Funksionet psikike dhe fizike nuk mund të kuptohen nëse nuk kuptohet që ato punojnë në gjendje të ndryshme të vetëdijes. Ka katër gjendje vetëdije të mundshme për njeriun, por njeriu normal jeton në nivelet e saj më të ulta. Dy gjendjet e vetëdijes superiore janë të paarritshme për të dhe ai është i paaftë t’i kuptojë dhe gjykojë ato. Ai e nis analizën nga nivelet inferiore të cilat pëtr të janë normale, por që bllokojnë aftësinë e të kuptuarit të niveleve superiore.
Gjendja e parë është gjumi, një gjendje pasive ku njeriu kalon 1/3 e jetës së tij ose më shumë. Gjendja e dytë ku njeriu kalon gjysmën e jetës është është ajo ku njerëzit ecin nëpër rrugë, shkruajnë libra, diskutojnë çështje “të rëndësishme”, merren me politikë, vrasin njëri-tjetrin, etj. Është një gjendje që konsiderohet aktive dhe quhet “gjendje e zgjimit” ose “vetëdije e qartë”. Por këto fjalë duket sikur janë zgjedhur për shaka, po të kesh parasysh se ç’është “vetëdija e qartë” e krahasuar kjo me gjendjen reale në të cilën njeriu jeton dhe vepron.
Gjendja e tretë është kujtesa për veten ose vetëdija e njeriut për ekzistencën e tij. Pranohet që ne mund ta kemi këtë lloj vetëdije nëse duam. Por shkenca dhe filozofia në Tokë, nuk janë në gjendje të kuptojnë që ne nuk e kemi këtë lloj gjendje dhe që dëshira nuk mjafton për ta krijuar atë. Gjendja e katërt e vetëdijes është “vetëdija objektive”. Në këtë gjendje njeriu mund t’i shohë gjërat siç janë realisht. Herë pas here në gjendjet inferiore hapen dritare drejt kësaj vetëdije. Popujt në rrënjët e tyre kanë dëshmi mbi mundësinë e arritjes së një gjendje të tillë, që quhet shpesh “iluminacion”, por që nuk mund të shprehet me fjalë.
E vetmja rrugë drejt kësaj gjendjeje është zhvillimi gradual i vetëdijes së njeriut për veten e tij. Nëse një njeri normal e çon në vetëdijen finale dhe e kthen sërish në gjendjen e tij normale, ai nuk do të mbajë mend asgjë dhe do kujtojë se ka pasur humbje ndjenjash. Në gjendjen e vetëdijes së vetvetes, kujtimet e këtyre momenteve ruhen. Gjendja e katërt është komplet ndryshe dhe është rezultat i një rritje të brendshme dhe një pune të vështirë dhe të gjatë me veten. Gjendja e tretë e vetëdijes, është një e drejtë natyrale, por nëse njeriu nuk e ka kjo do të thotë se kushtet në të cilat ai jeton janë anormale. Pa asnjë lloj ekzagjerimi, kjo gjendje e tretë nuk ekziston sot në Tokë, përveçse në raste të shkurtra dhe të rralla, që nuk arrijnë ta bëjnë të qëndrueshme pa një përgatitje të veçantë.
Për pjesën më të madhe të njerëzve edhe pse të kulturuar dhe të arsyeshëm, pengesa më e madhe e kalimit në nivele më të larta është fakti që ata besojnë se e kanë atë. Pra janë të gjithë të bindur se janë të vetëdijshëm për veten dhe se posedojnë çdo gjë që shoqëron këtë gjendje: individualitetin në sensin e një Uni permanent dhe të pandryshueshëm, aftësinë për të bërë dhe me radhë. Me këtë është e qartë që njeriu nuk do ketë të shkojë më lart dhe të punojë fort nëse mendon se e ka diçka. Kur i flet këtyre njerëzve, për këtë gjë të marrin për të çmendur ose kujtojnë se po shfrytëzohen për avantazhe personale. Dy gjendjet e vetëdijes superiore lidhen me funksionimin e qendrave superiore të njeriut. Përveç këtyre ekzistojnë edhe dy qendra të tjera, ajo “emocionale superiore” dhe ajo “intelektuale superiore”. Këto qendra janë brenda nesh dhe funksionojnë, por efekti i tyre nuk arrin dot tek vetëdija jonë normale për shkak të veçorive që ajo ka. Për të kuptuar diferencën që ekziston midis gjendjeve të vetëdijes duhet të kthehemi te gjendja e parë që është gjumi. Gjumi është një gjendje totalisht subjektive. Njeriu është i zhytur në ëndrra shumicën e të cilave as që e mban mend. Stimujt e jashtëm si zhurma, zëra, sensacione shndërrohen në imazhe subjektive fantastike. Pastaj njeriu zgjohet dhe në pamje të parë duket si një gjendje e ndryshme. Ai flet, lëviz, bën projekte dhe shumë të tjera. Këtu krijohet ideja që njeriu ndodhet në një situatë më të mirë se ajo e gjumit. Por nëse i shkohet gjërave më thellë tek bota e tij e brendshme, te mendimet e tij dhe te shkaqet e veprimeve të tij ne kuptojmë se ai ndodhet në të njëjtën gjendje në të cilën ishte kur flinte. Ndoshta edhe më keq sepse në gjumë ai është pasiv dhe nuk mund të bëjë asgjë. Kurse në gjendje zgjimi ai mund të veprojë dhe rezultatet e veprimeve të tij ndikojnë te ai dhe tek të tjerët rrotull tij. Por fatkeqësisht ai nuk i vetëdijshëm për veten e tij, është një makinë dhe gjërat thjesht i ndodhin. Ai nuk mund të ndalë fluksin e mendimeve të tij, nuk mund të kontrollojë imagjinatën, emocionet dhe vëmendjen e tij. Jeton në një botë iluzionesh “dua” “nuk dua” “më pëlqen” “nuk më pëlqen” “kam dëshirë”, “nuk kam dëshirë” ose me pak fjalë një botë e bërë me atë që ai beson se do apo nuk do. Realisht njeriu nuk e sheh botën reale dhe rri i fshehur pas murit të imagjinatës së tij. Njeriu jeton në gjumë. Ajo që ai quan vetëdije e qartë është thjesht një gjumë shumë i rrezikshëm.
Nga rruga e evolucionit e cila është një rrugë e bazuar në vështirësi dhe ndihmë, njeriu duhet të mësojë cilësitë të cilat ai mendon se i zotëron, por për të cilat ai gënjen veten. Për ta kuptuar më mirë dhe për të njohur se çfarë janë këto aftësi dhe fuqi të cilat ai mund ti mësojë, të dyja këto të rejat e të papriturat dhe gjithashtu ato të cilat njeriu imagjinon që i zotëron, ne duhet të fillojmë me njohuritë bazë që njeriu ka për veten e tij. Dhe kështu ne dalim në një fakt shumë të rëndësishëm.
Njeriu nuk e njeh veten e tij. Njeriu nuk i njeh limitet dhe mundësitë e tij. Ai madje nuk di as deri në çfarë mase ai nuk e njeh veten e tij. Njeriu ka shpikur shumë makina dhe ai e di që një makinë e komplikuar kërkon vite studimi të kujdesshëm përpara se të përdoret dhe vihet në funksionim. Por ai nuk e zbaton këtë dije tek vetja e tij, megjithëse ajo është një makinë shumë më e ndërlikuar se çdo makinë tjetër që ai ka shpikur. Ai ka të gjitha llojet e ideve të gabuara për veten e tij. Pikë së pari ai nuk arrin të kuptojë që aktualisht është vetë një makinë. Por çfarë do të thotë që njeriu është një makinë?
Do të thotë që ai nuk ka lëvizshmëri të pavarur, si brenda ashtu edhe jashtë vetes së tij. Ai është një makinë që vihet në lëvizje, nga ndikime dhe goditje të jashtme. Të gjitha lëvizjet e tij, veprimet, fjalët, idetë, emocionet, mërzitjet dhe mendimet janë rezultat i ndikimeve të jashtme. Njeriu vetë është thjesht një automat me një kapacitet ruajtjeje të kujtimeve të eksperiencave të mëparshme dhe me një sasi të caktuar rezerve energjish. Ne duhet të kuptojmë se njeriu nuk mund të bëjë asgjë.Por ai nuk arrin ta kuptojë këtë dhe ia atribuon vetes së tij aftësinë për të bërë. Kjo është gjëja e parë e gabuar që njeriu i atribuon vetes së tij. Kjo duhet kuptuar shumë qartë. Njeriu nuk mund të bëjë. Çdo gjë që njeriu mendon se e bën, në të vërtetë ndodh. Ndodh pikërisht si ‘’shiu kur bie’’ ose ‘’bora kur shkrin’’. Në gjuhën normale nuk ka forma shprehje të cilat të mund të përdoren në lidhje me veprimet njerëzore.
Prandaj ne duhet të vazhdojmë të themi që njeriu mendon, shkruan, lexon, dashuron, urren, fillon luftëra, lufton, e me radhë. Faktikisht të gjitha këto ndodhin. Njeriu nuk mund të lëvizë, flasë ose të mendojë me vullnetin e tij të lirë. Ai është si një kukull që tërhiqet herë këtej e herë andej nga fije të padukshme. Nëse e kupton këtë, ai mund të mësojë më shumë për veten e tij dhe pastaj gjërat mund të fillojnë të ndryshojnë për të. Por nëse ai nuk bëhet i vetëdijshëm dhe nuk kupton mekanikalitetin e tij total dhe nëse ai nuk do ta pranojë këtë si fakt, ai nuk do të mund të mësojë asgjë dhe gjërat nuk do të ndryshojnë për të.