EMOCIONET NEGATIVE
Ne flasim shpesh për lloje të ndryshme të emocioneve negative. Është thënë disa herë se objekti i punës me veten është zgjimi i Qendrës Emocionale. Është thënë gjithashtu se për shkak se Qendra Emocionale nuk funksionon siç duhet ajo nuk jep emocione të vërteta. Ajo është e mbuluar nga imitimi i emocioneve negative tek të tjerët dhe nga ato që rrjedhin nga personaliteti i rremë. Ouspensky ka thënë: “Ne nuk i njohim emocionet e vërteta. Qendra jonë Emocionale ushqehet me para letre, nga romane, filma etj. Veçanërisht për shkak të punës që bëri Ouspensky në lidhje me mësimet e marra nga Gurdjieff, pjesa negative e Qendrës Emocionale është shumë e theksuar për ne. Me fjalë të tjera, përmes punës së tij të veçantë në këtë pjesë të sistemit, studimi i emocioneve negative është sjellë në plan të parë.
Gurdjieff thotë që makina njerëzore është e aftë të provojë eksperienca shumë të mëdha, shumë larg atyre që ne njohim zakonisht. Nëse të gjitha qendrat do të ishin zgjuar dhe do të bënin punën e tyre të duhur, sigurisht që nuk do ta njihnim veten tonë. Siç jemi, ne jetojmë një jetë mjaft të pakuptimtë nga dita në ditë, sepse aparati ynë për të jetuar është në një gjendje mjaft të dobët. Një arsye për këtë është Qendra jonë Emocionale, që është në një gjendje tepër të keqe. Është e mbytur nga lloje të ndryshme emocionesh negative. Për këtë arsye është interesante të marrësh nga urtësia e lashtë ezoterike disa nga gjërat që u shkruajtën rreth emocioneve negative dhe të shohësh se cilat emocione të veçanta negative u përmendën posaçërisht për tu punuar, në mënyrë që Qendra Emocionale të mund të pastrohej.
Duhet të kuptoni para së gjithash që pastrimi i Qendrës Emocionale ka të bëjë me këto emocione negative. Nuk duhet të përzihet idea e pastërtisë së Qendrës Emocionale me pastërtinë ashtu siç kuptohet në një kuptim moral. Njerëzit mendojnë se emocionet e papastra i referohen gjithmonë mendimeve seksuale dhe se emocionet e pastra konsistojnë në mospasjen e tyre. Një nga emocionet më të papastra është zilia. Ouspensky thotë (në Tertium Organum): “Ekziston një ndarje e emocionit në të pastër dhe të papastër. Ne të gjithë e dimë këtë, të gjithë ne i përdorim këto fjalë, por kuptojmë shumë pak. Me të vërtetë, çfarë do të thotë ‘e pastër’ ose ‘e papastër’ për sa i përket ndjenjës?
Vetëm një analizë e emocioneve nga pikëpamja e njohurive mund të japë çelësin për këtë. Emocioni i papastër jep njohuri të paqartë, jo të pastër, ashtu si xhami i papastër jep një imazh të turbullt. Emocioni i pastër jep një imazh të qartë dhe të pastër për njohurinë për të cilën synohet. Ardhja në këtë përfundim na shpëton nga gabimi i zakonshëm i moralistëve që ndajnë në mënyrë arbitrare të gjithë emocionin në “moral” dhe “imoral”. Por nëse përpiqemi për një moment të ndajmë emocionet nga kornizat e tyre të zakonshme morale, atëherë shohim që çështjet janë dukshëm më të thjeshta, se në natyrën e tyre nuk ka emocione të pastra, as të papastra, por që çdo emocion është i pastër ose i papastër sipas faktit nëse ka apo jo përzierje të emocioneve të tjera në të.
Mund të ketë një sensualitet të pastër, sensualiteti i Këngës së Këngëve, i cili fillon në ndjesinë e jetës kozmike dhe jep fuqinë për të dëgjuar pulsin e rrahjes së natyrës. Dhe mund të ketë një sensualitet të papastër të përzier me emocione të tjera të mira ose të këqija nga pikëpamja morale, por duke bërë njësoj të papastër ndjenjën themelore. Mund të ketë simpati të pastër, dhe mund të ketë simpati të përzier me llogaritjen për të përfituar diçka me simpatinë. Mund të ketë një dashuri të pastër të dijes, një etje për njohuri për hir të vetes dhe mund të ketë një prirje për njohuri, ku konsideratat e përfitimit marrin rëndësinë kryesore.
Të gjitha emocionet negative janë të papastra në një farë sensi sepse shtrembërojnë. Të gjithë e dimë se çfarë do të thotë të jesh negativ. Ju befas ndiheni krejt ndryshe. Pse befas ndjeheni krejt ndryshe? Unë i referohem natyrisht atyre që kanë disa vetëvëzhgim të brendshëm. Njerëz të tillë e dinë se diçka u ka ndodhur atyre brenda. Çfarë u ka ndodhur atyre? Ata janë bërë negativë krejt papritur. Mendoni një njeri që ngrihet nga tryeza e mëngjesit, pasi merr një mesazh telefonik dhe kthehet në tryezë komplet i ndryshuar. Edhe një mendim i pakëndshëm që ju e lejoni të marrë fuqi mbi ju mund të bëjë që ju në rrethanat më të këndshme papritmas të ktheheni negativ nëse identifikoheni me të.
Nëse jeni kaq të pakujdesshëm, nëse jeni aq shumë funksion i jetës, saqë e gjithë jeta juaj e brendshme varet nga ngjarjet e jashtme dhe nga mënyra se si ju trajtojnë njerëzit e tjerë, atëherë me të vërtetë nuk keni individualitet. Ju nuk keni asgjë në veten tuaj që mund t’ju mbajë larg nga jeta jashtë dhe se si ajo qaset ndaj jush – nuk ka asgjë brenda jush me të cilën t’i rezistoni jetës. Kur jemi negativë, ne shohim gjithçka në njëfarë mënyre, nga një kënd i caktuar, si, të themi. Filloni me emocionet e vogla negative dhe filloni të ndaheni prej tyre – mos shkoni pas tyre. Meqenëse nuk kemi një qendër të vërtetë të gravitetit tek vetja dhe meqë jeta jonë e ashtuquajtur e vetëdijshme është një manifestim i UNË-ve të ndryshëm, ne duhet të kuptojmë se sa zgjuar duhet të mbajmë veten në mënyrë që të punojmë në Qendrën Emocionale, veçanërisht pasi ekziston një kënaqësi e caktuar e të qenit negativ.
Nëse do të hiqni të gjitha emocionet negative nga shumica e njerëzve, ata nuk do të kishin më asnjë burim “lumturie”. Njeriu duhet të fillojë të heqë dorë nga vuajtjet e kota – domethënë emocionet negative. A keni hequr dorë nga ndonjë prej tyre? Emocioni negativ bën që ne të vuajmë dhe megjithatë ne e shijojmë atë. Na ndihmon të vërejmë emocionet negative nëse bëjmë një listë të tyre. Do të përmend vetëm disa. E përmenda Zilinë. Është interesante të përpiqesh të përcaktosh se çfarë është Zilia. Xenophon, duke folur për Sokratin, thotë se “duke marrë parasysh atë që ishte Zilia, ai vendosi që ajo të ishte një shqetësim i caktuar, i tillë që lind në suksesin e miqve. Mendimi i Pindarit për Zilinë, si “më e keqja nga të gjitha që shpërfytyrojnë njeriun”, dëshira për të zhvlerësuar përsosmërinë duke qenë pjesa më e kuptueshme e natyrës së tij. Bacon në Historinë e tij Natyrore thotë: “Zilia lëshon një frymë malinje dhe helmuese që mban frymën e një tjetri dhe është po ashtu me forcë më të madhe kur hedhja e syrit është e zhdrejtë”, i cili pajtohet me thëniet e vjetra që njeriu ziliqar ka një sy të lig.
Për të hyrë në kontakt me Qendrat e Larta është e nevojshme të shkatërrohen të gjitha emocionet negative. Emocionet negative mbyllin derën, si të thuash, drejt këtyre qendrave. Nëse ne do e dinim se çfarë humbim duke u lidhur vazhdimisht pas emocioneve negative, do të duhej të tmerroheshim. Dhe me të vërtetë, ne kënaqemi kaq shumë me emocionet negative, të dukshme ose më pak të dukshme, të forta ose të maskuara, të hapura ose të fshehura, saqë kur themi duhet t’i shkatërrojmë, është pothuajse e krahasueshme si të thuash që duhet të vrasim Qendrën Emocional komplet siç është. Por kjo është e pamundur prandaj na thuhet që duhet të pastrojmë emocionet.
Kuptoni që pastrimi i emocioneve në kuptimin e Punës me veten kërkon vëzhgimin dhe ndarjen nga emocionet negative. Është pjesë e punës së domosdoshme ditore me veten. Nuk është diçka që ju e bëni për një ditë apo më shumë (dhe atëherë imagjinoni se dini gjithçka për të) por diçka që duhet të bëni gjatë gjithë jetës. Ndërveprimi midis Qendrave të Larta dhe forcave të tyre transformuese dhe gjendjes sonë të tanishme është rregulluar shumë mrekullisht dhe me mëshirë. Një njeri nuk lejohet të perceptojë së brendshmi dhe të kuptojë më shumë sesa mund të durojë pa u dëmtuar. Transformimi nuk mund të vijë nga qendrat e Larta sepse ne duhet ta fitojmë atë dhe arsyeja është se ne jemi qenie vetë-zhvilluese që do të thotë se duhet ta bëjmë vetë evolucionin tonë.
Një person i mbushur plot me emocione negative, ankohet për çdo gjë dhe e kthen çdo ngjarje në një burim negativ. Ai argumenton: “Nëse ka një Zot, pse ai nuk e bën gjithçka të bukur dhe të këndshme për mua?” Cila është përgjigjja? Ky person duhet të punojë për veten e tij. Pse? Sepse ai u krijua si një organizëm vetë-zhvillues dhe ngjarjet e jetës i jepen atij që të zhvillohet vetë. Nëse Zoti ose dikush tjetër do e shndërronte atë në një Njeri të Vetëdijshëm, i gjithë kuptimi i jetës në këtë planet do të duhej të ndryshonte. Tani kuptoni që kemi lindur si organizma vetë-zhvillues si një eksperiment nga laboratori i Diellit dhe nëse ky eksperiment i fundit është një dështim, Njeriu do të fshihet dhe një tjetër eksperiment vetë-zhvillimi do të organizohet në Tokë.
Luftërat, egërsia, tmerret, ndodhin sepse Njeriu është në nivelin e qenies që tërheq gjëra të tilla. Është Njeriu dhe niveli i tij i të qenurit shkaku i të gjitha gjërave të tilla dhe për sa kohë që Njeriu nuk përpiqet të zgjohet dhe zhvillohet vetë, gjëra të tilla do të vazhdojnë në mënyrë të pashmangshme. Vetë njeriu i tërheq ato. Ne jemi krijuar si organizma vetë-zhvillues dhe si të tillë ne mund të punojmë në veten tonë dhe mund të ndryshojmë qenien tonë individualisht. Nëse ne të gjithë do të ndryshonim, luftërat do të pushonin. Studioni qenien tuaj. Do të zbuloni se ajo drejtohet nga emocionet negative në plane afatgjatë.
Për sa kohë që ndodh, njeriu nuk mund të marrë ndihmë nga një nivel më i lartë, që janë Qendrat e Larta. Nëse ne jemi krijuar si organizma vetë-zhvillues dhe nuk bëjmë përpjekje ta përdorim këtë liri, pse ta fajësojmë “Zotin” për mos ndërhyrje? Pastrimi i Qendrës Emocionale, është i domosdoshëm për kontaktin me Qendrat e Larta, të cilat përfaqësojnë tek ne Rrethin e Vetëdijshëm të Njerëzimit dhe kërkojnë vazhdimisht të na ndihmojnë. Ne duhet të mësojmë të dëgjojmë, duhet të marrim një formë të duhur e të menduari dhe qëndrimin e duhur pse gjërat janë ashtu siç janë në këtë Tokë. Gurdjieff, kur u pyet një herë nëse luftërat mund të ndalen, tha: “Po, por Njeriu duhet të ndryshojë veten e tij në mënyrë që frekuenca të caktuara të mos e bëjnë atë të dhunshëm.
Luftërat nuk shkaktohen nga Njeriu. Burimet janë ekstra-tokësore si psh. dy planetë që kalojnë pranë njëri-tjetrit dhe shkaktojnë një tension, një dridhje të caktuar. Njerëzimi mekanik e përkthen këtë frekuencë në emocione të dhunshme dhe si rezultat luftë. Nëse Njeriu bëhet më i vetëdijshëm, ai, përkundrazi, mund ta marrë këtë energji si një formë vetëdije që rrietet prej këtyre frekuencave. Tani, për t’u rikthyer tek titulli, “Emocionet negative dhe pozitive”. Të gjitha emocionet pozitive vijnë nga Qendrat e Larta dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë me emocionet negative. Cilësia e tyre është e tillë që ata nuk kanë të kundërta në to. Ata janë “Po dhe Jo” jo “Po ose Jo”. Askush nuk mund të krijojë, të thërrasë, të bëjë, një emocion pozitiv. Emocionet pozitive vijnë si shpërblim. Kjo do të thotë, nëse ju vendosni të punoni me veten përsa i përket disa burimeve të emocionit negativ tek ju, për të mos identifikuar ose ushqyer një emocion negativ të veçantë nëse, me pak fjalë, ju keni mbyllur derën dhe keni hyrë në veten tuaj atëherë emocionet pozitive vetëaktivizohen.
Por kjo është diçka tjetër nga ato që ne i konsiderojmë si emocione pozitive, si të ndjehemi mirë, të ndjehemi rehat, në krye të botës, në vetë-admirim, etj., Këto lloj emocoinesh mund të kthehen në një moment të caktuar në emocione negative. Emocione të tilla, që japin kënaqësi të çastit nuk janë emocione pozitive, por një lloj tjetër emocioni negativ që quhet emocion gënjeshtar. Emocionet e vërteta pozitive, kurrë nuk ndryshojnë në të kundërtat e tyre, por thjesht vijnë për një kohë dhe pastaj tërhiqen. Por nëse nuk punojmë me të vërtetë, atëherë ne do të jemi të shkëputur nga çdo ndihmë e brendshme që Qendrat e Larta mund të fillojnë të japin. Kjo fillon vetëm pasi ne të ndërtojmë dhe të bëjmë instrumentin e pranimit ndërmjetës. Personaliteti i rremë e parandalon këtë. E gjithë njerëzimi mund të ndihmohej nëse mes të tjerash, personaliteti i rremë dhe të gjitha vlerat e tij magjepsëse, pasive dhe të dobëta, do të ishin të papërfillshme. Reflektoni për të gjitha këto vetë.
EMOCIONET POZITIVE
Ne nuk i njohim emocionet pozitive. Emocionet e zakonshme që kemi, të tilla si të ndjeheni pak si të kënaqur etj etj, mund të ndryshojnë lehtësisht në të kundërtat e tyre: ndërsa emocionet pozitive nuk mund të ndryshojnë në asnjë të kundërt, sepse ato vijnë nga Qendrat e Larta që i përfshijnë të kundërtat. Në të njëjtën mënyrë, Qendra e Lartë Mendore nuk mendon me Po apo Jo, por nga Po dhe Jo së bashku, kështu që emocionet që vijnë nga Qendrat e Larta Emocionale nuk kanë të kundërta. Emocionet pozitive vijnë si shpërblim. Ne nuk mund t’i detyrojmë ato. Por nëse kemi punuar në mos identifikim me emocionet negative, etj, ato vijnë vetë. Gjithashtu nëse përpiqemi të kujtojmë veten në momente kritike, kur gjithçka po shkon keq, atëherë mund të kemi, herët a vonë, një ndezje të këtij shpërblimi të quajtur emocion pozitiv i cili është krejtësisht ndryshe nga cilido prej emocioneve të zakonshme që ne përjetojmë në jetë.
Puna ka të bëjë me përgatitjen e qendrave më të ulëta për pritjen e ndikimeve që vijnë nga Qendrat e Larta, për të cilat nuk jemi akorduar siç duhet për t’i marrë ato. Qendrat tona të ulëta janë me të vërtetë makina pritëse dhe ato duhet të dëgjojnë mesazhet apo ndikimet e vazhdueshme që vijnë nga Qendrat e Larta, por ka diçka të gabuar me to, ato janë të lidhura gabim, janë të mbushura me qëndrime të gabuara, mënyra të gabuara të të menduarit, përgjigjet të gabuara ndaj stimujve të jashtëm, etj. Dhe është veçanërisht Qendra Emocionale ajo që funksionon gabim.
Ajo është si e zhytur në ujë. Për këtë arsye, duhet të shtrydhim këtë lagështi nga Qendra Emocionale me një lloj presioni ndaj vetes, herë duke shkuar në një drejtim, herë në një tjetër, derisa të thahet — d.m.th. derisa uji të dalë. Çfarë është ky ujë? Për të vazhduar analogjinë, ky ujë është identifikimi me gjendjet tuaja negative gjatë gjithë ditës. Gjendja e Qendrës Emocionale te njeriu sot bazohet vetëm në dhunë? – Emocionet negative thjesht çojnë në dhunë.
Njeriu kurrë nuk do të ketë zhvillim dhe qetësi në këtë Tokë për aq kohë sa ai bazohet në dhunë, pavarësisht se çfarë modifikimesh të jashtme sajohen në rrethanat e jetës së tij. Me fjalë të tjera, nëse një njeri nuk ndryshon brenda tij, ai nuk mund të presë të shpëtojë nga burgu i kësaj jete. Pra, duhet të kuptojmë që edhe pse kemi mundësi të mëdha që na kanë dhënë, ne nuk kemi aparatin teknik për t’i realizuar ato dhe duht punuar shumë në mënyrë që të rregullojmë këtë gjendje të çrregulluar, në mënyrë që këto mundësi brenda nesh të realizohen.
Kjo është një mënyrë të menduari jashtëzakonisht e dobishme kur konsideroni thënie të tilla si “Njeriu është në gjumë”, “Njeriu nuk mund të bëjë, dhe si pasojë gjithçka ndodh në të vetmen mënyrë që mund të ndodhë. Njerëzit thonë: Pse nuk zgjohen të gjithë që të mund të kemi një botë të re? A mund ta shihni të gjithë përgjigjen? A e keni të lehtë të mos identifikoheni me detyrat e jetës së përditshme? A e keni të lehtë të ndaloni të justifikoheni? A e keni të lehtë të ndaloni shmangien nga vetja? Jo, sigurisht që ju nuk e bëni, kështu pse thoni: “Pse nuk zgjohen të gjithë?” Nëse e keni kaq të vështirë të zbatoni teknikën e Punës tek vetja juaj?
Pra, është e nevojshme ta lidhni veten me diçka që do t’ju kujtojë gjithmonë se pse duhet të punojmë dhe nëse reflektoni dhe i jepni kohë dhe hapësirë në jetën tuaj mendore dhe gjithashtu të përpiqeni të praktikoni si në jetën tuaj të brendshme ashtu edhe në jetën tuaj të jashtme dhe lidhjen tuaj me njerëzit e tjerë, mund të merrni, një ndezje emocionesh pozitive.