You are currently viewing Rumi

Rumi

Rumi nuk do të thotë asgjë, është emri i një vendi, për shkak se ai erdhi nga Rum ai u quajt Rumi . Mesazhi i tij është dashuria dhe ai i përket kategorive më të larta të Budave . Ai ishte njeriu që krijoi një metodë të re meditimi, whirling ose duke u vërtitur, rrotulluar. Ka pasur qindra metoda, Rumi ka kontribuar me një metodë të veçantë. Ai u bë i ndriçuar jo duke u ulur në heshtje si një Buddha, ai u bë i ndriçuar duke vallëzuar. Dhe vallëzimi i tij është i veçantë. Ju rrotulloheni e rrotulloheni, si një rrotë që lëviz shpejt e më shpejt, ju jeni edhe boshti edhe rrota. Fëmijët e vegjël e pëlqejnë atë shumë. Pothuajse në të gjithë botën prindërit i ndalojnë fëmijët e tyre që ta bëjnë at, sepse ata janë të frikësuar se mund ti merren mendtë, por ata nuk e dinë se fëmijët janë duke shijuar diçka shumë të veçantë .

Kur një fëmijë i vogël rrotullohet ai humb ndjenjën e të qenit një trup, ai fillon të rrijë pezull mbi trupin e tij, ai mund të shohë vetërrotullimin e trupit të tij – dhe kjo është mrekullia e metodës. Por ne ndalemi nga prindërit tanë shumë herët .

Jalaluddin futi këtë metodë. Ai vetë u bë i ndriçuar nga tridhjetë e gjashtë orë rrotullimi të vazhdueshëm. Ai kishte hipur mbi një re, ai nuk mund të ndalej deri sa ai ra poshtë. Por, kur ai hapi sytë dhe u ngrit ai ishte një njeri krejtësisht tjetër, i vjetri ishte zhdukur. Njerëzit ishin mbledhur për ta parë atë, mijëra njerëz – sepse ai ishte një mistik i njohur. Çfarë i kishte ndodhur atij ? Ishte çmendur apo çfarë. Ai i kishte thënë dishepujve të tij se ai nuk duhej të shqetësohej.

Për tridhjetë e gjashtë orë ai vallëzoi dhe vallëzoi derisa u zhduk në atë vallëzim, vallëzimi ngeli por vallëzuesi u zhduk – ego vdiq. Dhe ai mund të shihte trupin e tij nga një plan më i lartë duke vallëzuar diku në tokë . Ai u bë një vrojtues në kodër, kurse trupi ndodhej në luginën e thellë të errët. Dhe kështu ai ia dha metodën dishepujve të tij. Mesazhi i tij ishte i dashuri dhe vallëzim. Dashuroni tërë ekzistencën kështu që ju të mund të vallëzoni dhe vallëzoni për të braktisur në mënyrë që ju të mund të dashuroni. – Osho – 

Kuptimi i Dashurisë

Drita dhe hija së bashku janë vallëzimi i Dashurisë.
Dashuria nuk ka shkak; është astrolab i sekreteve të Zotit.
Ai që dashuron dhe vetë Dashuria janë të pandashëm e të përjetshëm.
Ndonëse përpiqem ta përshkruaj Dashurinë, kur e provoj atë mbetem pa fjalë.
Ndonëse përpiqem të shkruaj rreth Dashurisë asgjë s’më ndih;
pena ime thyhet dhe fleta rrëshqet drejt vendit pa emër
ku Dashuria, i dashuruari dhe kush dashurohet janë një.
Çdo çast bëhet i lavdishëm nën dritën e dashurisë. 

Privilegj i të dashuruarve

Hëna është shndërruar në një valltare në këtë festival dashurie.

Kjo valle drite, Ky bekim i shenjtë, Kjo dashuri hyjnore,

Na thërret drejt një bote përtej së cilës vetëm të dashuruarit

mund të vështrojnë me sytë e tyre që digjen flakë pasioni. 

Ata janë të përzgjedhurit që iu nënshtruan kësaj ndjenje.

Dikur ishin grimca drite, Tani vetë dielli rrezatues.

E lanë mbrapa botën e lojrave mashtruese.

Ata janë brenda privilegjit të të dashuruarve që krijojnë

 një botë të re me sytë e tyre që digjen flakë pasioni.

 

A më do?

A më do? Një i dashuruar e pyeti të dashurën e tij

A e do veten më shumë se mua? 

E dashura iu përgjigj, 

Unë kam vdekur për vete dhe jetoj për ty. 

Unë jam zhdukur ndaj vetes dhe cilësive të mia. 

Unë jam e pranishme veç për ty.

Unë kam harruar gjithë çka kisha mësuar, por duke të njohur ty jam bërë e ditur.

Unë e kam humbur tërë forcën, por falë fuqisë tënde mund të veproj.

Nëse dua veten të dua dhe ty. Nëse të dua ty e dua dhe veten.

Ti dhe unë

Një çast lumturie, ti dhe unë të ulur në verandë,

dukemi dy, por jemi një shpirt, ti dhe unë.

Ne ndiejmë rrjedhën e ujit të jetës këtu,

ti dhe unë, me bukurinë e kopshtit dhe zogjtë që këndojnë.

Yjet do të na vështrojnë, dhe ne do t’i tregojmë atyre

çfarë do të thotë të jesh një hënëz e re.

Ti dhe unë, zhveshur nga vetja, do të jemi bashkë,

Indiferentë ndaj spekullimeve të kota, ti dhe unë.

Papagajtë e qiellit do të jenë të lumtur

Ndërsa ne qeshim së bashku, ti dhe unë.

Me një formë mbi këtë tokë,

dhe me një tjetër formë në një tokë jashtë kohës.

Vdiqa si gur dhe linda sërish si bimë;

Vdiqa si bimë dhe linda si kafshë;

Vdiqa si kafshë dhe u linda si njeri;

Pse duhet të kem frikë? Çfarë humba prej vdekjes?

 

Gjatë përjetësisë

 Gjatë gjithë përjetësisë bukuria zbulon formën e Tij të përkryer në vetminë e asgjësë

Ai mban një pasqyrë para fytyrës së Tij dhe sheh bukurinë e Tij.

ai është njohësi dhe e njohura, ai që sheh dhe ajo që shihet;

Asnjë sy tjetër përveç syrit të Tij, Nuk ka parë ndonjëherë mbi këtë Univers.

Çdo cilësi e Tij e gjen një shprehje:

Përjetësia bëhet fushë e gjelbëruar e kohës dhe hapësirës;

Dashuria, kopshti jetë-dhënës i kësaj bote.

Çdo degë, gjethe dhe frut

Zbulon një trajtë të përsosmërisë së Tij-

Këta qiparisa tregojnë madhështinë e Tij,

Trëndafili kumton bukurinë e Tij.

Bukuria

Sa herë që Bukuria shikon përtej,

Atje ndodhet dhe Dashuria;

Sa herë që bukuria tregon një faqe të skuqur

Dashuria ndez zjarrin e Saj prej kësaj flake.

Kur bukuria pushton shtresat e errëta të natës

Dashuria vjen dhe gjen një zemër

Të ngatërruar mes flokësh.

Bukuria dhe Dashuria janë si trupi dhe shpirti.

Bukuria është miniera, Dashuria është diamanti.

Ato janë bashkë. Që prej fillimit të kohës

Krah më krah, hap pas hapi.

Eja e dashur 

Le ta adhurojmë njëri-tjetrin

Para se të mos jemi më as unë as ti.

Një pasqyrë tregon të vërtetën

Shikoje fytyrën tënde të ngrysur,

Ndritu dhe largoje tutje, buzëqeshjen tënde të hidhur.

Një mik zemërgjerë jep jetë për një mik

Le të ngrihemi përmbi këtë sjellje kafshërore

Dhe të jemi të sjellshëm me njëri-tjetrin.

Pasi të më mendosh të vdekur e të ikur

Do të pajtohesh me mua

Do të të marrë malli për mua

Ndoshta edhe do të më adhurosh.

Pse të adhurosh një të vdekur?

Mendo për mua si një të ikur

Eja të pajtohemi tani.

Në vend që të vish, e të derdhësh puthje mbi varrin tim më vonë

Pse nuk mi jep ato tani?

Ky jam unë, I njëjti njeri.

Mëria e errëson miqësinë

Pse të mos e largojmë të keqen nga zemra jonë

Unë mund të flas shumë, por zemra ime është e heshtur.

Çfarë mund të bëj tjetër?

Unë jam i dënuar ta jetoj këtë jetë.

Mbaje mend, dhe dashuro

Asgjë nuk zgjat përgjithmonë

Askush nuk jeton përgjithmonë

Mbaje mend, dhe dashuro

Jeta jonë nuk është e njëjta peshë e vjetër

Rruga jonë nuk është i njëjti udhëtim i gjatë

Lulja venitet dhe vdes

Duhet të ndalemi të thurim përsosmërinë në muzikë

Mbaje mend, dhe dashuro

E dashur, tek ti gjej strehë

Dashuria ulet drejt perëndimit të saj

Për t’u zhytur nën hijet e arta

Dashuria duhet tërhequr prej lojës së saj

E duhet të lindë sërish për të qenë e lirë

Mbaje mend, dhe dashuro

E dashur, tek ti gjej strehë

Pa të parë, nuk mund të fle

Le të nxitojmë të mbledhim lulet tona

Përpara se të na i rrëmbejë era

Dashuria na e ndez gjakun dhe i shkëlqen sytë tanë

Për të rrëmbejmë puthje që mund të zhduken

Nëse arrijmë vonë, jeta jonë është e paduruar

Dëshirat tona të gjalla sepse koha kalon

Mbaje mend, dhe dashuro

E dashur, tek ti gjej strehë

Bukuria është e ëmbël për një kohë të shkurtër

Pastaj ikën

Dituria është e çmuar

Por ne kurrë nuk do të kemi kohë ta realizojmë atë tërësisht

Gjithçka ka përfunduar tashmë

Në qiellin e përjetshëm

Por jeta jonë këtu është e freskët përherë

Mbaje mend, dhe dashuro.

Ai:

Dua të të jap diçka, e dashur

Sepse do të lëvizim në rrjedha të ndryshme të kësaj bote

Jetët tona do të largohen dhe dashuria jonë do të harrohet

Por nuk jam aq i marrë, sa të shpresoj të blej zemrën tënde me dhurata

Jeta jote është e re, rruga jote është e gjatë e ti pi veç një herë nga dashuria ime dhe ikën

Nuk kam lojra as shokë loje, as buzëqeshjen dhe sjelljen tënde të shpenguar

Ti je si lumë që turret me shpejtësi duke kënduar e mposhtur çdo pengesë

Unë jam mali, unë qëndroj e kujtoj e të ndjek me zemër  

Ajo:

Dashuria ime, zemra ime, le të jetë kjo kohë ndarjeje e ëmbël

Le të mos jetë vdekje, por plotësim

Lejoje dashurinë të shkrihet në kujtesë dhe dhembjen në këngë

Le të fillojë fluturimi yt përmes qiellit duke hapur krahët

Le të jetë delikate si lulja e natës prekja jote e fundit

Ndalu, i dashur, për një moment

Dhe thuaji fjalët e fundit në heshtje 

Në fluturimin tënd drejt lirisë

“Unë jam veç shtëpia e të dashurës tënde,jo vetë e dashura:

 dashuria e vërtetë është për thesarin, jo për sëndukun që e përmban atë.

 “E dashura e vërtetë është unike, është fillimi dhe fundi yt.

 Kur ta gjesh atë, nuk do të presësh më gjë tjetër:

 është njëherësh shfaqja dhe misteri.

 Ajo është zonja e të gjithë llojeve të ndjenjave, nuk varet prej asnjërës;

 muaji dhe viti janë skllevër të asaj hëne.

 Kur ajo kërkon një “lloj ndjenje”, gjithçka i përgjigjet kërkesës së saj,

 kur ajo do, trupat shndërrohen në shpirt.

Kjo është dashuria: të fluturosh drejt një qielli sekret, 

Të shkaktosh rënien e njëqind vellove në çdo moment.

Në fillim, lëshoje veten. Në fund, bëj një hap pa pasur këmbë; 

Trajtoje këtë botë si të padukshme, dhe as mos e shiko çfarë të duket si vetja.

Zemra, çfarë dhurate ka qenë  të hysh në këtë rreth të dashuruarish, 

të shohësh përtej shikimit të vetes, të arrish e të ndjesh brenda në gjoks.