Fjalët, pavarësisht nëse vokalizohen dhe shndërrohen në tinguj apo mbeten të pashprehura si mendime, mund të kenë një efekt hipnotik mbi ju. Ju shumë lehtë mund të humbni veten në to. Ju hipnotizoheni duke besuar absolutisht se kur ju i bashkëngjitni një fjalë diçkaje, ju e dini se çfarë ajo është. Por e vërteta është që: Ju nuk e dini çfarë është. Ju thjesht keni mbuluar misterin me një emërtim. Çdo gjë, një zog, një pemë, madje edhe një gur i thjeshtë dhe sigurisht një qenie njerëzore, është në fund të fundit mister. Kjo ndodh për shkak se ato kanë një thellësi të padepërtueshme. E gjithë ajo që ne mund të perceptojmë, eksperimentojmë, mendojmë rreth botës, është shtresa sipërfaqësore e realitetit, më pak se maja e një ajsbergu.
Përtej pamjes sipërfaqësore, çdo gjë jo vetëm që është e lidhur me çdo gjë tjetër por edhe me Burimin e të gjithë jetës nga e cila ajo erdhi. Edhe një gur dhe më lehtësisht një lule ose një zog, mund t’ju tregojnë rrugën për tu kthyer tek Zoti, tek Burimi, tek vetja juaj. Kur ju e shikoni apo e mbani në dorë atë dhe e lejoni që të jetë, thjesht pa i vënë një fjalë apo etiketë mendore mbi të një ndjenjë çudie, lind brenda jush. Esenca e tij në qetësi nxjerr në pah veten e tij para jush dhe pasqyron vetë esencën tuaj përsëri tek ju. Kjo është ajo që artistë të mëdhenj ndjejnë dhe ia dalin mbanë duke e përcjellë në artin e tyre. Van Gogh nuk tha: “Kjo është vetëm një karrige e vjetër.” Ai e vështroi, e vështroi, dhe vështroi. Ai ndjeu Esencën e ekzistencës së karriges. Pastaj ai u ul para kanavacës dhe mori furçën.
Ajo karrige do të ishte shitur për pak dollarë kurse sot piktura e së njëjtës karrige kushton më shumë se 25 milion dollarë. Kur ju nuk e mbuloni botën me fjalë dhe etiketa, një ndjenjë e çuditshme rikthehet në jetën tuaj një ndjenjë që keni humbur shumë kohë më parë, atëherë kur njerëzimi, në vend që të përdorte mendimin, u pushtua nga mendimi. Një thellësi kthehet në jetën tuaj. Gjërat rifitojnë risinë e tyre, freskinë e tyre. Dhe mrekullia më e madhe është përjetimi i esencës suaj që ekzistonte para çdo fjale, mendimi, etikete mendore dhe imazhi. Që kjo të ndodhë, ju duhet të ndani atë që ju kuptoni me UNË nga ekzistenca juaj reale dhe njëkohësisht nga të gjitha gjërat me të cilat AI është përzier, ose thënë më mirë është identifikuar.
Sa më lehtë t’i bashkëngjitni etiketa verbale ose mendore objekteve, njerëzve ose situatave aq më i cekët e pa jetë bëhet realiteti juaj dhe po aq më të pandjeshëm bëheni ju ndaj realitetit, ndaj mrekullisë së jetës që vazhdimisht shpaloset brenda dhe përreth jush. Në këtë mënyrë, zgjuarsia mund të humbasë, por edhe gëzimi, dashuria, kreativiteti, dhe gjallëria gjithashtu. Ato janë të fshehura në hapësirën mes perceptimit dhe interpretimit. Sigurisht neve na duhet që të përdorim fjalët dhe mendimet. Ato kanë bukurinë e tyre – por a ka nevojë që ne të burgosemi në to? Fjalët reduktojnë realitetin në diçka të cilën mendja e njeriut të mund ta kuptojë, por që realisht nuk është shumë. Gjuha përbëhet nga pesë tinguj themelorë të prodhuara nga kordat vokale. Ato janë zanoret A, E, I, O, U. Tingujt e tjerë janë bashkëtingëllore të prodhuara nga presioni i ajrit: s, f, g, dhe kështu me radhë. Por vërtet besoni ju se kombinimi i disa tingujve të tillë bazë, mund t’ju shpjegojë juve se kush jeni, apo qëllimin e universit, apo atë që një pemë apo një gur, një zog është në thellësinë e vet?
Iluzioni i vetes.
Fjala “Unë” mishëron gabimin më të madh dhe të vërtetën më të thellë, në varësi të mënyrës se si përdoret. Në përdorimin konvencional, ajo jo vetëm është një prej fjalëve të përdorura më shpesh në gjuhë (së bashku me fjalët e ngjashme: “mua,” imja, “ “ të miat “ “veten” etj) por është edhe një nga fjalët më mashtruese. Në përdorimin normal të përditshëm, “UNË” mishëron gabimin fillestar, një keqinterpretim të asaj që ju jeni dhe një ndjenjë joreale të identitetit. Kjo është ego. Kjo ndjenjë iluzioni për vetveten është ajo që vetë Ajnshtajni, i cili kishte njohuri të thella jo vetëm në realitetin e hapësirës dhe kohës, por edhe në natyrën e njeriut, i referohej si: “një iluzion optik i vetëdijes. Ky iluzion i njeriut për veten e tij bëhet më vonë baza për të gjitha interpretimet apo keqinterpretimet e mëtejshme të realitetit dhe po ashtu për të gjitha proceset e mendimit, ndërveprimit, dhe marrëdhënieve të njeriut. Realiteti juaj bëhet një reflektim i iluzionit origjinal.
Lajm i mirë është: Nëse ju mund të njihni iluzionin si iluzion, ai zhduket. Njohja e iluzionit është gjithashtu edhe fundi i tij. Mbijetesa e tij varet në gabimin që ju bëni duke e marrë atë për realitet. Kur ju shikoni se kush nuk jeni, atëherë realiteti i asaj që ju jeni shfaqet vetë. Kjo është ajo që ndodh ndërsa ju ngadalë dhe me kujdes lexoni këto fjalë që janë për mekanizmin e një ideje fallco për veten që quhet ego. Pra, cila është natyra e iluzionit të njeriut për veten e tij? Ajo të cilës ju zakonisht i referoheni kur thoni “UNË” nuk është ajo çfarë ju jeni vërtet. Nëpërmjet një akti monstruoz reduktimi thellësia e pafund e asaj që ju jeni deformohet nga tingujt e prodhuar prej kordave zanore apo nga mendimi i “UNË” në mendjen tuaj dhe çdo gjëje tjetër me të cilën “UNË” identifikohet. Pra kujt i referohet fjala “UNË” dhe lidhjet e saj?
Kur një fëmijë i vogël mëson se një sekuencë tingujsh e prodhuar nga kordat vokale të prindërve është emri i tij apo i saj, ai fillon të barazojë një fjalë, e cila në mendje bëhet një mendim, se kush ai ose ajo është. Në atë fazë, disa fëmijë i referohen vetes në vetën e tretë. “Johnny është i uritur.” Por, menjëherë pas kësaj, ata mësojnë fjalën magjike “Unë” dhe e barazojnë atë me emrin e tyre, të cilin ata tashmë e kanë barazuar me atë që ata janë.(ose vetveten) Pas kësaj mendime të tjera vijnë dhe fillojnë të përzihen me mendimin origjinal “UNË”. Hapi tjetër janë mendimet e “im” dhe e “imja” që përcaktojnë gjërat që janë në njëfarë mënyre pjesë e “Unë”. Ky është identifikimi me objektet, që do të thotë, mendime që përfaqësojnë gjëra ose objekte me një ndjenjë të përkatësisë, në lidhje me identitetin që rrjedh prej tyre.
Kur një lodër “e imja” prishet ose ma marrin, lind një vuajtje e madhe. Jo për shkak të ndonjë vlerë të vërtetë që kjo lodër ka – fëmija shumë shpejt do e humbasë interesin për të dhe ajo do të zëvendësohet nga lodra, e objekte të tjera – por për shkak të mendimit “e imja”. Lodra u bë pjesë e fëmijës duke zhvilluar ndjenjën e vetes, ndjenjën e “Unë”. Dhe ndërsa fëmija rritet mendimi “UNË” origjinal tërheq mendime të tjera rreth vetes. Fëmija identifikohet me gjininë, zotërimet, ndjenjën e perceptimit të trupit, kombësinë, racën, fenë, profesionin etj.
Gjëra të tjera me të cilat “Unë” identifikohet janë rolet si – nënë, baba, burrë, grua dhe kështu me radhë – njohuritë e mbledhura apo opinionet, pëlqimet apo mospëlqimet dhe gjithashtu gjëra që më kanë ndodhur “mua” në të kaluarën, kujtimet të cilat janë mendime që më tej përcaktojnë ndjenjën e vetes si “UNË dhe historia ime”. Këto janë vetëm disa nga gjërat prej të cilave njerëzit krijojnë formën e tyre të identitetit. Ato në fund të fundit s’janë gjë tjetër veçse mendime të mbledhura bashkë në mënyrë të pasigurtë nga fakti që janë investuar të gjitha në ndjenjën e vetvetes. Ky konstrukt mendor është ajo që njerëzit, zakonisht i referoheni kur thonë “UNË” Për të qenë më të preçiz: Shumicën e kohës nuk jeni ju që flisni kur thoni ose mendoni “UNË” por janë disa aspekte të këtij konstrukti mendor, ose vetja egoiste. Kur ju të zgjoheni, ju sërish do të përdorni fjalën “unë”, por kjo do të vijë nga një vend shumë më në thellësi brenda vetes tuaj. Shumica e njerëzve janë ende të identifikuar plotësisht me rrymën e pandërprerë të mendjes dhe të menduarit e fiksuar, shumica prej të cilave janë të përsëritura dhe të pakuptimta.
Nuk ekziston një “UNË” i shkëputur prej proceseve mendore dhe emocioneve të lidhura me të. Ky është kuptimi i të qenit shpirtërisht të pavetëdijshëm. Kur i thua njerëzve se ka një zë në kokën e tyre që kurrë nuk ndalet së foluri, ata thonë, “Çfarë zëri?” ose me zemërim e mohojnë atë zë, i cili sigurisht është zëri, është menduesi, është mendja e pavetëdijshme. Ai mund të konsiderohet pothuajse si një entitet i cili i zotëron ata. Disa njerëz nuk e harrojnë kurrë lidhjen e parë prej së cilës ata ç’identifikohen prej mendimeve të tyre, duke provuar eksperiencën e kalimit nga një përmbajtje e mendjes së tyre në një vetëdije në sfond. Për disa të tjerë kjo ndodh në mënyrë aq delikate saqë ata e kanë të vështirë ta vënë re dhe thjesht ndjejnë një fluks gëzimi ose paqeje të brendshme pa e ditur arsyen.