën lëkurën e tyre dhe ata janë njerëz të gjallë. Por nëse papritmas hasni në një dhomë një skelet i cili nuk ka jetë, ju frikësoheni. Çfarë mund t’ju bëjë skeleti?
Unë kam qenë gjithmonë i çuditur pse njerëzit kanë kaq frikë nga skeletet. Janë njerëz shumë të varfër – pa jetë, nuk mund të bëjnë asgjë. Por duket se ka një rrymë të pavetëdijshme, “Ne vetë jemi gjithashtu skelete”. Duke parë një skelet, po e shihni veten pa lëkurë. Dhe kjo do të jetë situata juaj një ditë. Ndoshta skeleti ju kujton vdekjen, ju kujton realitetin tuaj që lëkura vazhdon të fshehë. Përndryshe skeletet janë shumë të pafajshëm, ata kurrë nuk kanë bërë ndonjë dëm për askënd. Të gjithë ne jemi thjesht skelete të mbuluar mirë. Dhe kjo do të jetë situata juaj kur të vijë vdekja. Kështu që të kujton vdekjen. Por realiteti është se ata kanë vdekur; thjesht hapni dyert, sillni dritë, pastroni dollapët, pastroni mendjen tuaj nga të gjitha plaçkat e vdekura me të cilat jeni mbushur – sepse kjo po e bën jetën tuaj vërtet të mjerueshme, një ferr.
Dhe askush përveç jush nuk është përgjegjës. Në radhë të parë, ju fshihni gjëra që nuk duhet. Është mirë t’i shprehni dhe t’i lëshoni. Ju në fillim i fshihni dhe pastaj thjesht mbeteni hipokrit – që nuk zemëroheni kurrë, se nuk jeni kurrë të urryer, se nuk jeni kurrë kjo, kurrë ajo; por gjithçka vazhdon të mblidhet brenda. Dhe këto janë gjëra të vdekura. Ato nuk kanë asnjë energji të tyren, përveç nëse ju i jepni energji. Ju keni burimin e energjisë. Çfarëdo që të ndodhë në jetën tuaj, ka nevojë për energjinë tuaj. Nëse sndërprisni burimin e energjisë dhe … me fjalë të tjera, kjo është ajo që unë e quaj identifikim; nëse nuk identifikohesh me asgjë, menjëherë çdo fantazëm brenda jush vdes, nuk ka energji të vetën. Duajeni bukurinë e vigjilencës dhe aftësinë e saj të jashtëzakonshme për t’ju shndërruar. Thjesht vëzhgoni çfarëdo që të jetë, dhe papritmas do të shihni se nuk ka asgjë tjetër përveçse një skeleti të vdekur, që nuk mund të bëjë asgjë mbi ju. Por ju mund t’i jepni energji, mund të projektoni energji mbi të. Atëherë një skelet i cili nuk mund të bëjë asgjë mund edhe t’ju vrasë, mund t’ju japë një goditje në zemër. Në momentin që ju filloni të vraponi që të shpëtoni prej saj, ju i keni dhënë asaj realitet, ju i keni dhënë asaj jetë.